Connect with us

Aktualitet

Komisioni Europian kundër ndërtimeve për peisazhet e mbrojtura, zbatoni ligjin për ruajtjen e natyrës

Raporti i Komisionit Europian lidhur Politikën e Zgjerimit të BE-së ka si qëllim investigimin dhe
monitorimin e politikave të vendeve kandidate, apo atyre ende në proces, mbi përpjekjet për të rakorduar
legjislacionin vendas me atë europian. Në raportin e fundit të publikuar për Shqipërinë, atë të datës 6 tetor
2020, theksohen problematika thelbësore në fushën e ruajtjes së natyrës, të cilat kërcënojnë territorin e
zonave të mbrojtura nëpërmjet planifikimit të investimeve masive, si ndërtimi i një aeroporti brenda
Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Kjo problematikë e ngritur prej organizatës tonë që prej vitit 2018
është e një rëndësie të jashtëzakonshme, për arsyen se ndërtimi i të tilla infrastrukturave kërcënon vlerat
ekologjike të zonës, duke rënë ndesh me ligje kombëtare apo konventa ndërkombëtare për mbrotjen e
natyrës e të biodiversitetit.d
Laguna e Nartës dhe ekosistemi përreth përbën një nga ligatinat më të mëdha e të rëndësishme në
Shqipëri e Mesdhe. E ndodhur në një pjesë kyç të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, kjo sipërfaqe është
zyrtarisht kandidate për tu shpallur si zonë Emerald nën Konventën e Bernës, për shkak të rëndësisë që
përfaqëson për ruajtjen e natyrës dhe jetës së egër. Akoma më tej, kjo zonë është në proces studimi lidhur
me identifikimin e habitateve të rrjetit Natura 2000, pjesë e Direktivës Europiane të Habitateve e
Shpendëve. Sipas të dhënave tona, kjo zonë përmbush të gjithë kriteret për tu shpallur si “Ligatinë me
Rëndësi Ndërkombëtare” nën Konventën Ramsar. Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është shtëpi për një
shumëllojshmëri shpendësh, të cilët gjejnë në të kushte të përkryera për të folezuar, ushqyer, apo pushuar
gjatë shtegtimit. Nëse planet e sipërpërmendura implementohen, kjo zonë do të humbasë çdo vlerë për
natyrën e jetën e egër, duke sjellë jo vetëm humbjen e një zone të mbrojtur, por një ekosistemi unik që
nuk ndodhet askund tjetër në Shqipëri.


Gjeni më poshtë përkthimin e pjesës ku diskutohet për këtë problematikë në Kapitullin 27 të Raportit të
Komisionit Europian 2020 për Shqipërinë:
Përputhja me acquis në fushën e ruajtjes së natyrës, në veçanti lidhur me Direktivën e Habitateve e të
Shpendëve, është zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme, por politikat dhe zbatimi i ligjit mbeten
përgjithësisht të dobëta, pavarësisht aktiviteteve të shumta për ngritjen e kapaciteteve dhe asistencës
teknike. Ligji mbi zonat e mbrojtura u amendua në vitin 2018 për të vendosur theksin në planifikimin dhe
zhvillimin e këtyre zonave. Legjislacioni mbi investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e
biodiversitetit, për arsye se mund të lejojë investime të mëdha turistike apo industriale brenda zonave të
mbrojtura, si p.sh. aeroporti i propozuar në territorin e Vjosë-Nartës. Ky plan bie në kundërshtim me të

tjerë ligje kombëtar, apo konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka
ratifikuar. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ende zotëron kapacitete dhe instrumente
financiarë të limituar, kjo për shkak të ndalimit të saj ligjor për të qenë e pavarur financiarisht.
Shqipëria duhet të sigurojë zbatimin e ligjit në fusha si shpyllëzimi apo prerja e jashtligjshme e pyjeve, si
dhe të procedojë penalisht kundrejt fajtorëve. Raportimet e krimeve mjedisore janë rritur në 6 muajt e
fundit, sidomos mbi shpyllëzimin, prerjen e paligjshme të pyjeve, zjarrvënien, gjuetinë, tregtinë e jetës së
egër dhe specieve të mbrojtura, gërryerjen e shtretërve të lumenjve, apo hedhjen e mbeturinave në to.
Investimet për hidrocentrale duhet të përputhen me detyrimet kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtjen e
natyrës, menaxhimin e ujërave, si dhe të përfshijnë pjesëmarrje publike apo dëgjesa, apo të jenë subjekte
të raporteve të VNM, të cilat përfshijnë një vlerësim të hollësishëm mbi impaktin që këto investime do të
kenë në natyrë apo biodiversitet. Të tilla raporte ende mungojnë, pavarësisht numrit të lartë të
hidrocentraleve ekzistues, apo të planifikuar, në basenet e lumenjve. Këto raporte duhet të ndërmerren
përpara çdo aprovimi të dhënë për projekte individuale. Ende mungojnë inspektime apo monitorime mbi
rrjedhat ekologjike nga hidrocentralet ekzistuese.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *