Bota
Kompania Moderna: Vaksina kundër COVID-19 ofron gati 95% mbrojtje
Kompania amerikane Moderna thotë se të dhënat paraprake tregojnë se vaksina e saj kundër COVID-19 është gati 95% efektive.
Rezultatet janë të ngjashme me ato të kompanive Pfizer dhe BioNTech, të cilat ditë më parë njoftuan se testimi i vaksinës së tyre ka rezultuar 90% efektiv në fazën finale, në të cilën janë përfshirë më shumë se 40 mijë njerëz.
Rezultatet e vaksinave të këtyre kompanive shtojnë besimin në rritje se zbulimet e tyre mund të ndihmojnë në përfundimin e pandemisë.
Kompanitë kanë përdorur një qasje mjaft inovative dhe eksperimentale për të zbuluar vaksinat e tyre.
Moderna thotë se është një “ditë e shkëlqyer” dhe ata planifikojnë të aplikojnë për miratim në mënyrë përdorimi i vaksinën të fillojë në javët e ardhshme.
“Ky është një moment i rëndësishëm në zhvillimin e vaksinës tonë. Kjo analizë pozitive e fazës 3 të studimit ka dhënë vlerësimin e parë klinik që vaksina jonë mund të parandalojë sëmundjen COVID-19, duke përfshirë edhe rastet e rënda”, tha në një deklaratë Stephane Bancel, shefi ekzekutiv i Moderna.
Moderna planifikon që të aplikojë brenda për miratim emergjent në mbarë botën dhe pret që rreth 20 milionë doza të shpërndahen në Shtetet e Bashkuara deri në fund të vitit.
Moderna tha se rezultatet e para bazohen në 95 nga 30,000 vullnetarët, që janë injektuar me COVID-19. Nga 95 vullnetarët, 90 kanë marrë placebo dhe pesë e kanë marrë vaksinën, që ka dhënë rezultat efektiv prej 94,5 për qind. Sipas kësaj kompanie, 11 persona që kanë marrë pjesë në këtë studim janë sëmurë rëndë, e që të gjithë kishin qenë në grupin që janë injektuar me placebo dhe jo me vaksinën për koronavirus.
Eksperti kryesor amerikan për sëmundje ngjitëse, Anthony Fauci i cilësoi si lajme të mira testimet për vaksina kundër COVID-19.
“Vaksina me të vërtetë është drita në fund të tunelit”, tha Fauci.
Ai u bëri thirrje amerikanëve që të vazhdojnë të jenë vigjilent, pavarësisht lajmeve të mira për vaksinën, duke thënë se ata duhet të vazhdojnë të pastrojnë duart, të shmangin turmat me njerëz dhe të mbajnë distancë fizike.
Ende nuk e dihet se sa do të zgjasë imuniteti nga vaksinat, pasi duhet më shumë kohë për të përcjellur gjendjen e vullnetarëve që kanë marrë pjesë në testim.
Gjithashtu nuk ka të dhëna se sa mirë funksionon në grupmoshat më të vjetra, të cilat janë më të rrezikuara nga COVID-19.
Dhe, siç transmeton BBC, ende nuk dihet nëse vaksina thjesht ndalon njerëzit të sëmuren rëndë, ose nëse i ndalon ata gjithashtu të përhapin virusin.
Më herët drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se, vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur pandeminë e koronavirusit të ri.
“Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t’i zëvendësojë ato”, tha Ghebreyesus në një takim të Këshillit Ekzekutiv të OBSH-së.
Prandaj, ai bëri thirrje që masat për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, të tilla si testimi, karantina dhe monitorimi i kontakteve, të mos shfuqizohen para kohe.