Connect with us

Kosova

Kosova dhe Serbia dakordësohen për deklaratën rreth të pagjeturve

Kosova dhe Serbia janë dakordësuar për deklaratën rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Lajmn e bëri të ditur, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell i cili shkruan se marrëveshja e arritur për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur është arritur në takimin e djeshëm të dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. Bashkimi Evropian pret që të dyja të respektojnë të gjitha obligimet dhe të fillojnë zbatimi sa më shpejt. Palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim të mundshëm. Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë”, shkruan Borrell.

Në fund të shkrimit të tij, Borrell thekson se nënshkrimi për këtë marrëveshje pritet të bëhet në takimin e rradhës kurti-Vuçiç që me shumë gjasë mund të mbahet në datën 22 prill, megjithëse ende nuk është konfirmuar.

Një ndër temat në takimin ndërmjet Bislimit dhe Petkoviç, ishte edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje për të cdilën kryenegociatorët u shprehën se janë diskutuar hapat konkretë të kësaj marrëveshje.

“Pas kaq vitesh diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit trepalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit të Asociacionit”, tha Petar Petkoviç.

Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë u mbajt pas tensioneve të reja në veri të Kosovës, ku u dogjën tri vetura me targa “RKS”, ngjarje për të cilën u arrestua një serb. Arrestimi i serbit, ngjalli reagim nga anëtarët e kominutetit me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilët paralajmëruan se nëse bashkëkombasi i tyre nuk lirohet, atëherë do ngrihen në protesta të fuqishme.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Bashkimit Europiane kanë bërë thirrje për qetësi duke shpresuar se ngjarjet e ndodhura së fundmi, nuk do të kenë ndikim në çështjet për të cilat janë dakordësuar dy vendet.

Advertisement