Connect with us

Shkrime

Kosova e Albin Kurtit, jo si një produkt i Perëndimit, por si Republika Islamike e Iranit

Nga Leart Kola

Diku nga viti 2008 ose 2009, kur punoja akoma për Lëvizjen, bashkë me një grup organizatash shqiptare në Ballkan, themeluam Rrjetin e Organizatave Shqiptare (RROSH). Përveç MJAFT-it, organizatat më të njohura ishin Vetëvendosja dhe Zgjohu, që drejtoheshin përkatësisht nga Albin Kurti, sot kryeministër i Kosovës, dhe Zgjohu nga Artan Grubi, sot zv. kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kësaj nisme i ishin bashkuar pa fund organizata shqiptare nga Presheva e Mali i Zi. Për kohën dhe mundësitë ekonomike që këto organizata kishin, ishte një iniciativë serioze, e cila jetoi për një kohë jo të shkurtër dhe bëri shumë aktivitete në vetëdijesimin politik të shqiptarëve kudo që jetonin në Ballkan.

Dua të tregoj një histori interesante që tregon pak edhe kontekstin. Albin Kurti në atë kohë ishte shpallur ‘non grata’ nga qeveria e Maqedonisë, e konsideronin të rrezikshëm. Ishte koha kur të kaloje në Maqedoni për shqiptarët ishte një keqtrajtim epik (sot duket e pabesueshme, por në ato vite mund të rrije me orë të tëra në Bllacë apo Qafë-Thanë nën kontroll fizik e dokumentash). Kur mbledhjet e rrjetit duhej të bëheshin në Shkup, gjë që ndodhte jo rrallë, Albini duhej të kalonte gjysmë-ilegalisht në Maqedoni. Një herë e shoqërova me makinë deri në kufi. Ai kaloi me këmbë nga mali dhe nga ana tjetër e priste Artan Grubi.

M’u kujtua kjo ngjarje sepse dy vjet më parë, kur nga Shkupi do të udhëtoja për në Tetovë, pikërisht në mbikalimin ku ndahen rrugët, policia bllokoi trafikun për të paktën një orë sepse pritej të kalonte Albini Kurti, kësaj here me eskortë në rolin e kryeministrit të Kosovës. Ndjeva njëfarë krenarie dhe suksesi i tij ishte në një mënyrë suksesi i të gjithë aktivistëve të angazhuar në ato kohë të vështira. Kohët ishin realisht të vështira dhe Albini ishte realisht në rrezik, ndryshe nga kjo hera e fundit që teatroi një atentat qesharak.

Edhe pse vite të vështira, ndjehej një lloj shprese që gjërat do të mund të bëheshin më mirë, dhe në fakt, siç do mundohem të argumentoj në këtë shkrim, eventualisht u bënë më mirë. Shpesh herë dhe me protagonistë disa prej personazheve të sipërpërmendur. Por a jemi sot në fillimin e fundit të kësaj shprese që u mbajt gjallë për gjithë këto vite?

Vetëm para 3 vjetësh kishim Kryeministrin Dritan Abazoviç në Mal të Zi, me një qeveri që dukej sikur po ecte me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian.

Në Shqipëri, pas shumë turbulencave të mosmarrjes pjesë në zgjedhjet lokale nga opozita, u arrit pas vetëm dy vitesh të organizohej një proces model elektoral që, edhe pse e pa PS prapë fituese, dukej sikur në fund vendi do të kishte një opozitë serioze.

Në Kosovë Levizja Vetëvendosje realizoj një sukses politik të pamatshëm, një ish-OJF të marrë mbi 50% të votës popullore ishte një thyerje e të gjitha rregullave të matematikës zgjedhore në atë vend.

Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët dolën shumë më të fortë nga një proces që ishte krijuar për t’i dobësuar. BDI jo vetëm mori pjesën më të rëndësishme të posteve ministrore, por arriti që nëpërmjet një debati të gjatë me LSDM të përfshinin në negociata dhe vendosjen e një kryeministri shqiptar në 100 ditët e fundit, duke sjellë një relaksim etnik të pajetuar më parë në ato treva, e cila u konkretizua me një investim infrastrukturor 2 miliardë euro, kryesisht në zonën e banuar nga shqiptarët. Një sukses konkret që zhvillon atë që dukej si Rrip i Gazës në Ballkan. Gjërat ishin duke shkuar mirë…

Parantezë

“Që punët nuk do na shkonin mirë u dallua që kur Albin Kurti, akoma pa hyrë në zyrën e tij të kryeministrit të Kosovës, vendosi nëpërmjet një gjesti donkishotesk të konkurronte për zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, nëpërmjet një liste kandidatësh megallomanë të cilët në fakt morën më pak se çdo subjekt tjetër, duke thyer rekord negativ në historinë moderne politike shqiptare… E megjithatë shija e përçarjes mbeti tek të dy shtetet e për fat të keq vazhdon akoma edhe sot. Ditët e mira përfunduan pa filluar mirë, si pasojë e egos dhe praktikës politike shqiptare tashmë shekullore, që mjafton mos të ketë ai tjetri, pa mos të kem as unë.

Pra, ku jemi sot?

Në Mal të Zi, kohët e bukura kur një shqiptar bëhej kryeministër duket se janë harruar. Sot është një vend në kufi të shpërthimit të konfliktit etnik. Fitorja e partive serbe, përfshirja 100% e politikës zyrtare serbe në Malin e Zi, e bën shtetin me popullsi të vogël të shohë me frikë nga e ardhmja. Nuk ka më fjalë për integrim të shpejtë, por vetëm për një shpërthim të shpejtë të konfliktit etnik, ku shqiptarët si minorancë duket se në një rritje konflikti dhe autokraci do të jenë të parët që do të dëmtohen. Vetëm një mrekulli do t’i jepte stabilitet politik në të ardhmen e afërt. Fitili është ndezur, pritet vetëm që flaka të takojë fuçinë e barutit.

Në Shqipëri, shpallja ‘non grata’ e Sali Berishës e shkatërron konstruktivitetin e ditëve të para të opozitës, duke e kthyer në një batalion qesharak që lufton për interesat e një njeriu, duke e bërë inekzistente debatin parlamentar, tkurrur numrat e opozitës në nivel historik dhe radikalizimit edhe fizik të një grupi përherë e më të vogël të deputetëve, dhe për pasojë mohimit të një alternative qeverisëse për vendin. Në thelb, kjo ka demtuar edhe Partinë Socialiste në pushtet, si në menaxhimin e përditshëm administrativ ashtu edhe në imagjinatën kolektive të krijimit të strategjisë politike. Duke e zhvendosur atë debat që duhet të ndodhë në politikë, në kronikën e zezë, ku opozita është zëvendësuar nga Prokuroria Speciale dhe populli në sehirxhi pasiv konsumator i fatkeqësive që bien mbi nënpunësin e radhës, duke prodhuar kështu një apati shumë të dëmshme afatgjatë, ku një palë nuk fiton kurrë dhe pala tjetër fiton pa e ditur se përse!

Kosovës, pasi i kaloi ‘hangover’-i i zgjedhjes së leadershipit të ri, zbulon në zgjim se gjendet në një situatë kritike ekonomike, performance administrative inekzistente, ku askush nuk punon nga frika se mos bën ndonjë gabim dhe për pasojë projektet e parealizuara arrijnë në shifra qindra miliona euro euro, duke thelluar diferencën sociale atë që premtojnë se do të korrigjojnë. Mungesën e kurajos për të ndryshuar ekonominë e zëvendësuan me kurajon e çartur për të filluar një luftë jo aq të ftohtë diplomatike me Perëndimin.

Konflikti i hapur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ku i pari nuk i kursen kritikat dhe i dyti ka arritur të vendosë sanksione ekonomike, si të ishte Kosova jo një produkt i punës së Perëndimit, por Republika Islamike e Iranit, ka sjellë një impotencë evidente në përfaqësimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, i cili edhe pa të, gjendet sot për paafërsinë tonë për të parashikuar ngjarjet në pozitën e të akuzuarit në tribunalin e Hagës, ku gabimisht mendohet se po gjykohen disa komandantë, kur në fakt aty po gjykohet vetë legjitimiteti i ekzistencës së shtetit të Kosovës. Gjykim ky që ka indiferencën e plotë të qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të saj, në shkurtpamësinë e të cilit ky gjyq shihet si një formë për të eliminuar kundërshtarët e menjëhershëm politik. Çfarë fatkeqësie!

Dhe çfarë fatmirësie për Aleksandar Vuçiç, që po e shijon këtë vëmendje ndërkombëtare në sytë e të cilit duket si një politikan konstruktiv. Edhe kur vendoset në cep të ringut si në rastin e Banjskës, kujdeset Albini ta shpëtojë duke shpikur një krizë nga hici, si rasti i fundit i dinarit për shembull. Më shumë se amatorizëm, politika e Kosovës duket si sado-mazohizëm. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto probleme, VV vendosë të kandidojë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut… Çfarë gjenialiteti, sigurisht me një Don Kishot të ngjashëm me kandidatët që kishte në Shqipëri, duke armiqësuar kështu jo vetëm partinë aleate në Internacionalen Socialiste, LSDM, por edhe duke çuar ujë në mullirin e VMRO. E mbi të gjitha duke përçarë shqiptarët që duket se do të zhyten në irrelevancë pas zgjedhjeve të 8 Majit.

Edhe një mundësi që forcat progresiste e kishin për të pasur një garanci kushtetuese nëpërmjet zgjedhjes së një presidenti progresist, siç është kandidati i LSDM Stevo Pendarovski, një nga presidentët më pro-shqiptarë të historisë së këtij shteti, u siguruan vetë shqiptarët që kjo mos të ndodhte, duke nxjerrë me frymëzimin e Albin Kurtit Kryetarin e Komunës së Gostivarit si kandidat nga opozita shqiptare. Për pasojë, detyruan BDI që të nxirrte një kandidat të vetin, duke zeruar mundësitë e Pendarovskit për t’u zgjedhur president dhe ndihmuar kështu një kandidate të djathtë e cila do të jetë në unison me qeverisjen e ardhshme anti-shqiptare.

Historia është e pamëshirshme në gjykim, e koha do të tregojë se ata që sot e mbajnë veten për patriotë të mëdhenj mund të dalin nesër tradhtarët më të shquar. Ata që sot bëjnë sikur po luftojnë dhëmbë për dhëmbë me armikun, dalin nesër që ishin aleatët më të mëdhenj të tij. Këtë ne sot nuk mund ta dimë, koha do ta gjykojë e do të na gjykojë të gjithëve, por dicka e dimë, sepse është fakt, që sot jemi më keq se dje, dhe nesër sipas gjithë gjasave do jemi më keq se sot. Sepse nuk dimë të ngrihemi mbi nivelin personal të egos për të mirën e përbashkët. Jemi gati të djegim gjithë dyshekun për një plesht, ndërkohë që armiqtë e idesë së barazisë dhe bashkëjetesës mes kombeve në Ballkan ngrohin duart në të.

Ajo që u duk si një epokë e artë e ndryshimeve në Ballkan për shqiptarët, për fat të keq, na del që ishte fryma e fundit e një trupi që nuk arriti dot të bëhet një trup politik, por mbeti gjithmonë një trup biologjik.

OPINION

Kosova një pikë e zezë në hartën e Evropës

Nga Hisen Berisha

Pasojat e propagandës kundër shtetit, të këtyre qeveritarëve para dhe pas ardhjes në pushtet, tani po sjellin efektet domino.

Kur udhëheqin njerëzit e këqinj, marrin vendime të gabuara, atëherë populli e paguan çmimin e pasojave. Kjo po i ndodhë popullit të Kosovës aktualisht.

Ata menduan se duke etiketuar dhe denigruar shtetin dhe çdo arritje politike, ekonomike, sociale, të sigurisë dhe integrimeve, do të fitonin një pozicion të favorshëm dhe të besueshëm në arenën ndërkombëtare.

Tani po përballen me mekanizma ideologjik të “revolucionit me shamija të kuq”, të cilët vetë i kanë krijuar me propagandë dhe kauza të rrejshme. Tani ata duhet të shërbehen edhe mëtej me gjuhë elektorale për të mbijetuar vetë-viktimizimin!

Shikoni se si po bëhen investimet në infrastrukturë rrugore, arsim, shëndetësi, çështje sociale dhe për mundësi të barabarta punësimi (me rekomandime partiake), dhe në fushën e sigurisë në veçanti. Abuzim i pa parë me paranë publike dhe taksat e qyetarëve, i cili duhet hetuar nga organet përkatëse dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Një qeveri e përgjegjshme përgatitet gjithmonë për luftë, e ngrit dhe siguron sigurinë e saj, por nuk flasin hapur për luftë.Propaganda si mjet linçues, paranojat, dhe frikësimi i qytetarëve janë mekanizma për të mbajtur nën kontroll emocionet e qytetarëve, bashkë me varfërimin ekonomik si doktrinë dhe varësinë sociale, si mekanizëm i regjimeve të majta dhe totalitare, për të udhëhequr/sunduar më lehtë me qytetarët duke i mbajtur të lidhur me pushtetin.

Nga Serbia, pritet gjithmonë luftë hibride dhe jo vetëm, por edhe konvencionale, në rastin e parë historik dhe politik, po t’iu jepet.Serbia ka vazhduar të angazhohet në luftë hibride në Kosovë që nga çlirimi në vitin 1999, duke filluar me organizimin e “Rojeve të Urës” deri te rasti i “Banjes”.

Qeveria duhet të flasë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe për gatishmërinë luftarake nëse ka sinjale, dhe jo të flasë hapur për luftë.

Prandaj, ky është një kërcënim i vjetër, sa ekzistenca e dy kombëve tona, dhe asnjë tregues ushtarak ose gjeopolitik nuk është ndryshuar, përveç përparësive të sojit neokomunist që po përhapen dhe po bëhen kërcënim për shfarosjen e qytetarëve, me pretekstin, nëse nuk i rivotojmë ata.

Sa i përket natyrës së qeverisjes sonë, raportet ndërkombëtare për Kosovën, si ai i Freedom House dhe veçanërisht ai i Departamentit të Shtetit të SHBA, flasin me tone tëjet shqetësuese.

A nuk e vëren kjo qeveri se, me propaganden e revolucionit me shamija të kuqe dhe veprimet e tyre politike, po e bëjnë Kosovën një pikë të zezë në hartën e Evropës?!

Continue Reading

Shkrime

E vetmja dritë në fundin e tunelit të Metës janë…

Nga Namir Lapardhaja

Kjo ironia e sotme e Ilir Metës me 7×7=42, më kujton përmbytjen e Urës Vajgurore në vitin 2018.

Në atë kohë, doli lumi dhe i mori përpara të gjitha, të mbjellat, fushat, shtëpitë, balta u fut dhe notonte në dhomat e gjumit të banorëve. Gjithçka u përmbyt.

Siç e donte zakoni, Edi Rama u shfaq në fshatrat e përmbytur dhe një ndër banorët, tek shtëpia e të cilit kuzhina dhe dhoma e gjumit notonin në ujë, balta kishte arrit deri në tavan dhe gjithçka kishte dalë jashtë përdorimit, bëri të njëjtën batutë të Ilir Metës: “Hë, si tha ai në Parlament? 7×7=42!”

Edhe Ilir Meta sot vetëm se me dallimin që shtëpia e atij banori pas një farë kohe u pastrua nga uji dhe nga balta dhe me vështirësi, por iu rikthye normalitetit, ndërsa kjo përmbytje në “Shtëpinë e Lirisë”, kjo hata dhe ky qamet, kjo çmendje dhe kjo çmeritje, kjo marrje malesh dhe kjo nëmitje, kjo marrëzi dhe kjo babëzi, kjo frikë dhe kjo paudhësi, është e pashpresë, është e paudhë, është e pa shteg, është e parrugëdalje, është një përpjekje e kot drejt askundit, është një tunel në fund të së cilit e vetmja dritë që shfaqet janë prangat e Altin Dumanit dhe Sotir Kllapit.

Continue Reading

Shkrime

Rai 3 e fiku me një pikë…ujë gjithë entuziazmin e revolucionit

Nga Desada Metaj

Rai 3 nuk e transmetoi investigimin e paralajmëruar dhe e fiku me një pikë…ujë gjithë entuziazmin e revolucionit permanent që i kishte var shpresat se do mundte Ramën me reportazhin në italisht. Ata që duhet të denoncojnë, investigojnë dhe vënë para përgjegjësisë hajdutët e qeverisë si zakonisht përpiqen ti nxjerrin gështenjat me duart e raporteve, shkrimeve dhe analizave në gjuhë të huaj. Në reportazhin e para një jave kishte gjysëm të vërteta, por të gjitha ishin në funksion të luftës që e majta në Itali ka me kryeministren Meloni. Dhe sovranistët i varën shpresat tek luftërat e brendshme të shtetit italian. Këtu nis dhe mungesa e moralit për të bërë betejën e vërtetë me Ramën dhe jo show revolucionar drejtimin e të cilit e mori drejtori i TV publik të Italisë.
Nëse Rai-t do ti kishte pas merakun e korrupsionit mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre italianë mund të investigonte se sa ish zyrtarë të shtetit italian kanë blerë e gëzojnë prona në Shqipëri? Nga i kanë blerë? Me çfarë çmimi dhe si ka mundësi që shumë prej tyre u pasuruan gjatë misioneve në Shqipëri? Këtë kolegët e Rai-t për shkak të hapësirave dhe mundësive që kanë mund ta bëjnë më mirë se ne. Por që të na tregojnë se Rama mund tua lërë në mes investigimin nuk kemi nevojë. Për këtë kemi plot raste për ti “shijuar” në shqipen tonë të pastër
Nëse kishin merakun e sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, italianët mund të investigonin atë që një pjesë e medias shqiptare e ka bërë prej kohësh. Përfshirjen e Agaçit në skandalin e inceneratorëve. Në datën 16 dhjetor të vitit 2014, nën drejtimin e tij u përshpejtuan 17 procedura brenda ditës për inceneratorin e Elbasanit nga Këshilli i Ministrave.Engjëll Agaçi është personi zyrtar që ka detyrimin për të verifikuar ligjshmërinë e akteve. Ai është sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit, që verifikon përputhshmërinë ligjore të akteve që kalojnë në qeveri.
Sa më lart është shkruar e thënë veç në shqip me gjysëm zëri. Agaçi është gjithashtu zyrtari i lartë që u përfshi drejtëpërsëdrejti në presionin qeveritar për mbylljen e Agon channel.
Italianët kanë hallet e tyre dhe nuk bëhen shumë merak se si vjedhin shqiptarët njëri tjetrin. Në rastin e gjysëm investigimit ata thjesht përdorën entuziazmin e Gjobozitës shqiptare për t’u dukur si flamurtarë të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Sepse në thelb as Gjobozita nuk e do të vërtetën. Asaj i interesojnë vetëm zhurma dhe tollovia për t’u dukur sikur po lufton me Ramën ndërkohë që i rrit pazarin vetes për marrveshjen e radhës.
Italianët, anglezët, amerikanët, gjermanët e gjithë të tjerët nuk kanë bërë asgjë më shumë se ç’kanë thënë e kanë shkruar gazetarët shqiptarë. Këta të reportazhit të fundit thjesht kanë folur në italishten komuniste të Rai3. Dhe e lanë betejën në mes ndoshta për një çmim më të lartë se ai lokal. Kështu që Gjobozita, nëse i ka var shpresat se do luftojnë Ramën me investigime në anglisht, gjermanisht apo italisht më mirë të varet te ballkoni i shpresës e të presë se mos kap ndonjë thërrime nga ato që Rama ua hedh sa herë i nevojitet për t’u dukur krahasimisht më mirë se ta.

Continue Reading

Shkrime

Nuk e mbajnë më nervat Petkoviçin serb

“Jemi dëshmitarë se mosmarrëveshjet dhe konfliktet botërore kohët e fundit po bien mbi kurrizin e vendit dhe popullit tonë. Sponsorët e shtetit të vetëshpallur të Kosovës nuk po e shtyjnë Prishtinën në Këshillin e Evropës sepse i duan shumë shqiptarët, por sepse po konsolidojnë radhët e tyre për momentin kur pashmangshëm do t’u duhet të përballen me një realitet të ri gjeopolitik” – kështu deklaroi drejtori i Zyrës së Kosovën në qeverinë serbe,  Petar Petkovic.

Duke kujtuar se më 16-17 maj do diskutohet dhe votohet për pranimin e Kosovës në KiE, ai theksoi se do të jetë një betejë kundër atyre që, duke mos e konsideruar Serbinë, do të marrin vendime që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me interesat shtetërore dhe kombëtare serbe.

“Cilido qoftë rezultati, një gjë është e qartë – ne bëmë më të mirën në një luftë të fortë dhe të palëkundur. Dhe kjo, do të thoja, është më e rëndësishmja, sepse lufta për të ardhmen e Serbisë si një vend përparimtar dhe i lirë do të jetë afatgjatë” – deklaroi me nota krenari Petkoviç.

I pyetur se çfarë do të thotë hyrja e Kosovës në KiE, ai deklaroi se Këshilli i Evropës, nëse rrethanat do të ishin normale, as nuk do ta shqyrtonte çështjen e anëtarësimit.

“Sot jemi dëshmitarë se në një botë gjithnjë e më të polarizuar, po krijohen koalicione që bashkohen mbi interesa të përbashkëta dhe jo si nevojë e imperativit për të respektuar të drejtën ndërkombëtare. Në Këshillin e Evropës fjalën kryesore e kanë shtetet që e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës. Interesi i tyre është më i fortë se rregullat e brendshme të Keshillit te Europës. Ata madje janë gati t’i ndryshojnë deri edhe kuptimin,  një prej organizatave më të vjetra dhe më të respektuara ndërkombëtare, vetëm e vetëm për të realizuar axhendën e tyre politike” – theksoi Petkoviç

Ai gjithashtu tregoi se “në të kaluarën, kur respektoheshin dokumentet themeluese dhe rregullat e brendshme të organizatave ndërkombëtare, Serbia arriti ta pengonte Prishtinën të depërtonte në Interpol, UNESCO, Organizatën Botërore të Doganave dhe disa forume të tjera shumëpalëshe”.

“Tani nuk ka dyshim se i gjithë operacioni i futjes së të ashtuquajturit të vetëshpallur  shtetit të Kosovës në atë organizatë ndërkombëtare, drejtohet drejtpërdrejt kundër Serbisë dhe popullit serb. Por shumë do të habiten se edhe pse e vogël, Serbia e guximshme luftoi” – deklaroi Petkoviç……..

Duke iu kujtuar se në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të diskutojë gjithashtu propozimin për një rezolutë mbi gjenocidin në Srebrenicë dhe teksa Albin Kurti po e përdor shpesh fjalën gjenocid dhe kërcënon me padi Serbinë, I pyetur nga ‘Kurir’, se çfarë tjetër mund të pritet nga Prishtina zyrtare, Petkoviç potencoi: – Në rendin aktual unipolar, do ishte e vlefshme një fjalë e urtë popullore – kadiu të padit, kadiu të gjykon. Në këtë kuptim, asnjë situatë nuk mund të na habisë. Shumë njerëz sot në botë janë gjithnjë e më shumë nervozë për zhvillimin e ngjarjeve në nivel gjeopolitik, por shpresoj se po jetojmë në agimin e një bote të re dhe të ndryshme në të cilën të fuqishmit nuk do të jenë plotësisht të gjithëfuqishëm. Serbia dhe populli serb, mbi të gjitha bashkatdhetarët tanë në Kosovë, duhet të durojnë dhe jam i sigurt se rezultati do të jetë krejt ndryshe nga ai që dëshiron Albin Kurti – paqja dhe e ardhmja do të fitojë mbi dhunën dhe arrogancën. Serbia do të vazhdojë të zhvillohet, të forcohet dhe të luftojë për paqen në rajon, si dhe për përparimin ekonomik, i cili përveç sigurisë është një nga faktorët kyç për mbijetesën e serbëve në Kosovë. Nuk do të heqim dorë kurrë nga populli ynë!

Continue Reading

OPINION

“Veliaj është gati t’i japë SPAK-ut edhe godinën e Bashkisë, veç mos e arrestojnë”

Jurisati Ylli Manjani ka ironizuar deklaratën e djeshme të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në një prej televizioneve të tij, ku tha se ka bërë shumë për SPAK, duke e ndihmuar me dhënien e godinës së ish-Ujësjelljësit, në mënyrë që “kolegët e BKH-së, të punojnë në kushtet njerëzore”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani shkruan me ironi se Veliaj është i gatshëm t’i dhurojë edhe godinën e Bashkisë së Tiranës, SPAK-ut, vetëm që ata të mos e arrestojnë.

“Jo godinën e ujësjellësit por edhe godinën e bashkisë i jep SPAK-ut në këto momente AliBabVeliaj.

Mor po del në zyrë me qera në Vorë po qe nevoja, veç mos e arrestojnë…”, shkruan Manjani.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING