Kosova
Kosova ka nevojë për një qeveri që punon dhe që di të flasë me Amerikën për tu bërë ballë sfidave

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, ka deklaruar se Kosovës i duhet një qeveri funksionale, me aftësi për t’u përballur me sfidat në mënyrë të qëndrueshme dhe energjike.
Ai ka thënë se përtej problemeve që Kosova ka me Serbinë, duhet të jetë e gatshme të ballafaqohet edhe me sfida të tjera dhe se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë e aftë të bashkëpunojë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
I pyetur për deklaratën e presidentes Vjosa Osmanit, e cila u shpreh se presidenti Trump ka parandaluar së fundmi një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë, Fried theksoi se është gjithmonë ide e mirë të angazhohesh me administratën Trump.
Fried shtoi se për Kosovën është më së miri të angazhohet në drejtimin e duhur, dhe sipas tij, ky ishte edhe mesazhi që Osmani përcolli nga disa prej takimeve të saj në Uashington.
Ndërsa sa i përket mundësive të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së në mënyrë që Kosova të merret seriozisht si partnere ekonomike, Fried përmendi një qasje që mund të ndjekë vendi në këtë drejtim.
“Nuk e di se çfarë marrëveshjesh biznesi mund të ketë, por mendoj se një qasje agresive nga ana e Kosovës për zhvillimin e mundësive të biznesit mund të funksionojë. Dhe pastaj, kur ke disa rezultate, i promovon ato dhe tregon se Kosova është një vend i mirë për të bërë biznes”.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, së fundmi ka përmendur Kosovën dhe Serbinë si shembuj të aftësisë së tij për të zgjidhur konflikte. Ai ka deklaruar se kishte parandaluar një sulm potencial të Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa më herët ishte zotuar se do të korrigjonte gabimet e paraardhësit të tij, Joe Biden, në procesin e negociatave Kosovë–Serbi.

