Connect with us

Shkrime

Kosova nuk është më protektorat

Nga Enver Bytyçi

Pas pak ditësh Kosova feston 16 vjetorin e pavarësisë së saj. Shumica e banorëve atje janë të bindur se kjo pavarësi tashmë është një realitet gjeopolitik i pandryshueshëm. Ato çfarë u dhanë nga territori i Kosovës për Maqedoninë dhe Malin e Zi, tashmë nuk kthehen më, por ajo çfarë ka mbetur po mbrohet e duhet mbrojtur me dinjitet. Mbrojtjen e dinjitetshme te shtetësisë së Kosovës disa po e konsiderojnë “Kovovo-centrizëm”, për të cilën është akuzuar vazhdimisht presidentja Osmani, por kohët e fundit edhe Albin Kurti. Po të ishte gjallë, me këtë gjuhë do të flitej nga disa edhe për Ibrahim Rugovën.

Megjithatë unë besoj se Kosovo-centrizmi është një veprim politik i zgjuar në kushtet kur pavarësia ende nuk është përmbyllur juridikisht ndërkombëtarisht dhe kur liderëve të saj u duhet ta mbrojnë shtetësinë dhe lirinë e fituar me aq shumë gjak, sakrifica dhe sakrilegje. Nuk ka rrugë tjetër më të mirë se kjo. Historia ka dëshmuar se të qenit faktor i brendshëm garanton aleancat e jashtme. Nuk e di se çfarë do të thonë kritikët e “Kosovo-centrizmit” dhe çfarë kuptojnë ata me këtë kritikë që e hedhin në tregun mediatik. Nëse kanë në shënjestër qëndrimet e autoriteteve të Kosovës në mbrojtje të kushtetutës, ligjit, të drejtës shtetërore dhe demokratike, atëherë është më mirë që të rekomandojnë rikthimin e Kosovës në statusin e vendit protektorat i dikujt.

Nëse Kosova do të bëhej përshembull protektorat i Amerikës, i Britanisë së Madhe, i Gjermanisë apo i Bashkimit Europian, atëherë protektori do të merrte atributet e mbrojtjes së territorit të saj, të lirisë dhe demokracisë perendimore në këtë vend. Që do të thotë se protektori, qoftë dhe për dinjitetin e tij, nuk do të bënte lëshime ndaj agresionit serb në Kosovë dhe përpjekjeve të Beogradit për ta ndarë territorin e saj. Nëse një nga vendet ose të gjitha së bashku do të merrnin rolin e protektorit ndaj Kosovës, ato do kujdeseshin më mirë sesa sot për fatin e saj. Kjo është e sigurt. Prandaj, po të bëhej një referendum, shqiptarët mund të votonin një gjë të tillë.

Por tani është vonë. Janë 16 vite pavarësi. Procesi nuk mund të kthehet mbrapsht. Kosova nuk është protektorat. Çka do të thotë se ajo është faktor e subjekt i pavarur edhe në pikëpamje ndërkombëtare, nëse kemi parasysh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010. Sa më i konsoliduar të jetë shteti i Kosovës, sa më e zhvilluar drejtësia dhe demokracia në Kosovë, aq më shumë ajo rritet e bëhet faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në Europën Juglindore dhe në kontinentin europian. Sa më e dobët të jetë ajo, aq më shumë shtohen shanset që të rrënohet shtetësia e saj dhe të cënohet paqja në rajon. Nëse Kosova vazhdon të konsolidohet, rruga e vetme e saj në këtë synim është ligjishmëria dhe shteti i së drejtës. Gjithashtu konsolidimi i lirisë dhe demokracisë. Shteti i së drejtës nuk pajtohet as me diskriminimin e ashtuquajtur pozitiv. Sepse çdo diskriminim i tillë në favor të një grupi popullsie, prish ekuilibrat dhe harmoninë kombëtare.

Ndaj dhe veprimet e zotit Kurti në rastin e sotëm për dinarin janë të kësaj natyre. Çdo masë për të kontrolluar territorin dhe për të zbatuar kushtetutën dhe ligjin rrit kredencialet e lirisë, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit territorial. Por jo vetëm kaq! Konsolidimi i shtetësisë e lehtëson punën e aleatëve të Kosovës. Së jashtmi duket sikur ka konflikt midis vendimit të BQK-së për dinarin serb dhe rekomandimeve të SHBA-ve apo kundërshtimeve të Francës. Por në fakt ky vendim e bën më të lehtë punën e interlokutorëve euro-amerikanë për paqe midis Kosovës dhe Serbisë. Në fund të fundit çdo vendimmarrje ndikohet në mënyrë solidare nga situata në terren. Nëse veriu i Kosovës do binte në duart e terroristëve të 24 shtatorit, kur sulmuan policinë e saj në Banjskë, atëherë vendimmarrja do vështirësohej shumë për zgjidhjen e këtij konflikti. Sepse presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të kërkonte koncensione të papranueshme në katër komunat e veriut në kuadër të projektit të tij të “Botës serbe”! Në kushtet e asgjësimit të kësaj bande terroriste të Serbisë, komuniteti ndërkombëtar e ka më të lehtë ta bindë kreun e shtetit serb, se nuk mund ta ndihëmojnë në këtë aventurë!

Kurti, Osmani dhe të tjerët nuk po bëjnë gjë tjetër, vetëm se po e lehtësojnë dialogun Kosovë-Serbi për të shkuar te një marrëveshje e pranueshme, e cila njeh përfundimit shtetësinë e Kosovës, 16 vjetorin e të cilit banorët e saj e festojnë të shtunën e ardhshme! Nëse kjo quhet “Kosovo-centrizëm”, atëherë provohet me fakte se ai është i shëndetshëm për vendin.

 

 

 

 

Advertisement