Connect with us

Aktualitet

Kthimi i Gjadrit në qendër ndalimi, Human Right Watch kritikon dekretin e Melonit

Senati italian dhe Bashkimi Evropian miratuan dekretin e kryeministres Giorgia Meloni për të kthyer qendrat e pritjes në Gjadër për të transferuar emigrantët që janë në procedura azili. Por, menjëherë pas kësaj ka reaguar Organizata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut (Huma Rights Watch). Sipas HËS, ky ndryshim është problematik dhe do të rrisë problemet që ekzistojnë në qendra të tjera të ngjashme të ndalimit brenda Italisë. Sipas dekretit, emigrantët do të qëndrojnë në këto qendra për 18 muaj, ndërsa atyre që do iu refuzohet kërkesa do të kthehen në vendin e tyre.

“Hapja e një qendre të tillë në Shqipëri do të përsërisë problemet që tashmë janë evidentuar në Itali, por gjithashtu do të shtojë edhe sfida të reja, si pengimi i aksesit në ndihmë ligjore, çka mund të minojë llogaridhënien në rastet kur ka akuza për abuzime”, tha në një deklaratë Judith Sunderland, drejtoreshë për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch.

Qendrat e pritjes në Gjadër u ndërtuan në bazë të një marrëveshje të arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe homologës së tij italiane, Giorgia Meloni në vitin 2023. Ndërtimi i këtyre qendrave kishte si qëllim strehimin dhe përpunimin e dokumenteve të azilkërkuesve meshkuj nga vende të konsideruara të sigurta, të cilët ndaloheshin ose shpëtoheshin në det nga anijet italiane.

Ata do të zbarkonin direkt në Shqipëri dhe do t’i nënshtroheshin një procedure të përshpejtuar për azil, nën supozimin se nuk kishin nevojë për mbrojtje. Por, për shkak të bllokimit të marrëveshjes nga gjykatat italiane, qeveria është detyruar të rikthejë në Itali emigrantët që u dërgusn në Shqipëri. Gjykata Evropiane e Drejtësisë pritet të japë një vendim për këtë çështje, por ndërkohë objektet e ndërtuara, që kanë kushtuar deri tani 65 milionë euro, kanë mbetur bosh.

Por HRW vë në dukje se ky dekret mund të përkeqësojë situatën e emigrantëve, ndërsa thekson se qendrat e ndalimit, të quajtuara ndryshe CPR në Itali kanë tashmë një mori problemesh.

“Një raport i vitit 2021 i përshkroi këto qendra si “vrima të zeza”, ndërsa një raport i publikuar në vitin 2024 i denoncoi ato si një sistem të shtrenjtë dhe çnjerëzor”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Humans Rights Watch.

Sipas organizatës nuk ka asnjë tregues që kjo lëvizje do ta bëjë më të lehtë pranimin e të dëbuarve nga vendet e origjinës – një nga pengesat kryesore për realizimin e dëbimeve. Organizata thotë se përpjekjet e vendeve të Bashkimit Europian për të transferuar emigrantë në vende të treta është çnjerëzore.

“Përpjekjet për të zhvendosur përgjegjësinë dhe për t’i larguar emigrantët nga sytë e publikut janë mizore dhe jorealiste”, thuhet në deklaratë.

Në një tentativë për t’i hapur qendrat, më 28 mars, qeveria italiane miratoi një dekret të ri, i cili e lejon përdorimin e këtyre strukturave për të strehuar emigrantë pa dokumente që ndodhen aktualisht në Itali, dhe ndaj të cilëve është lëshuar urdhër dëbimi.

Deri më tani qendrat pritëse janë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Por deri më tani qendrat janë bosh.

Advertisement