Connect with us

Kosova

Kuleba MISH PER TOP, shuplakë në fytyrën e Rusisë apo mashtrimi i rradhës i Vuçiçit

Vizita e ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në Beograd tërhoqi shumë vëmendjen e mediave dhe analistëve, duke ngritur pyetjen nëse presidenti serb Aleksandër Vuçiç do përpiqet edhe një herë të mashtrojë Perëndimin.

Presidenti serb aktualisht po bën dy beteja në arenën ndërkombëtare, të parën që ka të bëjë me rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë që sigurisht e ka humbur, dhe të dytën me Kosovën dhe mbi të gjitha anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, mesa duket e ka fituar.

Sipas Klix, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shtyhet pas aktiviteteve të fundit diplomatike të ndërmarra nga Vuçiç.

Sipas AP, Franca si anëtare e Këshillit të Evropës ka kërkuar që të shtyhet pranimi i Kosovës për shkak se qeveria e Albin Kurtit nuk ka ndërmarrë hapa drejt formimit të Komunitetit të Komunave Serbe, dhe duket se këtij propozimi i janë bashkuar Gjermania dhe Italia.

Nuk është rastësi që një nga temat e vizitës së ministrit të Jashtëm të Ukrainës ishte integriteti territorial i të dy vendeve.

Kuleba u takua fillimisht me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, më pas u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, kryeministrin Millosh Vuçeviç dhe kryetaren e Kuvendit Ana Brnabiç.

Në bisedime u theksua se të dyja vendet këmbëngulin në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe integritetit territorial të secilit shtet.

Në janar, në një konferencë në Tiranë, Vuçiç theksoi rëndësinë që Serbia të mbajë marrëdhënie të mira me Ukrainën, sepse ajo ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e cila përndryshe, theksoi ai, do të çonte në ndryshimin pizicionit të paktën dy vendeve të tjera evropiane.

Edhe pse vetë mbështetja e Ukrainës nuk është për t’u refuzuar, Vuçiç do ta përdorë këtë vizitë për të zemëruar edhe një herë Perëndimin dhe, sipas shumëkujt, për ta mashtruar përsëri.

Një lloj konfirmimi për këtë është shkrimi i mediave në gjuhën gjermane, të cilët shkruajnë në kor për “shuplakën në fytyrë të Rusisë”.

Kurier-i austriak shkruan se vizita e Kuleba “interpretohet si një sinjal i largimit të qeverisë serbe nga Rusia, aleati i saj i përjetshëm”. Por do të ishte vërtet naive të supozohej se Vuçiç do të prishë papritur të gjitha lidhjet me Kremlinin.

Aq më tepër që vetëm pak javë më parë u formua Qeveria e re e Serbisë, në të cilën bëjnë pjesë dy persona nga lista e zezë amerikane, pikërisht për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.

Aleksandar Vulin, një ish-oficer i inteligjencës i njohur për pikëpamjet e tij pro-ruse, për të cilat mori çmimin e duhur nga Kremlini, mban shoqëri me Nenad Popoviçin, themeluesin e Partisë Popullore Serbe euroskeptike, e cila prej vitesh konsiderohet si zëri i Rusisë në skenën politike serbe.

Mediat ruse vërtet i kushtuan shumë vëmendje vizitës së Kuleba-s dhe Zelenska-s në Beograd, por të gjitha i qëndruan raportimit faktik dhe nuk u futën në pasojat e mundshme që sjell.

Mbetet për t’u parë nëse Vuçiç do të arrijë të mashtrojë përsëri Perëndimin dhe të mbajë një ekuilibër midis interesave të ndryshme gjeopolitike. Por fakti është se Perëndimi po lejon kërcimin në “dy dasma” dhe ende nuk ka vija të kuqe të përcaktuara qartë për presidentin serb

Advertisement