Connect with us

Shkrime

Kurti, ‘qeveria e budallenjve’ dhe SHBA-ja

Editorial NTV.AL – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se njohja nga Serbia është në planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe se kërkon nga kryeministri Albin Kurti që t’i tregojë Kosovës nëse e pranon këtë plan, pasi deri më tani nuk ka dhënë asnjëherë përgjigje definitive.

Haradinaj konfirmoi gjithashtu pjesëmarrjen e partisë së tij më 31 janar në takimin e ftuar nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, me temë Asociacionin teksa dhe ka akuzuar Kurtin se përmes qasjes së gabuar, ai dhe qeveria e tij, të cilën më 28 janar e quajti, ‘shtëpi budallenjsh të qëllimshëm’, kanë sjellë Asociacionin në qendër të marrëveshjes me Serbinë.

Sipas kreut të AAK, amerikanët po angazhohen në mënyrë strategjike që t’ia bëjë më të lehtë Kurtit themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe në këtë mënyrë ti iki përgjegjësisë nesër e të thotë – “Nuk e bëra unë…ma bënë ata…ma bënë këta”

Sipas Haradinaj, në planin e BE-së, apo të ashtuquajturin planin franko-gjerman për dialogun, është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë, pasi Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar dhe hap perspektivën për partneritet për paqe.

“E vetmja gjë që mungon është bilateralja, vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Pra Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar, bashkëpunon me Kosovën si shtet i pavarur me të gjitha të drejtat e barabarta midis dy vendeve. Kjo hap perspektivë për partneritet për paqe dhe ecim përpara” – tha Haradinaj

Sipas Haradinaj, dëshira do ishte që Kosova të kishte mundësi të përfitonte më shumë nga propozimi europian, por sipas tij kjo është e pamundur me këtë kryeministër, i cili po e kthen Kosovën pas. Sipas tij, Albin Kurti është njëriu i gabuar për Kosovën

Për Ramush Haradinajn, agjenda e Kurtit kundër Kosovës i ka dhënë efektet e para me planin për zëvendësimin e targave ilagale serbe, plan që në fakt dështoi. Tjetër efekt me fuqinë e barrikaduesve që ai nuk mundi ti hiqte, por u desh të negocionte dikush për lirimin nga burgu të policit serb Pantiç, që ato të largoheshin. Dhe krye efekti, tani që Ambasada e SHBA thërret një takim për asociacionin më 31 janar, teksa kjo duhej të ishte temë e qeverisë së Kosovës

“Të gjitha këto janë qasja dhe agjenda e gabuar e Albin Kurtit kundër Kosovës dhe në shërbim të Serbisë dhe Rusisë” – deklaroi Haradinaj

Pavarësisht kësaj, kreu i AAK  thotë se ShBA-ja nuk po kërkon themelimin e Asociacionit para marrëveshjes finale me Serbinë, por po insiston për ta kthyer gjendjen në veri në normale, pas asaj që bëri Albin kurti me target.

“SHBA nuk po e do Asociacionin, por është e detyruar ta kërkoj të bëhet, për të mbuluar budallallëqet dhe humbjet e këtij njëriu” – tha Haradinaj

Sipas tij, Albin Kurti është duke punuar intensivisht kundër Kosovës

Ndërkohë Ambasada amerikane në Prishtinë ka treguar se në takimin e fundjanarit ka ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, por jo Albin Kurtin, për të diskutuar për asociacionin. Ambasada ka thënë se synim i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Sipas analistëve në Kosovë, kjo është vazhdimësi e kërkesave që partnerët e Kosovës kanë bërë për themelimin e Asociacionit si parakusht për zhbllokimin e ngërçit në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, vazhdimin e dialogut dhe përmbylljen e këtij procesi siç është paralajmëruar në fillim të këtij viti.

Ata thonë se Republika e Kosovës ka marrë obligim themelimin e Asociacionit fillimisht në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja e parë për Asociacionin dhe më pas në 2015 pas rishikimit të marrëveshjes. Tani Kosovës nuk i mbetet tjetër veç të rregulloi me kushtetutën disa pika të marrëveshjes dhe ta zbatojë nën garancinë e SHBA për mosformimin e një tjetër “Republika serbska”.

Për shumë njohës të politikës ballkanike, zgjatja e mëtejme e kësaj çështjeje do sjellë vetëm momentume të pafavorshme për Kosovën si dhe rritje të trysnisë ndërkombëtare.

Sipas tyre, “Nëse Asociacioni do të formohej me kohë dhe duke iu përmbajtur marrëveshjes së vitit 2015, të cilën e ka pranuar edhe pala serbe, nuk do të arrihej në një pikë kur po diskutohet deri dhe autonomia për veriun.

 

 

 

Advertisement