Kosova
Kurti votohet nga VV si kryeministër, prezanton në Këshillin e Përgjithshëm programin e qeverisë në mandatin e ri

Albin Kurti është votuar unanimisht për kryeministër i Qeverisë së Kosovës, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në fjalimin e tij, Kurti premtoi se mandatin e ardhshëm, transporti publik është ndër fushat që kërkohet shumë angazhim.
“Do të nisim me përjetësimin e programit anembanë. Do të krijojmë rrjet të integruar në gjithë territorin e vendit.
Bileta do të jetë e subvencionueshme dhe me 10 euro të gjithë do të jenë në gjendje të udhëtojnë anembanë. Do të investojmë mbi gjysmë miliardi euro në Brezovicë. Do të sigurohemi që të bëhet e famshme në mbarë botën. Do të mbështesim sipërmarrësit e diasporës”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se në mandatin e ri do të mbështeten gjyshërit e secilës familje që ka fëmijë.
Gjithashtu ai shtoi se gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat do të marrin 100 euro shtesë çdo muaj.
“Paga minimale do të rritet mbi 500 euro. Për veturat e importuara nga BE-ja do të heqim taksën për 10 për qind.
Do ta themelojmë fondin e sigurimeve shoqërore nga i cili do të themelohet pagesa për pushimin e lehonisë. Në mandatin e ri do të shtojmë bursat e mobilitetit. Do të dyfishojmë buxhetin e bursave. Do të nisim ciklin e boneve për fëmijët që hyjnë në kopshtet private”, ka thënë ai.

