Connect with us

Bota

Kush do ta udhëheqë Kishën Katolike? Konklava më e madhe në histori ka nisur sot në Vatikan

“Ai donte një Kishë që të ishte shtëpi për të gjithë, për të gjithë, për të gjithë.”
Me këto fjalë, Kardinali Giovanni Battista Re, gjatë funeralit të Papa Françeskut, vendosi një vizion të qartë për të ardhmen e Kishës Katolike. Pasardhësi i Papa Françeskut, kushdo qoftë ai, nuk mund të largohet nga ideali i një Kishe të hapur për këdo që troket në derën e saj.

Sot, më 7 maj, ora 16:30, fillon një nga momentet më historike dhe më të pasigurta të epokës moderne: konklava më e madhe ndonjëherë për zgjedhjen e Papës së 267-të të Kishës Katolike. Votimi i parë pritet rreth tre orë pas fillimit të mbledhjes, në përputhje me ritet e lashta që shoqërojnë këtë proces solemn. Derisa të dalë tymi i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine, botën do ta mbulojë pritja, pasiguria dhe shpresa.

Konklava mbetet një nga proceset më të ruajtura me xhelozi në botë. Me origjinë nga latinishtja con clavis (me çelës), ai zhvillohet pas dyerve të mbyllura, nën afresket madhështore të Michelangelo-s në Kapelën Sistine. 133 kardinalë (me dy mungesa për arsye shëndetësore) janë thirrur për të votuar. Për të zgjedhur Papën e ri, nevojiten 2/3 e votave — pra, 89 vota.

Përveç solemnitetit fetar, konklava ka frymëzuar edhe letërsinë dhe kinemanë. Kjo ndjesi pezullimi dhe misteri, që sot ndodh në realitet, ka qenë temë e shumë filmave të njohur, si “Conclave” i Edward Berger, i cili përshkruan përplasjet brenda murit të heshtur të Vatikanit, por edhe përpjekjet për ta bërë Kishën më të hapur, më mëshirëplotë dhe më pranë realitetit.

Midis realitetit dhe kinemasë

Filmi i ri “Conclave” (me Ralph Fiennes, Stanley Tucci, John Lithgow dhe Isabella Rossellini) përshkruan tensionet dhe prapaskenat në zgjedhjen e një Pape pas vdekjes së papritur të paraardhësit të tij, duke pasqyruar dilemat morale, rivalitetet dhe pyetjen thelbësore: “A mundet një Papë të mëkatojë dhe të kërkojë falje?”

Por nuk është i vetmi film që prek temën. Që nga “Kardinali” (1963) që trajtonte temat tabu për Kishën, te “Këpucët e Peshkatarit” që pasqyronte tensionet gjatë Luftës së Ftohtë, e deri te “Habemus Papam” i Nanni Moretti, që portretizon një Papë të sapozgjedhur që përjeton panik dhe refuzon detyrën e tij.

Kisha përballë sfidave të epokës moderne

Pavarësisht sharmit kinematografik, realiteti i konklavës mbetet shumë më kompleks. Kjo është një Kishë që kërkon të mbijetojë midis krizave morale, skandaleve të së kaluarës dhe sfidave moderne: çështjet gjinore, barazi, drejtësi sociale dhe përfshirje. Papa Françesku tentoi të përballonte këto sfida me përulësi dhe kurajë, duke lënë një trashëgimi të guximshme.

Tani, kardinalët nga të gjithë kontinentet janë përballë një detyre të rëndësishme, të zgjedhin një lider që jo vetëm do të ruajë traditën, por do të ketë kurajën të përqafojë të ardhmen. Një Papë që, siç thotë një personazh në filmin “Conclave”, “të ketë dyshim, të mëkatojë, të kërkojë falje dhe të vazhdojë përpara”.

Advertisement