Connect with us

Shkrime

Kushtet e Kurtit ‘gozhdojnë’ Vuçiçin në kryqin e mëkatit serb

Formalizimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës zyrtare të ish-kryeministres së Serbisë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe dorëzimi i Milan Radojiçiç dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet kosovare, ishin së fundmi tri kushtet e paraqitura nga ana e kryeministrit, Albin Kurtit, për angazhimin e mëtejmë të Kosovës në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Takimi i nivelit të lartë të dialogut i 26 qershorit përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, meqë Kurti refuzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pa plotësimin e këtyre tri kushteve.

Por, sa janë relevante këto kushte të paraqitura nga ana e Kurtit?

Kushti i parë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nga krerët e shteteve dhe qeverive, të cilit Borrell, iu referua si “kusht i vjetër”, sipas Unionit, është i paqëndrueshëm, meqë në vlerësimin e tyre Ujdia është ligjërisht obliguese edhe pa nënshkrimin e saj, meqë palët kanë dhënë përkushtimin e tyre “për ta zbatuar”.

Përveç kësaj, Marrëveshja si e tillë – pa nënshkrim – është bërë pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Union. Që Marrëveshja Bazë nuk kërkon nënshkrim, përveç BE-së, është potencuar në shumë raste të ndryshme edhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kushti i dytë i Kurtit mund të konsiderohet se nuk ka kredibilitet, meqë ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, kishte konfirmuar muaj më parë se letra e Bërnabiç ishte tërhequr. Ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, më 13 dhjetor të vitit të kaluar i kishte dërguar një letër BE-së, ku potencohej se Serbia praktikisht ka hequr dorë nga Marrëveshje e Arritura me Kosovën.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, top diplomati amerikan, kishte njoftuar se “varianti i parë i letrës, që hodhi poshtë (marrëveshjen), është tërhequr”.

Që kushti i dytë i Kurtit është jo-relevante, kushtimisht e tha edhe diplomati spanjoll, kur deklaroi se “ne ende po flasim për gjërat që kanë ndodhur gjashtë muaj më parë”.

Dorëzimi i krye-terroristit Milan Radojiçiç dhe grupit të tij paramilitar i cili organizoi sulmi terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoriteteve kosovare që të njëjtit të dalin të dënohen në Kosovë, mund të ndodhë, vetëm nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje bilaterale për ekstradimin e kriminelëve – gjë që nuk ekziston.

Me këto kushte, Kurti, tha se Kosova po e mbron Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit, të cilat në vlerësimin e tij, janë “nën sulm”, ndërsa paradoksalisht njoftoi se zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, do të takohet me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç-in, javën tjetër pikërisht për të diskutuar për rrugën përpara për zbatimin e Ujdisë, ndonëse kushtet e tij nuk janë zbatuar.

Advertisement