Bota
LAJM I MIRË/ Vaksina e Oksfordit nxit imunitet tek të moshuarit
Vaksina kundër koronavirusit e Universitetit të Oksfordit ka nxitur imunitet tek të moshuarit prej 60 deri 70 vjeç, duke rritur shpresat se mund të mbrojë grupmoshat më të rrezikuara nga virusi.
Studiuesit thonë se testimet e fazes së dytë, bazuar në 560 vullnetarë, janë “inkurajuese”.
Ata po testojnë gjithashtu nëse vaksina ndalon njerëzit të zhvillojnë COVID-19, një provë e fazës së tretë.
Rezultatet e hershme nga kjo fazë e rëndësishme priten në javët e ardhshme.
Tre vaksina, ajo e Pfizer-BioNTech, Sputnik dhe Moderna, kanë raportuar tashmë të dhëna të mira paraprake nga provat e fazës së tretë. Njëra prej tyre tha se vaksina e saj është efektive deri në 94% te personat mbi 65 vjeç.
Britania e Madhe tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, të prodhuara nga AstraZeneca, 40 milionë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech dhe pesë milionë të vaksinës së kompanisë Moderna, transmeton BBC.
Sfida me zhvillimin e një vaksine kundër COVID-19 është që të nxisë trupin për të luftuar kundër virusit, pa marrë parasysh sa vjeç është dikush.
Për shkak se të moshuarit kanë sistem më të dobët të imunitetit, kjo nënkupton se vaksinat nuk priren të funksionojnë ashtu si funksionojnë te të rinjtë.
Këto rezultate të provave nga Universiteti i Oksfordit sugjerojnë se kjo mund të mos jetë problem.
Ato tregojnë se të moshuarit e moshës 56-69 dhe mbi 70 kishin një përgjigje të ngjashme imune sikur ata moshës 18-55.
Më herët drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se, vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur pandeminë e koronavirusit të ri.
“Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t’i zëvendësojë ato”, tha Ghebreyesus në një takim të Këshillit Ekzekutiv të OBSH-së.
Prandaj, ai bëri thirrje që masat për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, të tilla si testimi, karantina dhe monitorimi i kontakteve, të mos shfuqizohen para kohe.