Connect with us

Shkrime

Lajme jo të mira për Ukrainën, Europën dhe NATO-n

Nga Plator Kalakula

Fillimisht, të mërkurën paradite Presidenti Trump njoftoi se zhvilloi një bisedë telefonike prej 90 minutash me Presidentin Putin, e para e konfirmuar zyrtarisht nga të dy palët. Si Uashingtoni ashtu dhe Moska e përshkruan pozitivisht bisedën ndërkohë që në një postim në rrjetin “Truth Social”, Presidenti i SHBA-ve shkroi se të dy liderët kishin biseduar mbi Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificale, fuqinë e dollarit dhe cështje të tjera të pa specifikuara. Ai e cilësoi bisedën si tepër produktive duke shtuar se Presidenti Putin ndante me të objektivin për ti dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Trump u shpreh më tej se kishin rënë dakord të punonin ngushtë së bashku, duke përfshirë dhe vizita reciproke në Moskë dhe Uashington, dhe se ishin dakordësuar që ekipet e tyre përkatëse të fillonin menjëherë punën. Trump njoftoi më tej se ai do ta informonte menjëherë Presidentin Zelenski reth bisedës së lartpërmendur telefonike.

Ky i fundit u mundua ta paraqiste pozitivisht situatën duke e cilësuar si kuptimplotë bisedën telefonike me Presidentin Trump. Presidenti i Ukrainës shtoi se askush se do paqen më shumë se vend tij dhe se Ukraina së bashku me SHBA-të po përcakton hapat e përbashkët për të ndalur agresionin rus dhe për të siguruar një paqe të qendrueshme dhe jetëgjatë. Por një ditë me vonë, Zelenski e korrigjoi këtë version optimist duke deklaruar se vendi i tij nuk do të pranojë asnjë marrëveshje paqe të dakordësuar mes SHBA-ve dhe Rusisë pa përfshirjen e Kievit.

Ndërkohë që Presidenti i SHBA-ve, ka premtuar se do t’i japë fund me shpejtësi luftës e cila, sipas tij, po u kushton shumë taksapaguesve amerikanë, bisedat e mësipërme telefonike si dhe pjesmarrja e zyrtarve të lartë amerikanë në aktivitet e rëndëishme politike në Europë si takimi i Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s apo Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku marrin pjesë Zëvendëspresidenti Vance dhe Sekretari i Shtetit Rubio, hedhin dritë mbi elementet e planit të paqes të Presidentit Trump dhe mbi angazhimet strategjike amerikane megjithse duhet thënë se është e vështirë që në to të shohësh zhvillime pozitive për Ukrainën,  për vetë Europën si dhe për NATO-n.

Kështu, duket se Ukrainës do ti mbyllen dyert e NATO-s ndërkohë që Kievit do ti duhet të bëjë koncesione të dhimbshme territoriale, një fakt i shprehur qartë nga vetë Presidenti Trump të mërkurën në një takim me gazetarët në zyrën ovale të shtëpisë së bardhë, ku ai deklaroi se nuk ishte i mendimit se Ukraina do të mund të antarësohej në NATO dhe se nuk kishte gjasa që ajo të rimerrte të gjithë territoret e saj.

Po të mërkurën, në mënyrë analoge dhe paksa më të elaboruar, u shpreh dhe Sekretari i ri i Mbrojtjes, Hegseth, në kuadër të takimit të të tij të parë në Bruksel me Grupin e Kontaktit për Ukrainën ku ai deklaroi se rikthimi i Ukrainës në kufijtë e vitit 2014 nuk është realist dhe se SHBA-të nuk besojnë që anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte një rezultat realist i një zgjidhjeje të negociuar.

Kështu, duket se merr fund mundësia e antarësimit të Ukrainës në NATO, e cila zë fill që pas premtimit politik të njohur të bërë nga Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive të vendeve të NATO-s në Samitin e Bukureshtit të vitit 2008. Pavarësisht se që prej asaj kohe ky premtim mbeti thjeshtë në letër, kryesisht për shkak të presionit rus mbi vendet kryesore aleate dhe mungesës së konsensusit të nevojshëm, vendet e NATO-s janë shprehur deri tani se Rusia nuk mund të ketë të drejtën e vetos për zgjerimin e mëtejshëm të Aleancës dhe se vetëm Ukraina dhe NATO, mund të përcaktojnë çështjen e anëtarësimit të saj eventual në NATO.

Mbi bazën e këtij qëndrimi parimor, vendet e NATO-s refuzuan në dhjetor 2021, në një kohë kur tensionet mes NATO-s dhe Rusisë ishin rritur ndjeshëm dhe kur shtimi i numrit të trupave ruse pranë Ukrainës ngjalli në Perëndim frikën e një sulmi të rus mbi Ukrainën, një projekt-marrëveshje sigurie të propozuar nga Rusia, neni 6 i së cilës  përmbante në fakt dhe kërkesën thelbësore të Rusisë që vendet aleate të zotoheshin se nuk do to ketë zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe veçanërisht anëtarësim të Ukrainës.

Dhe tani, pas thuajse tre vitesh luftë shkatërrimtare dhe shumë gjak të derdhur nga të dyja palët, duket se Moska pa filluar ende negociatat arrin fitoren strategjike të cilën vijoi ta kërkonte me ngulm që prej vitit 2008 ndërsa për Ukrainën kjo është një kafshatë tepër e hidhur për tu gëlltitur pasi i varros thuajse përfundimisht shpresat e saj për një të ardhme më të sigurtë dhe jo nën diktatin rus.

Ndërkohë, europianët cfaqen të irrituar nga ato që ata po i cilësojnë ndaj koncensioneve të Presidentit Trump ndaj Rusisë, ndërsa nuk është e qartë nëse kësaj të fundit do ti kërkohet të bëjë ndonjë koncesion, dhe deklarojnë se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohej nëse ata dhe ukrainasit, nuk përfshihen në negociata. Kështu, Përfaqësueja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe atë të Sigurisë, Kallas, u shpreh se cdo zgjidhje e shpejtë është një marrëveshje e padrejtë duke kritikuar njëherësh lëshimet ndaj Moskës. Të mërkurën, shtatë vende europiane, përfshirë Brianinë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë insistuan publikisht që të jenë pjesë e cdo negociate mbi të ardhmen e Ukrainës. Në deklaratën e përbashkët, e cila pasoi takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të larpërmendura në Paris, ata theksuan se objektivi i përbashkët është vendosja e Ukrainës në një pozicion force në negociatat duke shtuar se Ukraina dhe Europe duhet të jenë palë e cdo negociatë në fjalë.

Ndërsa përgjigja e administratës amerikane lidhur me thirrjet e europianëve për garanci të forta sigurie për Ukrainën erdhi nëpërmjet Sekretarit të Mbrojtjes Hegseth i cili në takimin e tij të parë në NATO, u shpreh qartë se SHBA-të nuk e kanë më prioritet as sigurinë europiane dhe as atë të Ukrainës dhe se vëmendja strategjike e administrates aktuale është tashmë tek siguria e kufijve amerikanë dhe prandalim i një lufte eventuale me Kinën. Zyrtari i lartë amerikan deklaroi se një paqe afatgjatë për Ukrainën duhet të përfshijë garanci të forta sigurie që lufta të mos fillojë sërish por theksoi se çdo garanci e tillë për Ukrainën do të duhet të ofrohet nga trupa evropiane dhe jo evropiane duke deklaruar se SHBA-të nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë. Ai elaboroi më tej duke theksë se trupat e mundshme paqeruajtëse në Ukrainë nuk do të jenë në kuadër të një misioni të NATO-s, nuk do të mbulohen nga neni 5 i Traktatit të Ushingtonit. Këto sigurisht janë lajme të mira për Rusinë pasi ajo ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që një forcë e NATO-s të mund të mbikqyrte në terren një marrëveshje të mundshme paqe.

Kështu, ndërsa Europa përballet me tarifa të shtuara amerikane dhe një luftë të mundshme tregëtare me SHBA-të, Hegseth u kërkoi europianëve që të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake, të rrisin prodhimin e armatimeve, ti dhurojnë më tepër armatime moderne Ukrainës, ndërkohë që SHBA-të i kërkojnë Kievit mineralet e ralla si shpërblim, të marrin përsipër sigurinë e Ukrainës duke vendosur trupa në vijën ndarëse mes palëve ndërluftuese, dhe në një kuadër më të gjerë strategjik të marrin përsipër në NATO barrën kryesore të mbrojtjes dhe shkurajimit nga Lindja. Dhe natyrisht, Sekretari amerikan i Mbrojtjes nuk la pa theksuar kerkesën e njohur të Presidentit Trump që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet e Mbrojtjes në 5 përqind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto. Por është e qartë që në situatën aktuale europianët e kanë thjeshtë të pamundur ti përmbushin të gjitha këo kërkesa amerikane pasi nuk kanë as burimet e duhura financiare, as ato ushtarake dhe as kohezionin e nevojshëm politik.

Qëndrimi i ri amerikan natyrisht prek direk edhe NATO-n pavarësisht konsideratatave në dukje pozitive që Sekretari i Mbrojtjes Hesgeth bëri për vijimësine saj. Por Hegseth i paralajmëroi gjithashtu aleatët se SHBA-të nuk do të tolerojnë më një marrëdhënie që nuk është e balancuar duke ju referuar kërkesës së lartpërmendur të Presidentit Trump për më shumë shpenzime të Europës në Mbrojtje. Përgjatë ekzistencës së saj NATO është bazuar tradicionalisht në solidaritetin Transatlantik dhe në kontributin e pazëvëndësueshëm ushtarak dhe financiar amerikan. Akualisht SHBA-të kanë në Europë 100 mijë trupa, baza ajrore, asete detare dhe inteligjence. Në terma finaciare SHBA-të shpenzojnë cdo vit për mbrojtjen më se 900 milardë dollarë ndërkohë që anëtarët evropianë të NATO-s së bashku kapin dicka më tepër se 500 miliardë dollarë.

Por që prej kwsaj jave, si solidariteti transatlantik ashtu dhe kontributi tradicional dhe thelbësor ushtarak amerikan në NATO janë vënë publikisht në diskutim. Dhe ky është një tjetër lajm i mirë për Rusinë dhe të gjithë aleatët e saj.

Advertisement