Kosova

Largimi i policëve serb/ Eksperti: Presion nga Vuçiç

Pa e bërë një muaj punë, 7 nga 45 policët serbë që u rekrutuan në Policinë e Kosovës kanë dhënë dorëheqjen.

Sipas Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, ata lanë punën për shkak të presionit, shantazhit e frikësimit nga Beogradi.

Njohësit dorëheqjet e fundit të komunitetit serbë i shohin si skenar të Serbisë për të mbajtur veriun në tension.

“Ka një refuzim në masë nga komuniteti serbë atje, natyrisht nën ndikimin e Beogradit që të mos i pranojnë shërbimet e policëve serbë që punojnë në institucionet e Kosovës. Është një skenar që për ta mbajtur gjendjen në veri në tension që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”, tha Valdet Hoxha, njohës i çështjeve të sigurisë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të heqë dorë nga rrugët institucionale me rekrutime për integrim të serbëve.

Ai shton se kjo çështje ka kaluar nga çështje e sigurisë në politike.

“Rruga e vetme tashmë është ulja në tavolinë me partnerët ndërkombëtar, vendet e QUINT-it, hartimi i një plani të saktë, me afate të sakta kohore, duke filluar që nga zgjidhja e problemit me kryetarët e komunave, organizimi i zgjedhjeve lokale atje e pastaj duke e shfrytëzuar presion ndërkombëtar ndaj Serbisë duhet të kthehen të gjithë punonjësit e policisë, por jo vetëm edhe gjyqtarët e prokurorët”, tha Hoxha.

Tre javë më parë, 45 policë të komunitetit serbë nisën punën e tyre në pjesën veriore të vendit. Tash e katër ditë, ka filluar largimi i tyre nga polica me anë të dorëheqjeve. Madje është paralajmëruar dorëheqja e të gjithëve.

TRENDING

Exit mobile version