Lifestyle

Librat që çdo sipërmarrës shqiptarë duhet të lexojë

Përpos të dhënave të INSTAT për rënie të numrit të lexuesve dhe vështirësive që shprehin botuesit, një tjetër element që duket se po i bashkohet panoramës së tregut të librit në vend, është rritja e çmimit të letrës…

Librat janë të shtrenjtë, për shkak të kostos në rritje të printimit në letër, honorareve, ekonomisë së shkallës dhe kalimit të krizave të shumëfishta botërore. Por, kjo nuk duket se e mund këtë industri të fortë globale dhe modeste vendase.

Parapëlqeni të lexoni një e-libër apo një version të printuar? Mund të jetë një surprizë, por për shumicën e njerëzve, librat fizikë janë ende në krye të listës. Edhe pse, më të shtrenjtë!

Ndërsa media dixhitale ka penguar industri të tjera si publikimi i lajmeve dhe biznesi muzikor, njerëzit ende duan të zotërojnë libra fizikë, sipas Loreta Berhami, nga Shtëpia Botuese Pegi.

“Është pjesërisht peizazhi politik, njerëzit kërkojnë shpëtim, por kërkojnë edhe informacion. Pra, ata zgjedhin librin fizik një kompleks arsyesh dhe mendoj se … është më e vështirë të kesh një marrëdhënie emocionale me atë që po lexon nëse është në një lexues elektronik”, -thotë znj. Berhami.

Ajo shton se, dashamirësve të librave u pëlqen të kenë një regjistrim të asaj që kanë lexuar, dhe ka të bëjë me sinjalizimin, dukjen për pjesën tjetër të botës.

“Është si të thuash dekorimi i shtëpisë suaj, ka të bëjë me mbledhjen, mendoj, sepse njerëzit janë kryesisht koleksionistë të librave, ata duan t’i kenë fizikisht, për të treguar për veten”, – shton ajo.

Arlinda Dudaj thotë se tregu është i destinuar të jetojë, pavarësisht vështirësive. “Edhe pse duket se ka shumë probleme, e shikoj me optimizëm, si një sektor që është i destinuar të jetojë.

Libri nuk e humbet aspak koherencën, gjithmonë do të ketë nevojë për dije dhe lexim, kështu që edhe në rast se s’do të shënojë rritje, të paktën do të qëndrojë në ekuilibër”, – thotë drejtuesja e botimeve “Dudaj”.

Librat do të “rezistojnë”

Në një epokë dixhitale, librat e printuar ofrojnë nostalgji dhe një produkt të prekshëm që është edukativ, argëtues dhe i koleksionueshëm. Librat klasikë janë ndoshta më së miri me përvojë në shtyp.

Aroma, libri dhe përshtypjet kur i shfleton ata, janë retro dhe të përjetshme. Ashtu si një pikturë, një libër i shtypur është një manifestim fizik i artit – i denjë për vlerësim dhe shfaqje publike, shton Loreta Berhami.

“Dhe industria e printimit, larg nga qëndrimi në prag të vdekjes, është e gatshme të përdorë kanalet dixhitale për të përmirësuar marketingun e produkteve të saj.

Botuesit më të mirë të librave të sotëm përdorin bollëkun e teknologjive dixhitale për të shitur produktet e printuara. TikTok bëri një hap të papritur në krye të listës së prioriteteve të marketingut të botimeve vitin e kaluar me fenomenin BookTok.

Lexuesit tradicionalë të librave hynë në platformën dixhitale me shumicë për të ndarë dashurinë e tyre për leximin. Zhurma e mediave sociale dixhitale mund të jetë pikërisht mjeti i duhur në kohën e duhur për të zgjeruar shtrirjen e botimit të printuar. Por librat janë të përsosur, ashtu siç janë.”-përfundon ajo.

Albert Gjoka, menaxher i Bukinisti.al, ndalet në një tjetër aspekt të situatës aktuale. Ai thotë se 3-fishimi i kostos së letrës do të sjellë një ndryshim të ndjeshëm të çmimit të librit, efektet e para të të cilit kanë nisur.

Por, sipas tij, ndryshime më të mëdha do të shihen në shtator-tetor. Nga ana tjetër, ai përmend situatën e informalitetit të tregut të librit, që sipas tij, nuk ka pasur efekt pozitiv fiskalizimi.

“Është 3-fishuar kostoja e letrës; Ja titujt e sugjeruar për sipërmarrësit shqiptarë”

Prej vitesh, libri shihet shoqëruesi më i mirë në ditët e gjata me diell.

Por si ka qenë ecuria e kërkesës për libra gjatë këtij viti dhe cilët do të ishin disa tituj për sipërmarrësit shqiptarë?

Albert Gjoka, menaxher i Bukinisti.al thotë për “Monitor” se, rritja e çmimit të letrës do të sjellë rritje të çmimit të librit, efektet e para të së cilës do të shihen pas shtatorit…

Si ka qenë ecuria e kërkesës për libra për të rritur e fëmijë?

Duhet thënë që ky vit, ka nisur në tregun e librit njësoj si në të gjithë tregjet e tjera: po ndihen efektet e krizave të shumëfishta, të pandemisë dhe tashmë, kriza e luftës.

Ajo çfarë është konstatuar muajt e fundit është se ka një rritje drastike të çmimit të letrës, 3-fishim, dhe kjo ka sjellë që, shtypshkronjat të rrisin koston e prodhimit të letrës dhe shtëpitë botuese, të ndryshojnë në mënyrë graduale çmimin.

Disa tituj aktualë në treg kanë pasur ndryshim të çmimit, por besoj rritja më e madhe pritet të jetë në shtator-tetor të këtij viti. Për sa i përket tregut, ka një rritje graduale të lehtë krahasuar me dy vite më parë.

Nuk bëhet fjalë për një rritje shënjuese dhe ky është një tregues ndoshta, për një rritje të buxheteve që duhet për marketingun e librit, si dhe një menaxhim më i mirë, që rritja të jetë e qëndrueshme, krahas krizës.

Cilat janë problematikat aktuale të tregut të librit?

Tregu i librit vuan problematika të trashëguara ndër vite, si formalizimi, ende është treg informal. Ne kemi vënë re prej shumë kohësh që sasia e letrës që hyn në import, nuk del me një produkt përfundimtar për konsumatorin.

Rikthimi pas shumë vitesh i TVSH-së së librit në janar të vitit 2019, dhe së fundi procesi i fiskalizimit që ka përfshirë edhe operatorët e tregut të librit e kanë vënë në vështirësi të mëtejshme këtë treg.

Fatkeqësisht, kjo po nxit informalitetin e tregut të botimeve dhe po penalizon operatorë që punojnë konform kuadrit ligjor-rregullativ në fuqi. Jemi në kushtet kur ka një ofertë të larmishme librash nga botuesit, por kemi një rrjet menaxhimi ende të brishtë.

Gjatë dhjetë viteve të fundit janë mbyllur shumë librari fizike në Tiranë dhe në rrethe. Ecuria e këtij sektori do të varet nga disa faktorë dhe aktorë.

Askush nuk mund ta tregtojë librin i vetëm. Për këtë arsye, kërkohet bashkërendim më i mirë i punës mes botuesve, librarive, rrjetit të bibliotekave, institucioneve të edukimit dhe mbështetjes më të madhe nga qeveria, qoftë nëpërmjet investimeve direkte, qoftë nëpërmjet politikave fiskale më lehtësuese.

Libri nuk mund të taksohet, paçka se ky treg duhet të formalizohet.

Shqipëria ende nuk tregon vëmendje në financim, edhe nëse e krahasojmë me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia e Veriut apo Kroacia.

Fondet për pasurimin e bibliotekave të shkollave apo të qyteteve, në shumë raste nuk shkojnë në destinacion, apo nuk ka një planifikim për pasurimin e tyre me libra të botuar në dy dekadat e fundit.

Kërkesa për libra është e lidhur pazgjidhshmërisht edhe me shkaqe të tjera si niveli i edukimit në familje dhe në shkollë, rritja e standardeve të marketingut nga botuesit dhe librarët, sjellja e aktorëve të ndryshëm në shoqëri, si institucionet apo mediat, etj.

Ende nuk ka një ndërgjegjësim të fortë që librin ta kthejmë në një mjet të fuqishëm për të rritur veten me informacion, kuptim, për t’u argëtuar; pra për ta pasur atë si mjet për zhvillimin tonë mendor dhe shpirtëror.

Ndonëse ka një rënie në nivel global të lexueshmërisë, ajo që konsiderohet pozitive është se botuesit kanë përmirësuar ofertën me tituj me kategori dhe zhanre të ndryshme botimesh.

Cilët janë disa sugjerime për tituj që çdo sipërmarrës shqiptarë duhet të lexojë këtë verë?

Padyshim që ne kemi krijuar një traditë tashmë për pjesën e rekomandimeve. Do të sugjeroja si më poshtë:

  1. “Influenca, Psikologjia e Bindjes” – Robert Cialdini

Ky libër është një manual i shkëlqyer për të kuptuar sjelljen njerëzore, dhe për të kuptuar artin e bindjes. Dr. Robert Caldini e ka sjellë për lexuesit këtë botim pas një përvoje 35-vjeçare kërkimesh dhe studimesh, duke sjellë gjashtë parime universale të mjeshtërisë së bindjes. Si i tillë, ky është manual bazë, me vlera të jashtëzakonshme për ekspertët e marketingut dhe të komunikimit.

  1. “Mendësia” – Carol Dweck

Mendësia na ofron një teori shumë të thjeshtë, një teori që tashmë të gjithë mësuesit e zotë dhe prindërit e mrekullueshëm, atletët e shkëlqyer dhe drejtuesit e aftë të korporatave të mëdha e dinë: mendja jonë është në gjendje të mësojë dhe lulëzojë me lehtësi dhe efikasitet. Këto parime janë baza e arritjes në çdo fushë të dijes e sektor të veprimtarisë.

  1. “Rruga jonë, rruga e suksesit në biznes”, nga Vasil Naçi dhe Alma Bici

Libri trajton mënyrën e ndërtimit të kulturës në kompani, vlerat bazë; frymën e udhëheqjes në çdo nivel, përmirësimin dhe inovacionin e vazhdueshëm; komunikimin e hapur dhe me respekt; mençurinë në vendimmarrje dhe shpejtësi në zbatim; përballjen me realitetin dhe objektivat sfiduese; vetëdisiplinimin dhe argëtimin.

Ky libër vlen për të gjithë ata që e shohin jetën dhe biznesin si procese dinamike në ndryshme të vazhdueshme dhe menaxherët apo drejtuesit duhet të përballen me ndryshime të vazhdueshme.

  1. “Dilema e novatorit” – Clayton M. Christensen

Libri revolucionar që do të ndryshojë mënyrën se si bëni biznes: Në këtë bestseller, eksperti i novacionit, Clayton M. Christensen, thotë se kompanitë e shkëlqyera mund të bëjnë gjithçka siç duhet dhe sërish ta humbin lidershipin në treg, ose më e keqja, të zhduken krejtësisht. Ai jo vetëm e vërteton atë çfarë thotë, por udhëzon të tjerët se si ta shmangin një situatë të ngjashme.

  1. “Shpik dhe ëndërro” – Jeff Bezos

Nëpërmjet këtij libri, mund të mësoni shumë nga mësimet dhe sekretet e zbuluara në intervistat, shkrimet dhe letrat vjetore të Bezos si aksioner, të cilat ai i ka hartuar personalisht që nga viti 1997.

  1. “Mendo për gjëra të mëdha dhe bëhu i madh” – David J. Schwartz

Ky libër nuk ofron premtime boshe, por një program të menduari me shumë kujdes, për të përfituar sa më shumë nga puna, jeta, martesa dhe komuniteti në të cilin jetoni.

Ai ju rrëfen se nuk keni pse të jeni intelektual apo të keni lindur me talent, për të pasur sukses në jetë dhe për të arritur kënaqësi, por duhet të mësoni dhe kuptoni shprehitë e të menduarit dhe të sjelljes, në mënyrë që të arrini aty ku dëshironi.

  1. “S’ka më justifikime” – Brian Tracy

Ky libër do t’ju shërbejë si udhëzues që të bëheni hap pas hapi njeri madhështor, që të mund të bëni arritje madhështore në jetën tuaj personale dhe profesionale, përmes tri fushave: qëllimet personale; qëllimet në biznes dhe lumturinë e përgjithshme.

 

 

Tregu global

Madhësia e tregut global të librave pritet të arrijë në 164.22 miliardë dollarë deri në vitin 2030, duke u zgjeruar me 1.9% gjatë periudhës së parashikimit, sipas një raporti të ri nga Grand View Research, Inc.

Rritja e shpenzimeve të konsumatorëve për libra, nxitur nga rritja e të ardhurave dhe interesi, si dhe evoluimet e vazhdueshme të formatit që kanë përmirësuar të gjithë përvojën e leximit, janë ndër arsyet kryesore që e çojnë përpara biznesin e librit.

Botuesit e pavarur kanë qenë në rritje në të kaluarën e afërt. Sipas Linchpin SEO, kishte afërsisht 69,709 botues të pavarur në industrinë e librit që nga viti 2020.

Në përgjigje të monopolit të dukshëm në botimin tradicional, individët e përjashtuar u janë drejtuar botuesve të pavarur që nuk lidhen me shtëpi të mëdha botuese.

Ndërsa kompanitë tradicionale botuese kërkojnë të ngrenë tregun, botuesit e pavarur ofrojnë një mundësi për larmishmëri dhe përfshirje midis autorëve dhe vendeve.

Këta botues janë më të vegjël dhe, në disa raste, plotësisht dixhital dhe ky është çelësi i rritjes së numrit të tyre nga viti në vit. Është e vështirë të vlerësohet numri i librave që shiten globalisht dhe të ardhurat që krijohen prej tyre. Trendi në rritje i zinxhirit të furnizimit të kundërt, i njohur gjithashtu si ritregti, ofron mundësi të reja për shitjen e librave të përdorur.

Ritregtia ilustron prirjen në rritje drejt transformimit të konsumit nëpërmjet ripërdorimit. Kështu, shitësit e ritregtisë si Momox, reBuy dhe Quoka.de janë shtytësit më të mëdhenj të industrisë. Ndërsa librat e shtypur janë në mënyrë të pakthyeshme në një rrugë rënieje, ai mbetet një treg jashtëzakonisht i madh për shtyp.

Ndryshimet e modelit të biznesit kanë zhvendosur kontrollin mbi zinxhirin e vlerës tek autorët dhe shitësit me pakicë, duke e bërë kërkesën të paparashikueshme.

Printimi dhe ai i prodhimit dixhital do të bashkëjetojnë për të ardhmen e parashikueshme, por pak prodhues të librave do të jenë në gjendje të justifikojnë riinvestimin në teknologjinë e printimit; shumica nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të investojnë në sistemet e printimit të prodhimit dixhital nëse dëshirojnë të mbijetojnë dhe të rriten.

Ndërsa shitësit e librave përshtaten me modelet e biznesit në internet në një moment të vështirë ekonomik global, viti 2022 mund të përcaktojë nëse libraritë e pavarura do të mbijetojnë. Pronarët thonë se nuk është vetëm aftësia paguese e tyre në rrezik, por edhe roli i librave nëpër komunitetet globale.

Tendencat

Tendencat e botimit dhe printimit të vitit 2022 tregojnë se të rinjtë kryesisht u janë larguar librave të shtypur dhe një audiencë më të madhe ka marrë interneti.

Përveç leximit të librave më të mëdhenj të botuar në mënyrë dixhitale, vizitorët e faqeve të internetit shohin përmbajtje video në celular, gjë që sfidon botuesit të krijojnë përmbajtje në çdo pajisje që ngarkohet shpejt.

Botuesit vazhdojnë t’u drejtohen zgjidhjeve të fundit për të tërhequr audiencë më të madhe drejt botimeve të tyre. Si p.sh. zhvillimin e përmbajtjes për të vazhduar si nxitësi kryesor i zhvillimit të audiencës me shpërndarjen përmes rrjeteve të mediave sociale, duke ndihmuar në nxitjen e vizitorëve të rinj në hapësirat online për libra dhe libraritë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version