Connect with us

DOSSIER

Ligji/ Beqarët mbi 20 vjeç do gjobiten

Nga Kreshnik KUÇAJ

Një rrugëtim historik në tranzicionin demografik të Shqipërisë. Nga taksa e beqarisë në vitet ’60 te politikat ”pro-nataliste” që u aplikuan ndër vite

Diskutimi për nevojën e një ndërhyrje shtetërore në zhvillimet demografike në vend nisin në vitet ’30 në Shqipëri.

Në këtë periudhë, një nga propozimet më interesante që spikat në shtyp është në revistën ‘Minerva’ të vitit 1933. Autori është Ismet Toto, që shkruan me pseudonimin ‘Borealis’. Ky i fundit, kishtë studiuar në Romë për statistikë dhe ishte nga të paktën që askohohe kuptonte rëndësinë që paraqiste zhvillimi demografik te zhvillimi i vendit.

Për shumë kohë ka mbretëruar në këto punët e demografisë e ashtuquajtura politikë e “laissez faire”. Siç e thotë edhe vetë fjala, kjo nuk është një politikë.

Kësaj i thonë indiferencë. “Lëri punët të ikin natyrisht se ashtu është më mirë”. Kjo teori u predikua nga shkolla liberale kozmopolite dhe u përqafua me gëzim nga shumë qeveri që s’kishin qejf të kenë mbi krye dhe problemet e rënda të demografisë.

Sepse këto çështje nuk i interesojnë popullit të sotëm dhe çdo qeveri kërkon, më parë nga të gjitha, të shikohet me sy të mirë nga ata që japin veten dhe të hollat!

 Vetëm ato kombe që kanë qeveritarë të mëdhenj, njerëz që i tremben gjyqit të historisë, vetëm ata shohin dhe mendojnë se ku do të ndodhen pas 50 vjetësh.

Askush më tepër se neve shqiptarët nuk ka nevojë të mendohet dhe përkujdeset për këto punë. Për shtimin e popullsisë tonë na duhet të ndjekim një politikë popullsie dhe dinamike në shkallën më të lartë.

Nga çdo kënd që ta shikojmë gjendjen tonë dhe sidomos nga pikëpamja ekonomiko-politike, përnjëherësh kemi përshtypjen se e keqja qendron në themel: Jemi të paktë si numër dhe nuk po ecim në udhën e njëjtë të zhvillimit intensiv dhe harmonik, që ka si përfundim formimin e një populli kompakt nga të gjitha aspektet” shkruan Toto te revista ‘Minerva’ e 10 shkurtit të vitit 1933.

Në listën e propozimeve, autori është i pari që hedh tezën e vendosjes së një takse të posaçme për ata që janë të pamartuar. Synimi në këtë rast është nxitja e martesave mes të rinjve, përmes një skemë fiskale.

“Në disa nga shtetet e kontinentit europian është duke u zbatuar një ligj që takson 20 vjeçarët e pamartuar. Një gjë e tillë mund të bëjmë edhe ne që kemi nevojë të shtohemi, fjala vjen me tepër se Italia, çdo beqar taksohet sipas gjendjes së tij ekonomike.

Katundari i varfër me 20 franga ari në vit, i pasuri me 400. Italia nxjerr plot 110 milion lireta në vit nga zbatimi i këtij ligji. Tërë kjo shumë përdoret për rritjen e jetimëve.

Prapë me anë të këtij ligji caktohen çmime dhe dhurata për prindërit që rrisin një numër të madh fëmijësh. Ka një tok mënyrash për propagandë dhe inkurajim në punën e shtimit të popullsisë” vijon më tej në artikull Toto .

Praktikisht, iniciativa e propozuar synonte që nëpërmjet ndërhyrjes shtetërore, të stimulohej shtimi i popullatës.

Shkurt është besimi ynë që qeveria jonë ka në dorë shumë. Mund të bëjë që brenda pak viteve të rrojnë 2 milionë shqiptarë të shëndoshë në vendin tonë. Dhe sapo ta kemi marrë një herë të përpjetën, ikim vetë pastaj, me pak shpenzime të kota për gjëra e vepra të pakuptimta dhe më tepër qejf për punë serioze dhe substanciale si këto. Kjo është receta magjike për ata që duan të pavdekësojnë emrat e tyre” përfundon analizën e tij Toto.

Por kjo iniciativë nuk u kuptua në ato vite, e si rrjedhojë nuk gjeti zbatim.

 

Fenomeni “baby-boom” që preku Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, optimizmi dhe siguria për të ardhmen solli edhe të ashtuquajturin “baby-boom”, një fenomen botëror i ndodhur në vitet ‘40 deri në vitet ‘60. Ky fenomen preku edhe Shqipërinë, ku pas lufte u konstatua një lindshmëri e lartë.  Brezi i këtij fenomeni botëror janë 70 vjeçarët e sotëm. Efektet e këtij fenomeni në Shqipëri fillimisht u ndjenë në sistemin shëndetësor ku kishte nevojë më të madhe për përkujdesje. Më pas ky brez pati impakt në sistemin arsimor, për të vijuar më pak me impaktin në tregun e punës e në ditët e sotme me impaktin në sistemin e mbrojtjes shoqërore apo të pensioneve.

Popullsia prej rreth 800 mijë banorësh në vitin 1930 do të bëhej 1.2 milionëshe në vitet 50. Periudha nga vitet ‘50 deri në vitet ‘90 njeh rritje të konsiderueshme ku çdo 10 vjeçar numri i popullatës rritet me rreth 400 mijë persona.

Kryesisht gjatë viteve ‘50, ku shumica e vendeve europiane shënuan rënie të niveleve të lindshmërisë, Shqipëria po kalonte një periudhë rritje të numrit mesatar të fëmijëve për grua.  Nga vitet 1960, rezulton se në Shqipëri indeksi sintetik i fekonditetit arriti në një raport prej 7 fëmijësh për grua, që ishte një raporti maksimal.  Ndërmjet viteve ‘60  në Shqipëri nis rënia e parë e lindshmërisë, që u thellua pas viteve ’70 me shpejtësi.

Edhe pse lindshmëria pësoi rënie të qëndrueshme të lindshmërisë në periudhën 1960-1990, sipas studimeve të INSTAT, gjatë gjithë periudhës ai mbeti më i lartë sesa niveli i çdo vendi tjetër europian. Pjesa më e madhe e tranzicionit të lindshmërisë ndodhi gjatë periudhës 1960-1990, një periudhë ku gjithçka ishte e centralizuar.

Centralizimi do të zbatohej edhe në politikën e lindshmërisë, ku regjimi i kohës ndoqi një politikë “pro-nataliste”. Gjatë gjithë asaj periudhe, qeveria synoi përdorimin e të të gjitha burimeve të saj dhe promovoi rritjen e vazhdueshme  të  popullsisë ku u morën një serë masash konkrete që shkonin në favor të rritjes së popullsisë. Masat ishin të karakterit nxitës për shtimin e popullatës.

Çfarë ishte Tatimi i Beqarëve

Referuar dekretit të qeverisë të vitit 1958 e që nisi të zbatohet në vitin 1959,  shtetasit beqarë, të vejët pa fëmijë, të shkurorëzuarit dhe të martuarit pa fëmijë, detyroheshin të paguanin një tatim të veçantë.  Tatimi merrej nga personat me moshë mbi 20 vjeç gjer 50 vjeç për meshkujt dhe mbi 20 vjeç deri në 40 vjeç për femrat.  Tatimi fillonte të paguhej nga data 1 janar mbas mbarimit të vitit që personat kishin mbushur 20 vjeç dhe pushonte në mbarim të vitit kalendarik në të cilin meshkujt mbushnin moshën 50 vjeç dhe femrat 40 vjeç.

Masa e tatimit bazohej mbi kategorinë e punës apo të profesionit të personit që i nënshtrohej këtij tatimi të veçantë. Kategoritë që prekeshin nga kjo taksë e veçantë, detyroheshin të paguanin veç taksave të tjera edhe një taksë mujore në masën 2.4 për qind të të ardhurave kur ato ishin deri në 8 mijë lekë dhe 2.5 për qind kur të ardhurat kalonin këtë shifër. Këtë masë tatimi e kishin kategoria e punëtorëve, nëpunësve, ushtarakëve, shkrimtarëve apo punonjësve të shkencës.

Tregtarët dhe zejtarët detyroheshin të paguanin 4 për qind të të ardhurave vjetore si taksë beqarie ndërsa punonjësit e kooperativave paguanin një tatim fiks në masën 500 lekë në vit. Nga kjo taksë përjashtoheshin disa kategori, mes të cilave personat të cilëve, për arsye shëndetësore, iu ndalohej martesa dhe personave të martuar të cilët, për arsye shëndetësore nuk lindnin fëmijë. Po ashtu, përjashtoheshin klerikët të cilët sipas rregullave fetare iu ndalohej martesa dhe vajzat e pa martuara në moshë mbi 30 vjeç që nuk ishin në marrëdhënie pune. Personat që nuk shlyenin detyrimin në afat përballeshin me sanksione, mes të cilave një kamatë në masën 0.10 për qind për çdo ditë vonesë pas mbarimit të afatit.

Planifikimi familjar me ‘plan shtetëror’ gjatë ekonomisë së centralizuar

Një masë tjetër pro natalitetit (lindshmërinë) ishte ndalimi me ligj i bashkëjetëses dhe i abortit.

Dekreti i qeverisë i vitit 1960 parashikonte se burri që bashkëjetonte me një grua si bashkëshorte pa lidhur martesë të rregullt para organit të gjendjes civile, megjithëse nuk kishte asnjë pengesë ligjore për lidhjen e saj denohej në rrugë administrative me gjobë deri në 10.000 lekë. Ky dënim nuk zbatohej, në rast se i dënuari, para zbatimit të dënimit lidhte martesë të rregullt me gruan me të cilën bashkëjetonte.

Po ashtu, në politikat e kohës parashikohej një mbështetje e konsiderueshme për nënat që lindin fëmijë. Ligji për sigurimet shoqërore i vitit 1958 parashikonte dhënien e një ndihme në të holla që arrinte masën deri në 95 për qind të një page mesatare. Po ashtu, ligji për sigurimet shoqërore parashikonte jo vetëm përfitimin e menjëhershëm të ndihmës financiare por edhe pajisjen e fëmijës me sendet e nevojshme, si për ushqim, ashtu edhe për veshëmbathje. Ndihma e përcaktuar ishte për pajisjen e fëmijës me sendet e nevojshme 1 400 lekë dhe 1400 lekë për ushqimin e fëmijës.

Për të stimuluar lindjen e sa më shumë fëmijëve, në këtë periudhë u vendos edhe një titull nderi i emërtuar “Nënë Heroinë” që u jepej nënave që kishin lindur dhe rritur 10 apo më shumë fëmijë. Nënat më shumë fëmijë në kooperativa përfitonin gjithashtu edhe një lopë për ushqimin e fëmijëve, një stimul që gjithashtu shkonte në ndihmë të rritjes së tyre.

Pavarësisht kësaj politike qeveritare pro-nataliste dhe pavarësisht shkallës së lartë të kontrollit mbi jetët e njerëzve, është interesante të thuhet se lindshmëria u zvogëlua me më shumë se 50 për qind gjatë periudhës 1960-1990.

Megjithëse  qeveria  ndoqi  një  politikë të dedikuar për shtimin e lindshmërisë, me politikat e tjera mbështeti edhe tranzicionin  e  lindshmërisë.

Emancipimi i grave, i nxitur nga qeveria, çoi në një edukim pothuaj të njëjtë të vajzave dhe një rritje të pjesëmarrjes së grave në prodhimin industrial dhe bujqësor. Të dy faktorët janë të lidhur u shoqëruan me reduktimin e lindshmërisë.

Nga ana tjetër, një faktor që ndikoi në rritjen e popullatës ishte izolimi i vendit që solli frenimin emigracionit. 

Eksodi i viteve ‘90 dhe deformimi i piramidës demografike pas viteve ‘90

Ndryshimi i modelit politik dhe ekonomik në vitet ’90, hapja e kufijve dhe zhvillimet e vrullshme të kësaj periudhe shënuan një kthesë në evolucionin demografik të vendit.  Emigrimi masiv nga Shqipëria, që në këtë rast duket se përbën një rast të rrallë sa i përket numrit të personave të larguar, prodhoi  një  goditjeje  të  fortë për zhvillimin  e  popullsisë  së Shqipërisë. Qindra mijëra shqiptarë u larguan nga vendi në disa valë të njëpasnjëshme, një humbje që nuk u kompensua dot nga rritja natyrore.

Ky emigrim masiv vlerësohet nga studiuesit se ishte shkaku kryesor për ndryshimin rrënjësor nga një rritje vjetore e madhe e popullsisë në një rritje negative.

Fillimisht ata që u larguan i përkisnin gjinisë mashkullore dhe ishin kryesisht mosha të reja ndërsa më pas është konstatuar rritja e numrit të emigrantëve femra, që i referohet edhe bashkimit familjar jashtë territorit të vendit.

Procesi  i  vazhdueshëm  i  emigrimit  në  shkallë  të  gjerë    dhe  rënia  e  lindshmërisë  e vdekshmërisë   patën  një  ndikim  shumë  të  madh  në  strukturën  e  popullsisë  në  Shqipëri duke deformuar atë që cilësohet si piramida demografike e vendit.

Aktualisht, Shqipëria po përballet me një  fenomen me të cilin janë përballuar më herët edhe vendet e tjera të zhvilluara, me rënien e lindshmërisë, me zvogëlimin e bërthamës së familjes e me rritjen e jetëgjatësisë. Censusi i fundit e ka treguar qartë këtë tendencë botërore edhe në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të zhvilluara. Por ndryshe nga vendet e tjera me të cilat krahasohet për nga niveli i lindshmërisë dhe rritjes së popullatës, Shqipëri rezulton të jetë vend i varfër dhe jo vend i zhvilluar, edhe pse fenomeni është i ngjashëm me vendet e zhvilluara. Të moshuarit po shtohen me shpejtësi në Shqipëri  ndërsa niveli i lindshmërisë është minimal.

Nga ana tjetër, në ditët e sotme, vendi po përballet me goditjen e katërt që vjen nga brezi i gjeneratës“baby boom” në Shqipëri, pra i brezave që kanë lindur nga vitet ‘45-‘60 e që tashmë, pas sistemit arsimor e tregut të punës kanë impakt të ndjeshëm në skemën e pensioneve. Rritja e jetëgjatësisë nënkupton edhe rritjen e nevojës për mbrojtje sociale për këtë brez.

Transformimi i popullsisë drejt plakjes ka implikime ekonomike të mëdha. Kostoja e shoqërisë për mbështetjen e të moshuarve është më e lartë sesa kostoja mesatare e mbështetjes për një fëmijë. Për rrjedhojë, të gjithë studiuesit tendencat demografike duhet të monitorohen nga afër në të ardhmen…

Advertisement