REAGIM

Lorenc Vangjeli: Rama ka bërë mirë nëse i ka dhënë informacion FBI-së për lobimin e Bashës

Analisti Lorenc Vangjeli tha se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka bërë mirë që i ka dhënë informacion FBI-së për lobimin e PD-së. Sipas tij, dhënia e informacionit është një shërbesë dhe Edi Rama do të bënte krim nëse kjo gjë do t’i kërkohej edhe zyrtarisht dhe ai nuk rrëfente gjithçka dinte për historinë e lobimit rus në Shqipëri.

Megjithatë ai u shpreh se në periudhën gusht-tetor 2017, siç thuhet në dosjen e drejtësisë amerikane për ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Mcgonigal, Rama nuk kishte asnjë arsye për të kërkuar hetim për Bashën, sepse e kishte mundur në zgjedhjet parlamentare të 25 majit.

“Ka dy çështje në SHBA. E para që nuk na përket ne që ka të bëjë me oligarkun rus Deripaska, pavarësisht se ka disa metastaza që zgjaten deri në Tiranë. Çdo lëkundje sizmike në SHBA sjell cunam në Tiranë, aq më tepër kur këtu bëhet fjalë për një tërmet. Janë disa pyetje për të cilat ne nuk kemi përgjigje: Cili është burimi i këtyre parave? Si u siguruan? Si u çuan atje? Kanë shkuar nga Shqipëria apo ndodheshin në SHBA? Kjo është pika kyçe.

Në gusht, kur janë kërkuar këto para, Edi Rama nuk kishte asnjë arsye që të kërkonte një hetim për Lulzim Bashën. Në javën e parë të gushtit ra ideja që qarkullonte në Tiranë për një koalicion PS-PD dhe me një opozitë formale të Ilir Metës.

Me gjasë po nga SHBA është thënë fjalia që: “Populli shqiptar foli qartë, qeverisjen do ta bësh vetë”. Në gusht, shtator apo tetor, Edi Rama nuk kishte asnjë arsye që të nxiste një hetim ndaj kundërshtarit të tij që ishte i mundur.

Që në vitin 2017 ka patur një hetim të gjerë në SHBA për ndikimet e mundshme ruse në fushatën presidenciale të z.Trump dhe Nick Muzin ishte një nga këto personazhe të përfshirë.

Nëse ka patur dhe me gjasë ka patur informacion nga Tirana, përmes Ramës, Duçkës apo kujtdo tjetër, por nëse ka patur, unë këtë nuk do ta quaja akt korruptiv, por një shërbesë. Dhënia e informacionit është një shërbesë dhe Edi Rama do të bënte krim nëse kjo gjë do t’i kërkohej edhe zyrtarisht dhe ai nuk rrëfente gjithçka dinte për këtë histori”-u shpreh Vangjeli.

TRENDING

Exit mobile version