Connect with us

Shkrime

Marrëveshja e fshehtë me Berishën – Pse Ilir Meta nuk ka kimi me demokratët?

Nga Ylli Pata

Marrëveshja ende e fshehtë mes Ilir Metës dhe Sali Berishës për listën e deputetëve të opozitës në zgjedhjet e ardhshme ka ngjallur e po ngjall reagime të forta.

Por kjo nuk është hera e parë, pasi edhe më 6 mars 2023, edhe më 14 maj pati të njëjtën reaksion. Natyrisht jo nga njerëzit e doktorit, por pjesa e opozitës që është kritike apo neutral me të. Madje edhe pashallarët e përkohshëm që ka caktuar Berisha në Parlament, nuk guxojnë të mbrojnë Ilir Metën, i cili siç e ka thënë edhe vetë është nën darën e SPAK të atij që e quan dumduman.

Ilir Meta nuk është një figurë dosido për mbështetësit e Partisë Demkratike. Ai është njeriu kyç që ka sjellë Partinë Demokratike në pushtet në vitin 2005, kur askush nuk e parashikonte. Meta është një nga aleatët më të afërt dhe më të hershëm të Sali Berishës. Ilir Meta, edhe pse ka qenë socialist dhe aleat i socialistëve, marrëdhëniet e marrëveshjet më të rëndësishme i ka bërë me Sali Berishën. E ky ështe fakt.

Megjithatë, Ilir Meta është një politikan që e ndan gjithmonë opinionin e demokratëve dhe opozitës në përgjithësi. Pak, madje sot shumë pak janë fansa të tij. Madje mund të gjesh demkratë që të tregojë më respekt për Fatos Nanon, edhe pse mund ta kenë luftuar me antitank sesa Ilir Metën. Po pse ndodh kjo?

Kjo ndodh sepse Ilir Meta nuk ka një lidhje organike me komunitetin e gjërë të së djathtës në vend. Dash Shehi, Muslim Murrizi, apo edhe Fatmir Mediu apo ballistët e ndarë në shumë parti, në tërësine e tyre janë politikanë që “jetën politike” pra gavetën e kanë bërë në një mjedis që i njeh mirë. Ku kanë dhënë e kanë marrë, si një lloj marrëdhënie organike.

Ilir Meta, realisht ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar në goditjen e plasaritjen e PD-së në kohët e saj më të vështira.

Ilir Meta, me të vërtetë e solli Sali Berishën në pushtet në vitin 2005, si pasojë e ndarjes së PS-së, por ai nuk i shkoi doktorit për të qeverisur së bashku. Përkundrazi vijoi si një aktor i majtë, madje i majtë radikal deri në vitin 2009. Më pas, papritur u bë centrist dhe mbajti Sali Berishën në qeveri me 4 deputetët e tij. Por pikërisht kjo marrëveshje ishte një traumë për demokratët. Jo thjeshtë sepse i mori gati 30% të pushtetit, por i prishi atë pjesë të imazhit që PD e kishte fituar në mandatin e parë. Pikërisht ajo njollë nuk i hiqet kollaj në sytë e elektoratit gri.

Nga ana tjetër, në vitin 2013, kur Ilir Meta bëri aleancë me Edi Ramën, çau PD-në në disa zona të rëndësishme në vend, duke hapur për moskthim degradimin organizativ të strukturave. Ndërkaq, 4 vjet më pas Ilir Meta mori me qera një tjetër pjesë të PD-së që më pas e quajti “populli i 2 marsit”, kur ishte President si për ta përdorur si sebrator anti SHBA. Por në 2021, demokratët nuk shkuan te Ilir Meta, po u kthyen te PD, edhe pse nuk kishin siguri absolute se mund të riktheheshin në pushtet. Ajo votë, pra e 25 prillit 2021 ishte një votë e pastër politike e të gjithë mbështetësve të opozitës, që nuk e gjenin shtëpinë e vetë te Ilir Meta.

Sot PD e 2021 nuk ekziston më, por Ilir Meta është realisht personazhi më i papëlqyeshëm për komunitetin e demokratëve. Zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 ishte një tregues i qartë ipopullaritetit të Metës karshi demokratëve i cili, i strehoi në shtëpinë e tij, duke u treguar si mikpritës. Por që në realitet kishte bërë marrëveshje të efektshme sepse mori këshilltarët.

Meta jo vetëm që nuk i shtoi vota opozitës, por sipas të gjitha sondazheve i ka hequr, sidomos në zonat e bastioneve të së djathtës, ku demokratët nuk dolën për të votuar.

Gjithsesi marrëveshja e Metës me PD-në është e detyruar pasi në fund të fundit janë forca opozitare dhe duhet të bashkohen së bashku. Por negociatat e PD-së nuk bëhen me të gjithë opozitën normalisht duke dhënë një plan, ku në listat e përbashkëta të ketë një ndarje logjike dhe sa më të pëlqyeshme nga anëtarësia e elektorati. Ata bëhen veç Meta, e veç të tjerët, pra partitë aleate. Ndaj nuk e duan sepse gjithmonë marrëveshjet me të kanë qenë me Berishën por jo me demokratët. Madje anëtarët e PD-së, kur PS dhe LSI erdhën në pushtet në 2013 dhe spastruan administratën, më shumë akuzojnë LSI-në sesa socialistët.

Advertisement