Connect with us

Aktualitet

Mashtrues me kimi serbe/ Haradinaj kundër Kurtit – Shkrim nga NTV | Editorial NTV.AL

Raporti i Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt ka pasur shumë kombinime. Njëherë aleatë në opozitë, pastaj njëri kryeministër, më vonë tjetri. Dhe, kur dukej se Haradinaj po ia zgjaste një dorë Kurtit përballë Serbisë duke e përkrahur për propozimin, ai vazhdoi deklaratat kundër Kryeministrit, për të treguar se, megjithatë, nuk është krah tij. Për Haradinajn, Kurti, si person, “ka pak përbërje serbe”. “Po shihet se kimia e Kurtit është edhe pak serbe”. “Kimia, pra përbërja e tij si person është pak serbe”. Ky ishte komenti i Ramush Haradinajt lidhur me përkujtimin që Kryeministri Albin Kurti, para pak ditësh, i bëri Zoran Gjingjiqit, lider serb i vrarë në vitin 2003. Haradinaj, si Kryeministër, e ka pasur kundërshtarin më të madh Albin Kurtin. Kryeministri i tanishëm, ia ka bërë Haradinajt opozitën në çdo gjë, veçanërisht për ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, të cilin njëherë Kurti e Haradinaj, e kishin kundërshtuar bashkë. Tani, ata duket se i kanë ndërruar rolet. Haradinaj kishte shfaqur simptomat e para të një opozitari që do ta sfidonte Kurtin, kur ky u zgjodh për herë të parë Kryeministër. Kurti ia dorëzoi detyrën ish – Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, pasi Haradinaj nuk kishte pranuar t’ia kalonte vetë mandatin Kurtit. Por, përgjatë qeverisjeve, Haradinaj nuk është hakmarrë ndaj Kurtit për t’i dalë kundër, siç thotë ai, në secilën “temë”. Ish-kryeministri, së fundi, është i vetmi opozitar që e ka përkrahur Kryeministrin Kurti në vendimin e tij për ta pranuar propozimin evropian. Ai ka thënë se nuk po e jep miratimin e tij për të ndihmuar Kurtin, porse këtë po e bën “për Kosovën”.Megjithatë, qëndrimet e Haradinajt përgjithësisht, gjuha e tij karshi Kryeministrit Kurti, nuk ka qenë aq “përkrahëse”, si pozicioni që ka marrë ndaj negociatave të Kryeministrit me Serbinë. E fundit ishte kjo që Haradinaj tha se “substanca” e Kurtit si person është “pak serbe, i botës serbe”. Për më shumë se dy vjet, Haradinaj i është referuar Kurtit sistematikisht si “mashtrues”. Ka pasur polemika me Kryeministrin në Kuvend dhe ato i ka shoqëruar edhe me shkrime në rrjetet sociale. Ndër përplasjet më të ashpra mes Kurtit dhe Haradinajt, si opozitar, janë lidhur kryesisht me serbët dhe me Serbinë. Kurti disa herë i ka përmendur Haradinajt se sa ishte Kryeministër, e ka pritur në zyrë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojciqin, që kërkohet nga institucionet e drejtësisë nën dyshimet për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Haradinaj i ishte kundërpërgjigjur Kryeministrit, duke i thënë se ka frikë se ai qëllimshëm po ia dorëzon Serbisë veriun e Kosovës. Sipas Haradinajt, të vetmen gjë që mund ta realizonte Kurti si kryeministër, ishte “kthimi i Serbisë në Kosovë”. “Kurti është mjaft i devotshëm me kthy Serbinë në Kosovë”, kishte thënë Haradinaj në vitin 2020. “Mashtrimit” që Haradinaj besonte se po bën Kurti, i ka dhënë edhe trajta të tjera. Kryetari i AAK-së ishte i bindur se Kryeministri i tanishëm e ka fituar pushtetin me mashtrim dhe se ai është “mjeshtër i manipulimit mediatik”.

Advertisement