Bota
Media italiane: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët po shihet tani si një shembull i mirë nga vendet e BE-së

Danimarka, Franca dhe Gjermania po bëjnë thirrje për krijimin e qendrave të jashtme për të përpunuar kërkesat për azil dhe për të lehtësuar dëbimin e emigrantëve të paligjshëm në Evropë, ashtu siç po përpiqet të bëjë Italia me qendrat e ndërtuara në Shqipëri.
Media italiane “Il Giornale”, shkruan se çështja e imigracionit dhe riatdhesimit ishin ndër temat kryesorë të trajtuara në një takim joformal të Këshillit të Çështjeve të Brendshme të BE-së në Kopenhagen.
Në artikull thuhet se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, pavarësisht se kundërshtohet nga opozita dhe gjyqësori italian, në shtetet e tjera europian, por tërheq interes të madh. Kjo sepse konsiderohet sistemi më i mirë aktual për të filluar zgjidhjen e problemit, megjithëse me disa modifikime formale.
Ministri i Brendshëm i Danimarkës, Gjermanisë dhe Francës kanë shprehur mbështetje në takimin në Kopenhagen për qendrat e riatdhesimit, si ato që Italia ka ngritur në Shëngjin dhe Gjadër.
ARTIKULLI I PLOTË:
Takimi joformal i Këshillit të Çështjeve të Brendshme të BE-së në Kopenhagen është një nga ngjarjet e para të mandatit të Danimarkës si Presidente e Këshillit Evropian dhe është një mundësi për ministrat e brendshëm për të adresuar çështjen e imigracionit dhe, në veçanti, riatdhesimin.
Kjo është një çështje që kryeministrja daneze Mette Frederiksen e kishte përcaktuar që kur mori detyrën, kur tha se “njerëzit që vijnë nga jashtë, kryejnë krime të rënda dhe nuk respektojnë mënyrën tonë të jetesës nuk kanë vend në Evropë dhe duhet të dëbohen”.
Ministri i Imigracionit në Danimarkë, Kaare Dybvad Bek, me të mbërritur në takimin e Kopenhagenit, përsëriti se “sistemi evropian i azilit është në krizë. Ne kemi nevojë për zgjidhje inovative“.
Presioni i fortë i ushtruar në kufijtë lindorë dhe jugorë kërkon zgjidhje të reja për të “riatdhesuar njerëzit më shpejt. Ne duhet të gjejmë zgjidhje inovative dhe marrëveshje të reja me vendet jashtë Bashkimit Evropian”.
Pakti Itali-Shqipëri lëviz pikërisht në këtë drejtim, dhe pavarësisht se kundërshtohet fort në vend nga grupet e opozitës qeveritare dhe gjyqësori në Itali, pak jashtë kufijve të shtetit italian po tërheq interes të madh në vendet që do të donin ta kopjonin atë, sepse konsiderohet sistemi më i mirë aktual për të filluar zgjidhjen e problemit, megjithëse me disa modifikime formale.
Ajo që Kaare Dybvad Bek mbështet janë CPR-të e jashtme, të cilat janë ato që Italia do të donte që të bëheshin qendrat në Shqipëri.
“Qendrat e pritjes në Shqipëri dhe në propozim për Ruandën janë për përpunimin e kërkesave për azil. Dhe mendoj se ka shembuj të shkëlqyer të outsourcing-ut dhe marrëveshjeve individuale, por sigurisht që duhet të krijojmë modelin tonë evropian për këto zgjidhje”, është shprehur ministri danez.
Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt, me mbërritjen e tij në Kopenhagen, përsëriti mbështetjen e tij për qendrat e riatdhesimit sepse, tha ai, “ne e konsiderojmë këtë një qasje inovative absolutisht të nevojshme” dhe “kjo kërkon bashkëpunimin e vendeve partnere”.
Marrëveshjet e këtij lloji, si ajo italo-shqiptare, shtoi Dobrindt, janë shumë të vështira për t’u zbatuar nga shtetet anëtare individuale, “ne e kemi parë tashmë këtë në disa raste në të kaluarën”. Megjithatë,“ekziston edhe mundësia e kontrollit të situatës në nivel evropian dhe kështu të kemi mundësi zbatimi dukshëm më të mira “. Ministri i Brendshëm francez, Bruno Reitailleau, e konfirmoi gjithashtu këtë.

