Connect with us

Aktualitet

Meloni në Shtëpinë e Bardhë/ E ardhmja e Perëndimit po shkruhet nga Roma

Takimi mes Donald Trump dhe Xhorxhia Melonit në Shtëpinë e Bardhë shënon më shumë sesa një vizitë rutinë midis dy aleatëve historikë. Në sfondin e një rendi global në lëkundje, ku aleancat tradicionale po vihen në provë dhe ndikimi kinez në Europë është në rritje, ky takim sinjalizon një rreshtim të ri brenda Perëndimit, një bosht transatlantik i së djathtës sovraniste, që premton të rimodelojë jo vetëm politikën tregtare, por edhe vetë narrativën gjeopolitike të kohës sonë.

Presidenti Trump nuk e fshehu admirimin e tij për Melonin, të cilën e quajti “një nga liderët e vërtetë të botës” dhe “një kryeministre që po bën një punë fantastike”. Por më shumë se një kompliment personal, kjo deklaratë shpreh njohjen e një aleance ideologjike që përkon në shumë linja: kundërshtim ndaj globalizmit pa kufij, mbështetje për sovranitetin kombëtar, dhe orientim drejt një Perëndimi të bazuar te forca ekonomike dhe kultura tradicionale.
Nga ana e saj, Meloni nuk u përmbajt në konfirmimin e këtij afrimi: “Besoj te uniteti perëndimor,” tha ajo, duke shtuar se është në Uashington për të “gjetur mënyra që Italia dhe SHBA të bëhen më të forta së bashku.” 

Trump deklaroi me siguri se do të ketë një marrëveshje tregtare mes SHBA-së dhe Italisë: “100% do të ketë marrëveshje. Por do të jetë një marrëveshje e drejtë.” Kjo sinjalizon një rikthim të diplomacisë ekonomike amerikane drejt Europës me prioritet bilateral, dhe jo domosdoshmërisht përmes Brukselit, shkruan lapsi.al.

Meloni konfirmoi gjithashtu besimin e saj në mundësinë e një marrëveshjeje, duke theksuar rëndësinë e “komunikimit të hapur” dhe të qasjes së drejtpërdrejtë në negociata.

Por momenti më i rëndësishëm strategjik i konferencës erdhi kur Meloni deklaroi se po synon një takim Trump–BE në Itali. Ajo tha se do të ftojë Presidentin amerikan për një takim me liderët europianë, për të diskutuar hapur mbi interesat e përbashkëta dhe për të shmangur përplasjen e interesave përballë Kinës dhe fuqive të tjera ekonomike.

Një sfidë e qartë ndaj boshtit Kinë–Europë?

Kur u pyet nëse SHBA duhet të shqetësohet për afrimin e Europës me Kinën, Trump reagoi shkurt: “Jo.” Ai shtoi me vetëbesim: “Askush nuk mund të konkurrojë me ne.” Kjo përgjigje nënkupton besimin e Trump se partnerët europianë mund të tërhiqen nga rrugët alternative nëse SHBA rikthen fokusin te marrëveshjet të ndershme dhe fuqizimi reciprok.

Në këtë pikë, Meloni po shfaqet si një ndërmjetëse aktive që kërkon të shmangë polarizimin e Europës mes Pekinit dhe Uashingtonit. Ajo pozicionon Italinë si një urë që mund të rikthejë SHBA-në në qendër të politikave ekonomike europiane, por me një qasje më të ndjeshme ndaj nevojave të secilit shtet.

Brukseli në pikëpyetje

Takimi Meloni-Trump mund të interpretohet si një sinjal se koha e komunikimit të përhershëm përmes Brukselit ka marrë fund. Mesazhi është i qartë: vendet europiane me peshë ekonomike dhe politike mund të ndërtojnë drejtpërdrejt marrëdhënie me Uashingtonin, pa pasur nevojë për ndërmjetësim burokratik nga institucionet e BE-së.

Nëse kjo qasje funksionon, Meloni mund të bëhet jo vetëm një aleate strategjike e Trump, por edhe një aktore kyçe në rishpikjen e rendit transatlantik.

Takimi i sotëm mes Xhorxhia Melonit dhe Donald Trump nuk është thjesht një fotografi diplomatike për albumin e lajmeve. Ai është një sinjal i kthjellët se konturet e Perëndimit po rivizatohen, jo më thjesht mbi bazën e strukturave formale, por mbi lidhjet reale politike, ekonomike dhe ideologjike midis liderëve që besojnë te një Perëndim i fortë, i pavarur dhe konkurrues.

Nëse vizita e Melonit shënon fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet SHBA–Europë, atëherë Italia, për herë të parë pas shumë dekadash, mund të jetë në qendër të këtij kapitulli.

Advertisement