Connect with us

Kosova

Mes çekiçit dhe kudhrës së Brukselit dhe Moskës/ Vuçiç në Paradën e Fitores, por rrezikon shumë

Praktika e Serbisë për t’u përballur me Lindjen dhe Perëndimin në të njëjtën kohë është sërish nën provë serioze – këtë herë për shkak të pjesëmarrjes në kremtimin e 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore, organizuar nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin më 9 maj në Moskë. Edhe një herë shtrohet pyetja – a do t’i kalojë sërish Beogradit zyrtar politika e uljes në disa karrige, e cila në rastin e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë kaloi pa pasoja të mëdha, apo më në fund do t’i duhet të zgjedhë qartë njërën anë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraprakisht ia ka konfirmuar personalisht Putinit pjesëmarrjen e delegacionit serb, të cilin ai personalisht  do ta drejtojë atë ditë në Sheshin e Kuq. Kjo do të ishte gjithashtu vizita e parë e Vuçiqit në Rusi që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022.

Shkuarja në Moskë sigurisht që nuk do të kalonte pa u vënë re, veçanërisht në Bruksel. Mesazhet nuk kane munguar nga majat e Bashkimit Evropian,  se vendet që do shkojnë në Moskë mund të përballen me pasoja. Në rastin e Serbisë, e cila është kandidate për anëtarësim në BE, ajo mund të bllokohet për t’u pranuar në Union. Një informacion te tillë e ka publikuar edhe britanikja “Telegraph”, duke thënë se zyrtarët evropianë e kanë paralajmëruar Vuçiqin se vizita e tij do të ishte shkelje e kritereve për anëtarësim në Union dhe do të prishte ambiciet e Serbisë për anëtarësim.

Nuk u desh shumë kohë për një reagim edhe nga Moska. Maria Zakharova, përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, u shpreh, si gjithmonë në raste të tilla, dhe e quajti “ringjallje të euronazizmit” synimin e BE-së për të bllokuar pranimin e Serbisë nëse presidenti Vuçiç merr pjesë në Paradën e Fitores në Moskë.

Tashme dihet se rruga evropiane është më shumë me fjalë sesa me vepra. Serbia prej vitesh po përpiqet të balancojë rrugën e saj evropiane dhe “miqësitë tradicionale” me Lindjen. Kjo politikë dikur mund të ketë pasur njëfarë suksesi, por pas luftes së Rusisë ndaj Ukrainës, shpesh u kritikua dhe u vu në pikëpyetje. Në këtë kontribuoi edhe refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, gjë që nuk shihet aspak në mënyrë të favorshme në Bruksel.

Advertisement