Connect with us

Politike

‘Na hëngrët dheri’/ Gjekmarkaj: Gjuajtëm gurin kundër ‘Tigrushit’

Nga: Agron Gjekmarkaj
Kronike padurimi e ankthi zavall.

Përsëri çudia u shfaq fuqiplotë në sallën e Kuvendit. “Na hëngrët dheri, na hëngert dheri” dëgjohej një psherëtime rënkuese nga fundi. Ishte Bujari i Lushnjës që shprehte ankthin e një jave të gjatë. Hallë Ikonomi shpërndau hallvë për t’u ëmbëlsuar pak në mes të atij zeheri. Tigrushi dhjeu në tas e def nga sytë, iku por sperkati gjithandej me firomë. Padurimi për të larë duart me këtë histori se kush ishte më shumë i ndershëm kapi majat. Të gjithë e gjuajtëm gurin me dhe pa mëkat kundër Tigrush Mari Magdalenes. Doktori me procedurë hodhi shpejt e shpejt një qerre që e kishte tërhequr Kryezëvendës Lideri Muli me Mondin.

Gaz Bardhi ngarkoi dy gomarë në rrëzë të Dajtit, sëbashku me Joridën veprim që e thirri raport. Hipi vetë në mes u tha ush or dreq dhe i lëshoi aty, në foltore. Arben Pëllumbi kishte mbushur dy torba me ca guralecë kauçuku të cilët një nga një i qiste si me përtesë. Ne të tjerët shtypëm butonin. Duke përfituar nga fakti që Tao po kalon orët e fundit mes nesh derisa Bakja të kthehet për betimin pamë nga ai dhe i thamë “ju dhashtë Zoti kivet e shnosh me të tjerët. Ai mendueshëm u gjegj ju shpërblefshim në të tilla raste e me gëzime vlla”.

Toni bëri shenjën e Kryqit dhe shqiptoi “de profundis”. Por u befasua dhe kërshëria e la pa frymë kur Etilda tha vargjet e Nënë Terezës me sytë kah qielli “gjëja më e lehtë të gabosh/ pengesa më e madhe -frika/gabimi më i madh -dorëzimi/origjina e gjitha të këqijave-egoizmi. U shastis kësaj here edhe vetë Mimi di Puccini të cilën e karakterizon dominimi i doktrinës. Shikimi i Etjenit ishte si një re respekti mbi përshpirtjen e Etildës. Zoti shfaqet kur se pret. Jorida u ndje e sfiduar në kulturë religjioze dhe u zotua që herën tjetër do sillte më domethënëset ajete të Kuranit.

 

 

Lideri i vogël historik u shfaq për kë ja mori mendja se ja jep dorën ja zgjati. Me pak zonja e provoi. Babo i ka dhënë garanci; eja se nuk të prek njeri me dorë sa të jem unë gjallë, jo vulën që nuk ta ngasin, po të marrin te keqen haramsëzët.

Në gjithë atë gazep emocional ardhja e Babos qe festë më vete. Gjithnjë e më pak e shohim e malli na thyen moralisht. Ministrusheve fytyrëngrysura ju kthye gazmendi. Bora u avit me ndrojë dhe i tha; Baboo Baboo a ta prek pak mëngën e kostumit? Ai ktheu kokën ngadalë -i ke duart e lara? Po po sapo brofi. E mire -preke në xhep ke dhe dy gurabi! Bora e lëmoi dy herë dhe shkoi drejt Edonës duke i treguar se tani ndihej e pamposhtur. Më pas Mamica fliste më duart e këmbe teksa Babua dëgjonte me përqëndrim. Mbase i rrëfente betejën e djeshme ku plumbat e përshkonin po ajo nuk binte krejt siç e thamë, si Sulo mitralieri. Burrat e squllur e të bërë grusht dje u ringjallen sot çoku u erdhi goja por Babo u rrinte rëndë. Vetëm Ulsiu dhe Tao patën fat të rrinin vetëm për vetëm më të te zyra e zonjës Linditë. Kafen e kishte gjerbur më parë për provë Kosta i Gramozit dhe Linditës mos Salianji u kishte punuar qindin. Priten dy minuta dhe kur panë që Kostaqi mbahej rrufiten të tyren. Çyrbja shihej në celular dhe fap qeraste veten me nga një foto pastaj i bënte dy Babos për të qenë i drejtë.

Nderdyzje e dilema shkaktoi kostumi i Babos ishte prej basme safkën Berati i kombinatit “Mao Ce Dun” të Beratit apo kambriku i atij “Stalin” të Tiranës. Fadil Nasufi dhe Xhemal Qefalia desh mbërritën te koburet për ta ndarë atë punë. Dilos ja kishte ënda që të ishte safkën Berati për nacionalizëm lokal, por edhe si shenjë e vëmendje së Babos ndaj zonës, Xhema ngulte këmbë që shkëlqimi i tij nuk e gënjen është i Tiranës. Sherrin e preu në mes Pandeli Majko. Jam dëshmitar me Gjekmarkajn kur ja dha Klintoni peshqesh nga populli i Teksasit bashkë me një kapele. Këqyren nga unë-e pohova! Zheni Bebi Gjergji dhe Greta Bardeli Gjoni pas vendimit të djeshëm të Dhurata Tyli Çupit për të zvogëluar mbiemrin po bënin provë cilën pjesë të hiqnin. ‘Se pas vajit ditë e gazit prapë vjen’, thotë Esenini. Ajo erdhi edhe për mua kur Olta më solli një libër nga Amerika “107 mënyra diplomatike për t’u pajtuar me Gertën”. Po e lexoj me një frymë.

Advertisement