Connect with us

Aktualitet

Narkosamiti i Arubës

Nga Alfred Lela 
Gazetari Nello Trochia, në një libër të sapobotuar nga Rizzoli, një shtëpi e famshme në Itali, shkruan ndër të tjera, bazuar në biseda të interceptuara të shërbimeve inteligjente, se në Aruba ka patur një takim të zyrtarëve [të lartë shqiptarë] me krerë të narkotrafikut me lidhje globale.

Për t’i dhënë pak kontekst këtij lajmi, duhet thënë se ishin interceptimet italiane që çuan në rrëzimin e ministrit të parë të Brendshëm të Ramës, Sajmir Tahiri.

Për të shkuar më tej, mund të thuhet se pista italiane, disa shkrime në gazeta kombëtare dhe reportazhesh të RAI 3 (rrjetit publik), huazuan nga fjalori politik i ish-kryeministrit Berisha termin “narkoshteti’.

I pyetur drejtpërdrejt në intervistën për korrespondenten Alba Kepi se, a e tepronte Berisha me përshkrimin e Shqipërisë së Ramës si “narkoshtet”, Trochia e tha troç: kam pyetur Nicola Grattieri-n, kryeprokuror i Napolit, për këtë dhe ai më ka thënë ‘është edhe më keq’.

Konteksti (rrethanat shpjeguese) bëhet edhe më i ashpër nëse, së pari, kujtojmë se terminologjia e ngjashme e Presidentit Trump për luftën kundër drogës është përqendruar te kartelet dhe narkoterrorizmi, të cilëve u ka shpallur luftë të hapur. Në linjë ka qenë edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së ShBA në Tiranë, zonja van Horn kur, në disa takime me zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe qeverisë së re i ka rënë së njëjtës kambanë.

Pa patur një shqetësim, pa patur informacion, përfaqësuesja amerikane nuk ka pse përsërit refrenin e Presidentit të saj me zyrtarë të lartë të vendit pritës, në këtë rast Shqipërisë. Do të ishte si të flisje për plantacionet e bananeve në një vend të Europës Veriore.

Fakti që refreni i takimeve të Ambasadores ad interim të ShBA ka ndryshuar, krahasuar, me le të themi, pak muaj apo një vit më parë, flet shumë për prioritetet amerikane në raport me ne, por më shumë për gjendjen e Shqipërisë.

Sigurisht, Shqipëria e Edi Ramës nuk dëgjon nga ai vesh, por shkon gjithmonë në drejtim të kundërt të ngjarjeve që lidhen me të nesërmen, duke folur për një të ardhme iluzive, një avatar të së ardhmes.

Ato që janë kryetema, si shpopullimi dhe piramida e narko-ekonomisë, janë zëvendësuar me tema të lehta dhe gazmore, si turizmi dhe ‘martesa me BE’. Shmangia është e qëllimshme dhe, sa më shumë të thellohet gropa e zezë e demografisë dhe narko-ekonomisë, aq më lart do ta ngrejë Rama antenën e tv-ve të oborrit të tij në drejtim të valëve ku ka diella, superjahte që vizitojnë brigjet tona (me ç’rast derdhin edhe ujrat e zeza), shota të ringjallura të rilindjes që bëhen tanke të imagjinatës së rilindur partizane, satelitë që deri më tash as gomarin e Nastradinit nuk e kanë pikasur, marina luksoze që kontrastojnë me pjesën tjetër të qytetit, ku shqiptarët fërkohen me shoshoqin pa parqe, pa parkim, pa gjelbërim, pa ujë, si sardelet në rrjetë.

Tek-tuk lajmërohet korruptimi i ndonjë ish-opozitari, të dalë në merkaton politike me parametra zero, pra që nuk i vlen më as shpisë së vet dhe, si gjithmonë, ndërrimi i skuadrave drejtuese në nivel qendror dhe lokal, sipas të vetmes teori qeverisjeje që Rama di: punë të vogla me fanfarë të madhe, lart e më lart flamujt e propagandës, karvani të lehë, qentë të shkojnë përpara. Punët që kanë mbetur, intelektualizmi i narkotrafikut dhe patro-administratës, i bëjmë ne, populli i kuqzgjedhur i Rilindjes; për punët e rëndomta marrim bangladeshas, çelësat e Shqipërisë ia lëmë në dorë Diellës-nëse na dështon ajo kemi Zotin (tani edhe me një ndërmjetësim të ri e të fortë, Baba Mondin në krye të shtetit bektashi).

Me pak fjalë, qeveria të jetë kujdestarja e paktit të arritur në narkoSamitin e Arubës, ndërsa Shqipëria të mbetet aty ku ka qenë të shumtën e historisë së saj, tamponi menstrual i një krijese që në vend të historisë pjell storje. Si këto me dronë, diella, e plagë të tjera psikologjike.

Një trekëndësh Bermude që ka ciklone, por jo cikle.

Një informacion për Diella AI: ciklonet shkatërrojnë, ciklet të lëvizin përpara.

Advertisement