Connect with us

Aktualitet

Ndërron jetë ish-kryebashkiaku i Tiranës

Ish kryetari i Bashkisë së Tiranës, Tomor Malasi është ndarë dje nga jeta në moshën 87 vjeçare.

Malasi ka qenë një politikan i rëndësishëm i Partisë Demokratike në ditët e para të krijimit të saj.

Ai u emërua kryetar i Bashkisë së Tiranës pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1991 nga Partia Demokratike, post të cilin e mbajti për një vit.

Pas rrëzimit të diktaturës komuniste në dhjetor të vitit 1990, u zhvilluan zgjedhjet e  para pluraliste më 31 mars të vitit 1991. Kuvendi i parë pluralist  i dalë nga këto zgjedhje, vendosi në shtator të po atij viti, që  kryetari  i bashkisë së qytetit të caktohej nga partia që kishte fituar shumicën e mandateve të deputetëve në secilin qytet. Partia Demokratike fitoi shumicën e mandateve të deputetëve në qytetet kryesore të Shqipërisë. Tirana ishte qyteti ku PD arriti fitoren më të thellë në këto zgjedhje.

 

 

Bazuar në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, kryetar  i bashkisë së Tiranës u caktua nga PD, zoti Tomor Malasi.

Në vitin 1992, kur u ribënë zgjedhjet e përgjithshme, Malasi la Bashkinë për të marrë mandatin e  deputetit, deri në vitin 1996.

Gjatë këtyre katër viteve ai ishte edhe nënkryetar i Kuvendit ku shumica i përkiste Partisë Demokratike.

Pas zgjedhjeve të vitit 1996, Malasi u rreshtua në grupin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PD-së të cilët kërkonin që kjo forcë politike dhe ish Presidenti Berisha të mbanin përgjegjësi për fajdet që shkaktuan trazirat e vitit 1997.

Familja e Tomor Malasit ka njoftuar se ceremonia mortore do të zhvillohet sot në orën 13:00.

Advertisement