Kulture
Ndryshon ligji “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”
Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës zhvilluan sot një dëgjesë publike me Agjencinë e Administrimit Kolektiv “Albautor”. Synimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, me qëllim përshtatjen me Direktivat e Bashkimit Evropian dhe rregullimin e mënyrës së funksionimit të Agjencive të Administrimit Kolektiv (AAK).
Nga ana tjetër, problematikat e hasura gjatë viteve të fundit i bëjnë të domosdoshme disa ndryshime ligjore.
Ligji nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” është një ligj i harmonizuar dhe i integruar me Direktivat e Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, lind nevoja e përafrimit të tij me 3 (tre) direktiva të Bashkimit Evropian:
- Direktivën 2012/28 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian “Për përdorime të caktuara të lejuara të veprave pa autor”;
- Direktivën 2017/1564 (BE) të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian “Mbi disa përdorime të lejuara të veprave të caktuara dhe fusha të tjera të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to në përfitim të personave të cilët janë të verbër, me shikim të dëmtuar ose ndryshe me aftësi të kufizuara në leximin e materialeve të printuara”;
- Direktivën 2011/77/BE e Parlamentit Europian dhe Këshillit Evropian “Amendimi i Direktivës 2006/116/KE mbi afatin e mbrojtjes të të drejtave të autorit dhe disa të drejtave të lidhura me to”.
Së pari, përafrimi i Direktivës 2017/1564 (BE):
- Sjell përkufizime të reja për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.
- Përcakton mënyrën e përdorimit të lejuar dhe realizimin e kopjeve në format të aksesueshëm nga personat përfitues apo subjektet e autorizuara që i shërbejnë nevojave të personave me aftësi të kufizuara në leximin e materialeve të printuara; në veçanti libraritë, institucionet arsimore dhe organizata të tjera jo-fitimprurëse.
- Përcakton detyrimet e subjekteve të autorizuara të cilat shpërndajnë, komunikojnë tek publiku ose vënë në dispozicion të publikut kopje në formate të përshtatshëm të aksesueshëm për personat e verbër, persona me shikim të dëmtuar ose ndryshe me aftësi të kufizuara në leximin e materialeve të printuara.
- Rrit disponueshmërinë e librave dhe materialeve të tjera të printuara në formate të përshtatshme e të aksesueshme për përsonat me aftësi të kufizuar në lexim.
- Lehtëson identifikimin dhe bashkëpunim e personave të autorizuar, përfitues, subjektet e autorizuara publike apo private, për përdorimin dhe realizimin e këtyre kopjeve.
Së dyti, në zbatim në praktikë të ligjit aktual për të drejtën e autorit janë konstatuar problematika në lidhje me funksionimin e Agjencive të Administrimit Kolektiv, roli i të cilave është themelor për zbatimin e të drejtave të autorit.
Për këtë arsye propozohet të ndryshohen / saktësohen dispozitat:
- Neni 135 pika 2.
Sistemi i administrimit kolektiv të të drejtave nuk do të jetë më i zgjeruar. Sporteli Unik SUADA do të ushtrojë funksionin e mbledhjes së të ardhurave vetëm për anëtarët vendas dhe të huaj të AAK-vë në bazë të kontratave dhe listave të specifikuara të të drejtave të autorit.
Rëndësia e këtij ndryshimi ligjor:
Nga monitorimet e kryera tek AAK-të në Republikën e Shqipërisë, konstatohet se:
- Ka mungesë transparence, e cila ka pasur fokus mbledhjen e të ardhurave dhe jo shpërndarjen e tyre;
- Mungesë transparence në mbledhjen e tarifave për përdorimin e të drejtës së autorit;
- Është konstatuar mungesë besimi e përdoruesve të të drejtës së autorit në sistemin e menaxhimit kolektiv në Shqipëri.
- Përdoruesit nuk janë të qartë në detyrimet e tyre dhe përcaktimin e tarifës për të drejtën e autorit;
- AAK-të mund të jenë duke mbledhur shpërblimin për përdorimin e veprave, mbajtësit e të cilave e kryejnë administrimin e të drejtave të tyre në mënyrë individuale ose kanë hequr dorë nga administrimi kolektiv.
- Neni 138 i ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e sportelit unik, SUADA.
- Organizimi i Sportelit Unik
Struktura e Sportit Unik SUADA, do të përbëhet nga përfaqësues të të gjithë agjencive të administrimit kolektiv të cilët do të jenë dhe anëtarë të bordit vendimmarrës. Propozimi i ri parashikon që të mos ketë një agjenci drejtuese në krye të sportelit unik, SUADA.
- Drejtori ekzekutiv
AAK-të përzgjedhin organin më të lartë ekzekutiv, jo nga radhët e agjencive të administrimit kolektiv, por një drejtor ekzekutiv të pavaruar, brenda një afati kohor të caktuar.
Nëse nuk ka vendimmarrje, përzgjedhjen e organit më të lartë ekzekutiv të Sportelit Unik e realizon KKDA-ja.
- Mbledhja e tarifave të shpërblimit
Sporteli Unik, SUADA do të mbledhë të ardhura dhe do të shpërndajë ndaj AAK-ve, vetëm për anëtarët me të cilët agjencitë kanë lidhur kontrata.
- Shpenzimet administrative
Sportelit unik nuk mund të tejkalojë tavanin e shpënzimeve/kostove administrative 15 përqind. Kjo shumë e shpenzimeve do të përllogaritet duke u zbritur nga shpenzimet e secilës prej AAK-ve. Bazuar në ligj shpenzimet totale të një AAK-je nuk mund të përbëjnë më shumë se 30 për qind të shpërblimeve të shpërndara. Sporteli Unik kryen mbledhjen e shpërblimeve bazuar në listat e anëtarëve të AAK-ve.
- Shpërndarja e të ardhurave
Ndarja e shpërblimeve të mbledhura ndaj mbajtësve të të drejtave do të kryhet në mënyrë të drejtë dhe në mbështetje të raporteve periodike të monitorimit të AAK-ve dhe SUADA mbi përdorimin aktual të veprave dhe objekteve të të drejtave të lidhura.
- Neni 159 i ligjit aktual, i cili përcakton mbikëqyrjen e veprimtarive të AAK-ve, është i paqartë në lidhje me përcaktimin e procedurave për pezullimin për 6 muaj të licencës apo deri në heqjen e saj në rast se konstatohet se veprimtaria e AAK-ve nuk ështrë në përputhje me dispozitat ligjore.
Për këtë qëllim, është propozuar që pika 5 e nenit 159 të ligjit aktual të riformulohet duke shfuqizuar afatin 30 ditor për rregullimin e të metave të konstatuara. Një procedurë administrative e cila fillon kryesisht është e mirëpërcaktuar në ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë”. Në vijim, nëse konstatohet se veprimaria e AAK-së është në kundërshtim me përcaktimet ligjore, duhet të fillojë procedura administrative sipas parashikimeve ligjore dhe jo të kërkohet rregullimi i të metave.
Në vijim të këtij arsyetimi është e nevojshme që kjo procedurë të rregullohet me akt nënligjor dhe propozohet që pas pikës 6 të nenit 159 të shtohet pika 7 ku të përcaktohen se kushtet dhe procedura për pezullimin e licencës së AAK-ve do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për të drejtën e autorit.
- Neni 177 mbi Kodet e standardeve dhe konformitetit të produkteve që lidhen me zbatimin e të drejtave të autorit dhe të drejtat e lidhura shfuqizohet, pasi nuk gjen interpretim dhe për rrjedhojë as aplikim në Republikën e Shqipërisë.