Connect with us

Shkrime

Në agoni apo ka vdekur/ Dialogu Kosovë-Serbi, jo serioz

Nga Daniel Serwer

Kohët e fundit në eter enden shumë pyetje në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. A do të rifillojë seriozisht?  Është vetëm në agoni apo ka vdekur? Sigurisht që dialogu deri tani ka qenë joproduktiv. Po i afrohemi vitit të 10-të që nga marrëveshja “politike” e Brukselit në vitin 2013. Një dekadë ngecjeje në Ballkan rrezikon të shpërbëjë paqen dhe stabilitetin rajonal.

Po a ka shpresë për përparim?

Momenti nuk është i përshtatshëm. Serbia është rreshtuar me Rusinë në rastin e luftës në Ukrainë, kurse SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian janë të preokupuar për të ndihmuar ukrainasit t’i përgjigjen agresionit rus. Rajoni i Ballkanit është shumë më poshtë në listën e emergjencave. Përveç kësaj, zgjedhjet në SHBA do të përqendrojnë së shpejti vëmendjen amerikane në çështjet e brendshme. Të gjithë në Ballkan do të “mbajnë frymën” për të parë nëse Donald Trump ka një shans real për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Me shpresën e saj, Serbia do të vazhdojë me pauzat e dialogut me Kosovën, pasi që Trump ishte dashamirës ndaj ambicieve territoriale të Beogradit. Nëse Prishtina dëshiron diçka nga dialogu, duhet ta arrijë atë sa më shpejt. Duke dëgjuar deklaratat publike të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, duket se të dy do të dëshironin që presidenti serb, Aleksandër Vuçic, të pranonte abuzimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë në vitet ’90. Vuçiq, i cili shërbeu në atë regjim, nuk ka qenë i gatshëm, si publikisht ashtu edhe privatisht  t’i pranojë ato. Ai vuan nga një rast i rëndë i amnezisë dhe “balancës së rrejshme”. Kurti, i cili ka kaluar kohë duke e lexuar Sartre në burgjet serbe gjatë luftës së vitit 1999, e mban mend mirë. Asnjëri prej të dyve, as ai e as presidenti serb, nuk ka një elektorat të brendshëm politik që dëshiron një marrëveshje. Por pranimi nga ana e Vucic Vuçicit të qëllimeve të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe për mijëra përdhunime nga forcat serbe do të hapnin rrugë për përmirësimin e bashkëpunimit, siç nxitet në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të vitit 2010 që nisi dialogun. Kurti do të duhej të pranonte abuzimet e shqiptarëve ndaj serbëve dhe romëve, qoftë edhe shumë më të vogla në numër. Ndërkohë, Serbia është riarmatosur dhe ka vendosur forca pranë dhe rreth Kosovës. Beogradi i thotë Uashingtonit se bashkëpunimi serb me NATO-n është shumë më i thellë dhe më i rëndësishëm se bashkëpunimi me Rusinë. Por Vuçic është lidhur gjithnjë e më shumë politikisht dhe ushtarakisht me Moskën dhe Pekinin. Ai pretendon mos-angazhim, por mbrojtja është e vështirë në një kohë tensionesh gjeopolitike dhe ai është anuar drejt Lindjes. Në anën tjetër, Kosova nuk ka asnjë opsion mbrojtës dhe eshte NATO-n, e cila mban ende përgjegjëse për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.  Pra, dialogu nuk është vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes Perëndimit dhe Lindjes. Situata nuk është “e pjekur mirë” për një marrëveshje të madhe. Para vitit 2010, kur u publikua versioni më politik i dialogut, ai u fokusua në çështje të vogla “teknike” si kodi ndërkombëtar i thirrjes së Kosovës, kthimi i artefakteve kulturore dhe njohja reciproke e diplomave. Ndoshta është koha për t’u kthyer tek ato – duke përfshirë personat e zhdukur dhe targat. Një mundësi tjetër është një negocim rajonal i parimeve bazë të sjelljes së ndërsjellë, të cilat mungojnë shumë. Asnjëra ide nuk është aq madhështore sa “normalizimi i marrëdhënieve” apo njohja reciproke. Por, ndoshta më mire një marreveshje e vogël, tani për tani.

 

Advertisement