Politike
“Ne nuk kemi bukë, ju merreni me Fishtën, merreni me shtëpia, merreni me kalldrëme, merreni me zbukurime, merreni me kulturë”.
Më vjen shumë mirë që sot, në ditën e lindjes së At Gjergj Fishtës, ne ndodhemi këtu për të kremtuar edhe realizimin e një nevoje të madhe shpirtërore të kësaj zone dhe kam dëshirë që, për hir të së vërtetës, të falënderoj dikë që nuk është as zyrtar, nuk është as studiues, por është një nga njerëzit më të bukur që unë kam njohur falë detyrës sime.
E kam fjalën për Altinin e Mrizit. Nuk e dalloj dot nga maska kush është nga të dy që janë në radhët e para, por realisht Altini ka qenë një frymëzim për mua dhe për ne, për të ndërtuar itinerarin e Fishtës, duke u nisur nga kjo shtëpi dhe për të vazhduar më tutje, jo thjesht për të nderuar kujtimin e një njeriu të madh, që nuk ka nevojë për këtë që ne po bëjmë dhe do të bëjmë, por për të forcuar një identitet shpirtëror të kësaj zone që është një ndërthurje e habitshme mes një natyre të veçantë, një mikpritjeje të veçantë, e cila pastaj ka krijuar të gjithë atë traditë që sot ka kapur një kulm të denjë për vëmendje europiane, në ato që Pjerini i quajti restorante, por në fakt janë më shumë se kaq.
Janë kuzhina mikpritjeje brenda të cilave ndjen atë elementin e tretë të zonës, që është pjesë e pandashme e saj, që është burimi i ëndrrave të kthyera në poezi, të kthyera në ese, të kthyera në beteja fjalësh të zgjedhura bukur për Shqipërinë, për kombin tonë, për historinë tonë, për të ardhmen tonë. Kam bindje që me këto tre elementë, Fishta, flas për vendin ku jemi dhe e gjithë zona i kanë të gjitha mundësitë që të kthehen ë një destinacion të hatashëm, jo vetëm për shqiptarët, por dhe për të huajt, nëse ne do të jemi të zotë, siç është i zotë Altini, Fredi, siç janë të zotë disa djem këtu, të kthyer nga emigracioni, që realisht kanë ndërtuar pasqyrën ku mund të shihen të gjithë dembelët dhe llafazanët e këtij vendi që vetëm anohen duke konsumuar kafe dhe giga me paratë e prindërve.
Nëse jemi të zotë që të ngrihemi në lartësinë e këtij potenciali, pa asnjë diskutim që kjo zonë do të jetë një zonë e begatë ku të gjithë do duan të vijnë dhe ku edhe ata që janë nga kjo zonë, në mos jetofshin këtu përditë, do duan të vendosin një pjesë të jetës së tyre në lidhje me këtë zonë.
Sot, përpara se të vija këtu, në fakt rrugës shkrova një tekst të shkurtër pikërisht për ditëlindjen e Fishtës, duke kujtuar faktin që vdekja e Naimit dhe ditëlindja e Fishtës janë si të vendosura me dorë, nga rastësia apo nga Zoti, pranë njëra-tjetrës, në një rend kronologjik që nuk është thjeshtë kalendarik, por është dhe një rend përbashkues i të dyve që janë shumë të ngjashëm në të vërtetë. Janë të ngjashëm në misticizëm, janë të ngjashëm në shërbesën e tyre ndaj kombit dhe janë të ngjashëm në vendosjen e shpirtit dhe fjalës në dispozicion të arsenalit më të fuqishëm të armëve që një komb ka për t’u lartësuar dhe për t’i rezistuar sfidave të kohës. Janë si dy krenat e shqiponjës për gjuhën tonë, njëri geg, tjetri tosk, dy përçues të gjuhës që iu referuan dy partiturave të ndryshme, krijuan muzikë të ndryshme, por kanë një lidhje shumë të ndjeshme, siç e ka të ndjeshme lidhjen shqipja, pavarësisht gegënishtes dhe toskërishtes, që janë si dy krahët e saj.
Në ndërkohë, këtu do doja të kujtoja një fakt që nuk e preka në atë tekst. Faktin e poshtërimit të Fishtës për shumë kohë nga ata, të cilët duke mos mundur t’ia shkatërronin Lahutën, edhe pse ia kyçën dhe e bënë shumë të vështirë për ne në atë kohë që të mund ta preknim e ta lexonim, i përdhosën varrin, i përdhosën dhe eshtrat.
Kam nxjerrë këtu një fjalë nga fjalori enciklopedik shqiptar i vitit 1985. Një kohë që shumëkush këtu e ka jetuar dhe në të cilën, ne kemi jetuar duke i pasur para syve dhe duke i lexuar vijimësisht të tilla fjali që sot tingëllojnë të tmerrshme;
“Në shkrimet e tij publicistike luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare”.
Gjergj Fishta, luftëtar i tërbuar kundër ideve përparimtare, një nga përparimtarët më të mëdhenj që ka nxjerrë ky komb!
“Në 7 prill ’39-të përshëndeti pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane. Në “Lahutën e Malsisë” himnizoi prapambetjen e jetës së malësisë, patriarkalizmin, padijen, lartësoi mercenarizmin dhe më tej shkroi pamfletin me vargje, “Gomari i Babatasit” që drejtohej kundër përparimit shoqëror dhe kulturor të vendit.”
Kjo ishte fryma e një poshtërimi që zgjati me dekada e që natyrisht u materializua në shkatërrimin e varrit, përdhosjen e eshtrave.
Por, fatkeqësisht, për Fishtën gjërat nuk shkuan dhe aq mirë, as kur ndryshoi regjimi dhe kur emri i tij, si shumë emra të tjerë, u mor dhe u përdor si këto dekoratat që shpërndahen sot, të cilat thuhet se janë për ata të cilëve u jepen, por në fakt janë thjeshtë dekorata për ata që i japin. Që ia japin vetes për t’i dhënë një fuqi imagjinare mbi të tjerët. E kështu, Fishta u fut në të gjitha gojët e çliruara deri në shthurje të atyre që u sollën si prurësit e lirisë e të demokracisë dhe në fakt, gurët e shtëpisë së tij u morën pikërisht kur emri i tij u rikthye në skenë si një pikë referimi.
Parafytyrojeni që në 1991-in, kjo banesë u shpall monument kulture dhe në 1994-ën u shkatërrua. Jam i bindur që edhe tani që ne flasim, ata që na ndjekin e që kanë mundësi të bëjnë ato komentet e tyre, ka ndër ta që po shkruajnë tani “ne nuk kemi bukë, ju merreni me Fishtën, merreni me shtëpia, merreni me kalldrëme, merreni me zbukurime, merreni me kulturë” e të tjera.
Por e vërteta është që shqiptarët që nga koha e Skënderbeut nuk kanë regjistruar asnjë të vdekur për bukë. Vdekjet për bukë ndodhin në kontinente të tjera dhe në zona të tjera e sot e gjithë ditën, por vdekje reale. Ndërsa shqiptarët, kurrë nuk e kanë pasur rrezikun e vdekjes për bukë që nga koha e Skënderbeut. As në komunizëm, as përpara, as mbrapa, as kur ka qenë situata më e vështirë. Ndërkohë që ajo çka shqiptareve u është mohuar vijimësisht ka qenë një tjetër bukë, buka shpirtërore, buka e kulturës, buka e dijes. E ndërkohë që varfëria ka qenë dhe mbetet një armik për t’u shpartalluar hap pas hapi, ajo çka vjen dhe rivjen si reflektim, nëse duam të shohim burimin e problemeve tona, është një varfëri tjetër. Është varfëria e aspiratave, e cila është nëna e të gjitha varfërive.
Në fakt, kjo banesë këtu është realizimi i një aspirate, por një aspirate jo thjesht për të vënë në vend gurët e shtëpisë së Fishtës, as thjesht për t’i dhënë Gjergj Fishtës një adresë të prekshme për njerëzit që duan të vijnë ta vizitojnë, por një aspirate për të shtuar bukën e kulturës në një vend ku kjo nevojë është e jashtëzakonshme. Çfarë i ndodhi pasurive tona kulturore dhe çfarë ndodhi me bukën e kulturës, qoftë më parë, në kohën e diktaturës, qoftë më pas, në kohën e dy gishtave, është arsyeja themelore, sipas meje, e shumë pasojave të tjera që ne vazhdojmë t’i vuajmë sot e gjithë ditën.
U shkatërrua varri i Skënderbeut; u vendos në listën e zezë të UNESCO-s, Berati dhe Gjirokastra si trashëgimi botërore në rrezik zhdukjeje; u rrënuan sa e sa monumente të tjera kulture; u la e gjithë pasuria në dorë të Zotit dhe të fatit. E papritur e pakujtuar, pasi ne nuk kemi bërë ndonjë mrekulli, por kemi bërë për të gjithë këtë pasuri më shumë sesa të gjithë të tjerët të marrë së bashku në dekada, na doli papritur një shpirt revolte për një godinë në mes të Tiranës që nuk ishte as monument kulture dhe që nuk kishte asnjë lidhje me kulturën, me trashëgiminë kulturore, me të gjitha arsyet pse ne jemi sot, këtu dhe ndihemi mirë përpara një shtëpie modeste me dy kate. Edhe ajo ishte një tregues rrëqethës i një të vërtetë shumë të thjesht, të devijimit komplet në drejtim të paditur për shkak të mosushqimit për shumë e shumë vite, me dekada, me bukën e kulturës.
E dëgjova me shumë vëmendje dhe e falënderoj zotërinë që e çeli këtë event modest, por të shumëpritur e dua t’i them që ne duam dhe do ta vazhdojmë të gjithë itinerarin. Kjo shtëpi është rishpallur monument kulture dhe ne kemi hartuar jo vetëm projektin e restaurimit të saj, por jemi duke ecur me projektet e zbatimit të gjithë programit të jetëzimit të gjurmëve të jetës së Fishtës. Pra, një rrjet të gjurmëve fishtiane në të gjithë vendin, por dhe jashtë tij, me ndërhyrje të vogla, apo pak më të mëdha, por që në tërësi bëjnë një ndërhyrje të madhe, që nga Famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua talenti i tij i jashtëzakonshëm, tek shkolla Françeskane në Shkodër, ku At Gjergji mori formimin e tij të parë, tek biblioteka brenda Kuvendit, dedikuar figurës së Fishtës, Kuvendit të Troshanit, ku ai u kthye në vendlindje si mësues dhe brenda Kuvendit të Troshanit, që është shpallur monument kulture vetëm në vitin 2017 nga ne, do të krijojmë një kënd të posaçëm për Fishtën.
Po ashtu, restaurimi dhe muzealizimi i selisë së Shoqërisë Bashkimi që bashkoi bashkë Fishtën me Luigj Gurakuqin, me Dom Ndoc Nikën, me At Ambroz Marlaskajn, me Franz Baron Nopcsa-n, ku At Gjergji mori pjesë në të gjitha botimet e Shoqërisë, duke u nisur nga Abetarja, tek librat e këndimit dhe tek përpilimi i vyer i Fjalorit të Gjuhës Shqipe. Shndërrimi muze i asaj godine, aktualisht gjysmë të rrënuar në Sareq të Shkodrës, mendojmë që do t’i shtojë pas Marubit një tjetër muzeum me shumë vlera Shkodrës.
Më tej mendojmë të ndërhyjmë për të përkujtuar, apo për të rijetëzuar gjurmët e Gjergj Fishtës tek kisha famullitare e Dom Lleshit, Zonja Nunciatë në Lezhë, si dhe kisha famullitare e Gomsiqës.
Kemi po ashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri, dedikuar Gjergj Fishtës, edhe në godinën ku është mbajtur Kongresi i Manastirit në Maqedoninë e Veriut dhe ku Fishta ishte përfaqësues i Shoqërisë Bashkimi dhe mbajti një ligjëratë për alfabetin latin, në atë betejë të madhe për alfabetin.
Ndërkohë, edhe bota digjitale do të jetë një hapësirë ku ne do të krijojmë një jehonë të këtij rrjeti.
Në diskutimin për ngritjen e një memoriali, e një shenje në mjediset publike, në shkollën në Tiranë për bashkëjetesën fetare, ne besojmë se duhet dhe do gjejmë mënyrën sesi të rilevojmë atë që u thua edhe këtu, që ka qenë një nga momentet epike të betejës së Gjergj Fishtës, mbrojtja e fuqishme që ai i ka bërë komunitetit mysliman dhe idesë se Shqipëria nuk është as myslimane, as e krishterë, por Shqipëria është edhe myslimane, edhe e krishterë, është një vend që e ka këtë thesar për të cilin Fishta ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme.
Të gjitha këto nuk do ishin të mjaftueshme, nëse dhe vetë fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një procesi rijetëzimi hap pas hapi, restaurimi, në mënyrë që e gjithë zona të fuqizojë fuqinë e saj tërheqëse që ka filluar ta ketë falë Altinit dhe falë të tjerëve që janë shumë aktivë këtu dhe që po i japin zonës emër sot, duke krijuar kushtet që kur njerëzit të vijnë në këtë zonë, të kuptojnë që emri në fakt është shumë më i madh, shumë më i kahershëm dhe është i lidhur edhe me këtë figurë kaq të madhe të kombit shqiptar.
Lasgush Poradeci thoshte për Fishtën se është shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar. E kjo mjafton për të ndaluar këtu dhe për ta ndaluar fjalën time, duke u larguar sot nga kjo gjurmë fishtiane, me dëshirën për t’u kthyer përsëri me të tjera aktivitete që do të kremtojnë itinerarin e Fishtës dhe me dëshirën e jashtëzakonshme për t’i dhënë njerëzve të kësaj zone që kanë, siç thashë qysh në fillim, diçka të veçantë dhe jetojnë në një univers të veçantë, instrumente të tjerë, që ta ndërtojnë jetën e tyre këtu me një perspektivë të lidhur shumë fort me historinë, të lidhur shumë fort me natyrën, të lidhur shumë fort me traditën, të lidhur shumë fort me krenarinë për çka kjo zonë ka dhe për çka kjo zonë është, çka ka nga Zoti dhe çka është prej njerëzve.
Shumë respekte dhe shumë faleminderit të gjithëve, në mënyrën më të posaçme zotnisë që me fjalën hyrëse më vuri në pozitë të vështirë, gjë që nuk ndodh shpesh, kur vjen puna për fjalë.
Faleminderit!