Bota
‘Nëse Moska depërton vijën e frontit, ne do të ofrojmë ushtarë për Kievin’
Presidenti francez Emmanuel Macron flet sërish për dërgimin e mundshëm të trupave perëndimore në Ukrainë, në rast të një përkeqësimi të situatës në front. Komentet Macron i bëri në një intervistë për ‘The Economist’, në një mënyrë më të detajuar: “Nëse Rusia do të kalonte vijën e parë të frontit dhe nëse do të kishte një kërkesë nga Ukraina, gjë që nuk është rasti sot, atëherë ne duhet të pyesim veten në mënyrë legjitime për këtë kërkesë”.
Për herë të parë, presidenti francez i artikuloi këto deklarata në fund të shkurtit, në përfundim të një samiti për Ukrainën në Elysee. Që atëherë, Macron e ka përsëritur këtë pozicion në disa raste, duke e kontekstualizuar atë brenda një alarmi gjithnjë e më të fortë mbi një kolaps të mundshëm të rezistencës ukrainase.
Presidenti francez përsërit se niveli i kërcënimit rus është rritur, siç deklaroi dje edhe NATO, duke denoncuar “veprime hibride” të Kremlinit në pjesë të ndryshme të kontinentit, duke përfshirë “sabotim, akte dhune, ndërhyrje teknologjike, fushata dezinformuese”.
“Armiku nuk ka kufi”
Prandaj, Macron këmbëngul në nevojën për të mos vendosur kufizime në opsionet e mundshme të Perëndimit duke përfshirë dërgimin e trupave në territorin ukrainas.
“Të përjashtosh apriori do të thotë të mos mësosh mësimin e dy viteve të fundit”, shpjegon Macron, duke kujtuar se fillimisht vendet e NATO-s hodhën poshtë hipotezën e dërgimit të tankeve dhe avionëve luftarakë në Kiev.
“Siç thashë, nuk përjashtoj asgjë, sepse jemi përballë dikujt që nuk përjashton asgjë”, përsërit Macron, duke iu referuar Vladimir Putinit.
Macron inkurajon aleatët për një “zgjim strategjik”, duke treguar qëllimin e tij: “Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë”. “Nëse Rusia fiton, ne nuk do të kemi më siguri në Evropë”, thotë kreu i shtetit, i cili në të kaluarën besonte se një dialog me Putinin ishte i mundur. “Kush mund të presë që Rusia të ndalet atje? Çfarë sigurie do të ketë për vendet e tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë e shumë të tjera? Nuk duhet të përjashtojmë asgjë”.
Maturia e BE-së
Nëse javët e fundit, me përkeqësimin e në frontin e luftës në Ukrainë, disa qeveri në Evropën Veriore dhe Lindore kanë rënë dakord me Macron, maturia vazhdon të mbizotërojë në shumë kryeqytete të kontinentit europian. Moska i hodhi poshtë deklaratat e reja të presidentit francez si jo lajm. “Deklarata javore, është një lloj cikli”, komentoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.
Në Budapest, Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjártó e përcaktoi pozicionin e liderit francez si “kërcënues”. “Nëse ka trupa perëndimore në territorin ukrainas, lufta do të bëhet më e madhe,” komentoi ai. Nga Italia, Matteo Salvini postoi: “Asnjëherë një ushtar italian nuk vdes në emër të Macron. Kështu mendoj”.
Në intervistë, lideri francez vlerësoi kryeministren italiane Giorgia Melon, e cila, sipas tij, ka demonstruar një “qasje evropiane”, ndryshe nga liderët e tjerë nacionalistë që kur “janë rreth tryezës”, e marrin Evropën peng.
“Unë u them evropianëve: zgjohuni!”, kërkon Macron. “Të gjithë nacionalistët evropianë janë Brexitistë të fshehur”, shton presidenti francez.
Vizita e Xi Jinping
Kancelari gjerman Olaf Scholz do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron të enjten mbrëma në Paris për një darkë për të diskutuar politikën e Bashkimit Evropian dhe Kinës. Kancelari gjerman ka hedhur poshtë deklaratën e parë të Macron për dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë.
Takimi i cilësuar si “privat” nga Elysee, mbahet pak ditë para mbërritjes në Evropë të presidentit kinez Xi Jinping, që pritet të dielën në Francë dhe më pas në Serbi e Hungari. Scholz u kthye nga Kina, ku u takua me Xi, në prill. Macron i ka kërkuar Ursula von der Leyen që të jetë e pranishme në Paris për ardhjen e presidentit kinez dhe mund të përpiqet të bindë edhe kancelarin që të bashkohet./La Repubblica