Shkrime
New York Times: Donald Trump ia doli pa dashje, i bashkoi europianët e përçarë – Efekti anësor

Kur Donald Trump mori për herë të parë drejtimin e Shteteve të Bashkuara me sloganin bombastik “Ta Bëjmë Amerikën të Madhe Sërish”, pak do ta kishin imagjinuar se një prej pasojave më të mëdha të presidencës së tij në politikën globale do të ishte forcimi i Bashkimit Europian. Me çdo tarifë të re, çdo fjalim për aleatë të papërgjegjshëm dhe çdo flirt diplomatik me rivalë si Rusia, Trump pa dashje i dha jetë një ndjenje urgjence dhe uniteti brenda BE-së. Sipas New York Times, në vend që të shpërbëhej nën presionin e jashtëm dhe skepticizmit të brendshëm, Europa u rreshtua rreth vetes, më e bashkuar, më ambicioze dhe më e vetëdijshme për nevojën për të vepruar si një fuqi e vetme në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme.
The New York Times:
Premtimi i Presidentit Trump për ta “Bërë Amerikën të Madhe Sërish” duket se po ka një efekt anësor të papritur: Ai po i bashkon përsëri europianët. Bashkimi Europian ishte në gjendje të keqe në fillim të mandatit të parë të Trump. Besimi publik ndaj bllokut ishte në nivel historikisht të ulët, Britania sapo kishte votuar për të dalë, dhe ekonomia europiane po përpiqej të rimëkëmbej nga kriza globale financiare, e cila kishte shkaktuar një varg krizash borxhi nëpër kontinent.
Por gjërat filluan të përmirësoheshin ngadalë që nga viti 2016. Në muajt e fundit, ndjesia ndaj Bashkimit Europian është përmirësuar më tej. Vlerësimet e besimit po i afrohen një rekordi dy-dekadësh. Udhëheqësit e BE-së po lidhin marrëveshje tregtare me ekonomi me rritje të shpejtë si Indonezia, po krijojnë një plan mbrojtjeje që ka tërhequr partneritete me shtete si Kanadaja, dhe madje edhe Britania së fundmi ka arritur një marrëveshje për të rregulluar marrëdhëniet. Blloku ende përballet me probleme reale. Popullsia e tij po plaket dhe rritja ekonomike mbetet e ngadaltë. Kundërshtarët populistë që e kritikojnë me zë të lartë kanë fituar terren, dhe po përpiqet të gjejë mënyra për të gjallëruar konkurrueshmërinë. Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, është përballur me kritika të ashpra ndërsa përpiqet të riformojë buxhetin e bllokut. Por edhe në shtete anëtare si Danimarka, e cila historikisht ka qenë skeptike ndaj buxhetit dhe politikave kufitare të Bashkimit Europian, ndjenjat ndaj bllokut janë bërë dukshëm më pozitive.
“Mbështetja për BE-në nuk ka qenë kurrë më e lartë,” tha në një intervistë Marie Bjerre, ministre për Çështjet Europiane në Danimarkë.
Rreth 74 për qind e danezëve thanë se i besojnë Bashkimit Europian në një sondazh të fundit të opinionit publik të kryer për Komisionin Europian, nga 63 për qind që ishte pesë vjet më parë. Kjo lëvizje nuk është e izoluar, në të gjitha shtetet anëtare, qytetarët po ndihen më besimplotë ndaj Bashkimit Europian, duke vazhduar një trend që e kanë konstatuar edhe sondazhe të tjera të pavarura. Kthesa nuk vjen vetëm për shkak të Trump-it. Puna e bllokut në organizimin e përgjigjes ndaj pandemisë së koronavirusit, përfshirë sigurimin e vaksinave, ndihmoi në rritjen e popullaritetit të tij. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 i tregoi shumë qeverive dhe qytetarëve europianë se siguria e tyre kombëtare mund të vihej në rrezik. Megjithatë, qëndrimi i fundit i Amerikës ndaj aleatëve të saj të vjetër ka ndihmuar gjithashtu qartazi në atë që Jörn Fleck, drejtor i lartë në Atlantic Council, një think tank, e quan një “rreshtim rreth flamurit të Bashkimit Europian”.
“Ne gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie shumë të fortë me SHBA-në,” shpjegoi znj. Bjerre. “Tani, përballemi me tarifa të pajustifikuara dhe madje akuzohemi se nuk jemi aleatë të mirë. Dhe sigurisht që kjo ka ndikim, dhe kjo është arsyeja pse po i drejtohemi gjithnjë e më shumë BE-së.”
Kush drejtohet më mirë?
Numri i vendeve të BE-së ku njerëzit miratojnë më shumë udhëheqjen amerikane sesa atë të vetë bllokut ka rënë ndjeshëm.
Që kur mori detyrën në janar, Trump ka kërcënuar se do të pushtojë Grenlandën, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës. Administrata e tij i ka quajtur europianët “të mjerueshëm” në komunikime të publikuara nga aplikacioni i mesazheve Signal. Vetë Trump ka thënë se blloku u krijua për të “masakruar” Amerikën.
Presidenti ka vendosur tarifa më të larta për mallrat europiane dhe këtë muaj kërcënoi se do të vendosë një taksë të re prej 30 për qind për të gjitha importet, një masë që zyrtarët europianë paralajmëruan se do të shkatërronte tregtinë transatlantike.
Trump ka kërkuar gjithashtu që Europa të bëjë më shumë për të paguar për mbrojtjen e saj dhe ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i vijnë në ndihmë vendeve që ai mendon se nuk po kontribuojnë mjaftueshëm për sigurinë e tyre.
E gjithë kjo e ka shtyrë Europën të largohet më shumë nga Amerika dhe të afrohet më shumë me njëra-tjetrën.
“Ka një ndërgjegjësim në rritje se në fund të ditës, të gjitha vendet europiane janë të vogla,” tha z. Fleck. “Që Europa duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të bashkojë burimet.”
Ai theksoi se rehabilitimi i imazhit të Europës ka kërkuar kohë dhe është rezultat i shumë faktorëve.
Përballë agresionit në rritje të Rusisë dhe këmbënguljes së Amerikës që qeveritë europiane të bëjnë më shumë për mbrojtjen, shtetet anëtare të BE-së po përpiqen me shpejtësi të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake. Por, ndërkohë që vendet kanë hasur vështirësi për të gjetur hapësirë në buxhetet e tyre të kufizuara kombëtare për të shtuar blerjet e dronëve dhe artilerisë, Bashkimi Europian ka ndërhyrë.
Zyrtarët e BE-së prezantuan në mars një plan huaje të përbashkët për prokurim në vlerë prej 150 miliardë eurosh, përmes të cilit shtetet anëtare mund të përdorin borxhin e garantuar nga Brukseli për të rritur aftësitë ushtarake. Ata njoftuan gjithashtu se blloku do t’u jepte vendeve hapësirë manovre brenda rregullave të tyre buxhetore për t’u lejuar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
Shtetet individuale brenda Bashkimit Europian janë afruar më shumë me njëra-tjetrën: Gjermania dhe Franca po bashkëpunojnë më ngushtë, sidomos pas zgjedhjes në maj të Friedrich Merz si kancelari i ri i Gjermanisë. Madje edhe Britania, e cila u largua zyrtarisht nga blloku në vitin 2020, ka kërkuar të përfshihet në planin e përbashkët të prokurimeve të mbrojtjes të BE-së.
“Europa papritur ndihet e pambrojtur,” tha Matthias Matthijs, një anëtar i lartë për çështjet europiane në institutin e politikave Council on Foreign Relations, pjesërisht sepse është “braktisur nga SHBA.”
“Po mendojnë papritur: Duhet të mbështetemi më shumë te vetja,” shtoi ai.
Interesi i përbashkët për të rritur mbrojtjen europiane nuk është çështja e vetme që po forcon pozicionin e Brukselit. Kur vjen puna te kërcënimet tregtare të zotit Trump, Bashkimi Europian po luan një rol edhe më qendror.
Komisioni Europian negocion marrëveshje tregtare për të gjitha 27 shtetet anëtare. Duke vepruar së bashku si ekonomia e tretë më e madhe në botë, blloku ka më shumë fuqi se sa do të kishte secili prej vendeve të tij individualisht.
Ndërsa fillimisht pati pyetje nëse disa shtete europiane mund të përpiqeshin të arrinin marrëveshje anësore me Shtetet e Bashkuara, dhe zyrtarët e administratës Trump janë ankuar se nuk mund të flasin drejtpërdrejt me Gjermaninë apo qeveri të tjera individuale, zyrtarët europianë kryesisht kanë qëndruar të bashkuar.
Merrni në konsideratë Kryeministren Giorgia Meloni të Italisë. Duke pasur parasysh rrënjët e saj në të djathtën ekstreme dhe historinë e kritikave ndaj Bashkimit Evropian, pritej fillimisht që ajo të pozicionohej si një aleate e Trump. Megjithatë, jo vetëm që ajo shmangu një qasje “Italia e para” kur vizitoi Shtëpinë e Bardhë në prill, por ajo ka mbajtur që atëherë një ton që shumë e shohin si pro-evropian.
Reagimi i znj. Meloni ndaj kërcënimit të Trump për tarifa 30 përqind ishte një shembull domethënës. “Europa ka forcën ekonomike dhe financiare për të mbrojtur pozicionin e saj dhe për të siguruar një marrëveshje të drejtë dhe të arsyeshme,” shkroi ajo javën e kaluar në rrjetet sociale. “Italia do të bëjë pjesën e saj.”
Ursula von der Leyen gjithashtu ka promovuar përfitimet e Europës tek partnerët e jashtëm, duke punuar për të nënshkruar një valë marrëveshjesh të reja ose të përmirësuara tregtare me vende përfshirë Meksikën, Korenë e Jugut dhe Indonezinë.
“Ne në Azinë Juglindore, veçanërisht Indonezia, e konsiderojmë Europën shumë, shumë të rëndësishme për sigurimin e stabilitetit global,” tha Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, javën e kaluar në një konferencë për shtyp në Bruksel, ku ai u shfaq përkrah znj. von der Leyen.
“Ndoshta jo shumë prej nesh do ta pranojnë këtë hapur, por unë jam këtu,” shtoi ai, në një dukje si aludim ndaj periudhës së vështirë të Europës në vitet e fundit. “Unë e pranoj hapur që ne do të donim të shihnim një Evropë më të fortë.”
Por nëse Bashkimi Europian po shënon një rritje në mbështetje, tani i duhet të tregojë se e meriton atë.
Negociatorët tregtarë po nxitojnë të arrijnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara përpara datës 1 gusht, kur zoti Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifat 30 përqind, përndryshe Bashkimi Europian mund të detyrohet të kundërpërgjigjet.
Pjesa e vështirë e bisedimeve tregtare ende nuk ka ardhur, dhe konsensusi relativ që ka qëndruar deri tani ende mund të shpërbëhet.
Blloku po përballet gjithashtu me pyetje serioze për mënyrën se si mund të bëhet më dinamik ekonomikisht në një kohë kur Amerika ofron tregje financiare më të thella dhe Kina po ecën përpara në teknologji kyçe. Ndërsa po ndërton buxhetin e ardhshëm rreth këtij qëllimi dhe ka premtuar të heqë barrierat burokratike që po pengojnë bizneset, nuk është e qartë nëse ndonjëri nga këto qasje do të mjaftojë.
“Na duhet një Bashkim Evropian tjetër, i ri, që është gati të dalë në botën e madhe dhe të luajë një rol shumë aktiv në formësimin e këtij rendi të ri botëror që po vjen,” tha znj. von der Leyen këtë vit në një intervistë për gazetën gjermane Die Zeit.
Sërish, ajo vuri në dukje se, përkundër sfidave, ka vende në listën e pritjes për t’u bashkuar me bllokun.
Dhe, në atë që dukej si një goditje ndaj Amerikës dhe Rusisë, si dhe një reklamë për Bashkimin Evropian, ajo shtoi: “Ne nuk kemi vëllezër të mëdhenj apo oligarkë që bëjnë rregullat.”

