Connect with us

Aktualitet

Ngrihen dyshime mbi veprimtarinë kriminale të Doshi në Australi

Këto ditë, platforma hulumtuese, Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, publikoi një hulumtim të bazuar në dosjet e Komisionit Australian për Zbulimin e Veprimtarive Kriminale që identifikon biznesmenin dhe ish deputetin shqiptar, Tom Doshi si drejtues të një grup kriminal në Australi, të përfshirë në trafikim narkotikësh, pastrim parash dhe shkelje të rregullave të emigracionit. Është hera e parë që dyshimet për lidhjet e zotit Doshi me krim të organizuar në Australi, ku kishte jetuar në fund të viteve ‘90, bëhen publike. Doshi – një aleat politik i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama – përshkruhet si kreu i një sindikate krimi në Australi. Zoti Doshi i ka mohuar akuzat. Por, redaktori Brian Fitzpatrick nga Platforma Hulumtuese për Raportimin e Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, në një bisedë me Zërin e Amerikës, thotë se dosjet e komisionit australian ofrojnë një pamje të zymtë të këtyre grupeve kriminale shqiptare dhe rrezikut që ato paraqesin për sigurinë kombëtare të Australisë.

Redaktori Brian Fitzpatrick thotë se në Australi gjatë viteve 2000 u krijuan një sërë rrjetesh të krimit të organizuar shqiptar, që merreshin me trafikim qeniesh njerëzore, pastrim parash dhe kontrabandë drogash. Rrjetet ishin të organizuara mbi baza klanore. Një prej tyre, sipas redaktorit Fitzpatrick, ishte rrjeti i supozuar i politikanit dhe biznesmenit Tom Doshi. Sipas dosjeve të autoriteteve australiane, këto grupe, aktive të paktën deri vitin 2020, janë të shtrira përgjatë disa qyteteve australiane, përfshirë Melbournin, Adelaiden dhe Perthin.

“Kemi shqyrtuar një sërë dokumentesh nga Komisioni australian për Zbulimin e Veprimtarive Kriminale, Në to skicohet se si krimi i organizuar shqiptar, që vepronte në bazë të një klanor, ka krijuar një perandori kriminale në Australi që nga viti 2000. Raportet përshkruajnë se si grupet e krimit të organizuar shqiptar shfytëzojnë mangësitë e sistemit të emigracionit dhe përmes trafikimit të drogës, kontrabandimit të njerëzve dhe duke shfrytëzuar pasaportat e përfituara me mashtrime dhe dokumente të falsifikuara emigracioni sigurojnë hyrjen në Australi. Në momentin që hyjnë aty, vazhdojnë të manipulojnë sistemin, duke shfrytëzuar procesin e stërzgjatur të vizave për të qëndruar në Australi dhe gjatë kësaj kohe përfshihen në vepërimtari kriminale” thotë zoti Fitzpatrick.

Sipas tij, mes tyre është edhe rrjeti që agjencia australiane pretendon se udhëhiqej nga zoti Doshi dhe përbëhet nga anëtarë të familjes së tij të gjerë. Tetë nga anëtarët e këtij rrjeti janë kushërinj të zotit Doshi dhe janë subjekt hetimesh nga autoritetet australiane për trafikim droge dhe pastrim parash gjatë viteve të fundit. Aktivitetet e tyre përfshijnë kultivimin e kanabisit dhe përdorimin e fitimeve nga shitja e tij për importimin e kokainës në Australi. Ato që përshkruan raporti australian i zbulimit, sipas zotit Fitzpatrick, tregojnë për një skemë afatgjate të organizimit të këtyre grupeve.

“Dosjet përmbajnë hollësi për pesë cikle të jetës së krimit të organizuar shqiptar në Australi. Ato përfshijnë rekrutimin e këtyre njerëzve në Shqipëri, dërgimin e tyre në Australi, duke u premtuar punë dhe duke përdorë dokumente të dyshimta për të qëndruar në Australi, ku më pas përfshihen në aktivitete kriminale, deri sa kapen dhe dëbohen nga vendi. Janë mjaft të detajuara dhe tregojnë se këto grupe nuk lindin organikisht, ato kanë një plan afatgjatë në mendje, kur i dërgojnë njerëzit drejt Australisë. E dinë se çfarë po bëjnë,” theksoi zoti Fitzpatrick.

Zoti Doshi, i cili që nga viti 1997 ka kaluar një pjesë të jetës së tij në Australi, i ka mohuar pretendimet e autoriteteve australiane. Ai ka mohuar se drejton një organizatë krimi në Australi dhe ka hedhur poshtë pretendimet se një rrjet i tillë është i përbërë nga familjarët e tij.

Por, zoti Fitzpatrick thotë, se ndonëse nuk është ngritur aktakuzë ndaj zotit Doshi, raporti australian ngre shqetësim për aktivitetin e klaneve kriminale me origjinë nga Shqipëria.

“Këto janë raporte të agjencive të zbulimit dhe të policisë. Nuk ka akuzë të ngitur në këtë rast ndaj zotit Doshi në Australi, SHBA apo Britaninë e Madhe me sa dimë, dhe ai mbetet i pafajshëm derisa të dëshmohet ndryshe. Por, këto dosje gjithsesi krijojnë një pamje të qartë rreth klaneve, jo vetëm të tij, por edhe klaneve tjera, dhe rrezikun që ato paraqesin për sigurinë kombëtare të Australisë,” thotë zoti Fitzpatrick.

Raporti australian përqendrohet në rastin e dy nipave të zotit Doshit, të cilët sipas autoriteteve, kanë përdorur përfitimet nga kultivimi i kanabisit për të importuar kokainë dhe meta-amfetaminë në Australi. Njërit prej tyre është arrestuar dhe ndaj tij është ngritur aktakuza për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash, pasi policia gjeti një sasi kokaine me vlerë prej 1 milion dollarësh të fshehur në një aparat për prodhim tymi.

Raporti i Projektit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, po ashtu konfirmon edhe zërat, që u përhapën në Shqipëri për rastin e ish agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, se ishte biznesmeni shqiptar Tom Doshi ai që i kishte kërkuar ndihmë agjentit të FBI-së, për atë që zoti Doshi pretendonte, se ishte një komplot për ta vrarë.

Sipas zotit Fitzpatrick, agjenti McGonigal e kishte takuar zotin Doshi më shumë se një herë.

“Ish agjenti McGonigal akuzohet për takime me një numër biznismenësh dhe politikanësh, por në aktpadi nuk jepen emrat e tyre. Ai është akuzuar se ka marrë shuma të caktuara parash nga një shqiptar në SHBA. Në njerën nga aktakuzat, thuhet se ai u takua me një biznismen dhe politikan, që kërkonte ndihmë për të zbuluar një komplot për vrasjen e tij. Dhe raportimi ynë zbulon se ky person, në fakt, është Tom Doshi. Një nga burimet na tha se takimi ishte shumë miqësor. Takimi ndodhi para se zoti Doshi të shpallej persona non-grata nga SHBA-të. Më pas edhe vet zoti Doshi na e konfirmoi takimin, por, ai ofroi një interpretim tjetër, duke thënë se ishte zoti McGonigal që e kishte kërkuar takimin, kur në fakt burimet tona tregonin se fjala ishte për diçka tjetër,” thotë zoti Fitzpatrick.

Në Shqipëri, zoti Doshi ka qënë anëtar parlamenti për tri mandate si anëtar i Partisë Socialiste dhe kryeson Partinë Social-Demokrate. Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia ndaluan udhëtimin në Amerikë atij dhe familjes, për shkak “të përfshirjes në korrupsion të përmasave të gjëra.

Marrë nga VOA

Aktualitet

Të shtëna me armë në një bar në Pensilvani, 2 të vdekur dhe 7 të plagosur

Të shtëna me armë  janë raportuar në një bar në periferi të Pittsburgh, Pensilvani ku si pasojë kanë humbur jetën 2 persona dhe 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Policia tha se i është përgjigjur një kërkese për ndihmë në orët e para të mëngjesit në Ballers Hookah Lounge dhe Cigar Bar në Penn Hills.

Viktimat janë një burrë dhe një grua. Të plagosurit janë transportuar në spital, një prej të cilëve është në gjendje kritike për jetën.

Sipas informacioneve, ka nisur një sherr mes disa personave duke agravuar në përdorimin e armëve.

Ndërkohë policia ka arrestuar një të dyshuar.

Continue Reading

Aktualitet

Pse vriten gratë? Për dreq, njësoj si Alma në të njëjtin vend, në Bunë, në të njëjtën datë

Nga Monika Stafa

Dje pasdreke, një tjetër grua u hodh në lumë.

Në Bunë. Në Shkodër.

‘Fluturimi’ i Almës për të cilën kisha shkruar tamam në nisje të muajit maj, nuk e kish ulur pezmin e rëndë të dhimbjes po në atë anë të Bunës.

I njëjti dëshpërim.

I njëjti trishtim.

E njëjta përbuzje. E së njëjtës gjini. Në po të njëjtin vend.

Për dreq, në të njëjtën datë.

Po pse gratë vriten më së shumti?

Cila është ajo arsye jashtë detyrave të së përditshmes, kënaqësisë që të jep bashkësia, që u jep forcën e këtij veprimi kriminal ndaj jetës së tyre?

Përse ato mohojnë jetën para urtësisë së mendimit? Paqtësisë që të jep ulësia hyjnore?

Cili është ai çast që ua shkund arsyetimin duke bërë që zgjidhje dot mos të gjejnë? Dhe në fund përse gratë, ato që kanë rolin edukator kryesues në familje, veçanërisht ato, shkojnë drejt suicidit të pakthyeshëm?

Ne nuk duhet të harrojmë se çdo familje, çdo grua ashtu si dhe çdo burrë është pjesë e shtetit. Ndërsa ata vetë janë pjesë e familjes. E derisa të gjithë bashkë gëzojnë tipare dhe veçoritë e tyre përkatëse në raport me tërësinë, atëherë është e domosdoshme harmonizimi i edukimit të fëmijëve dhe i grave me formën e rregullimit shtetëror.

Sepse për të ndërtuar një shtet të mirë, është e rëndësishme që edhe gratë dhe fëmijët të bëhen të mirë.

Dhe kjo padyshim është shumë e rëndësishme sepse gratë përbëjnë gjysmën e njerëzve të lirë, kurse fëmijët do jene ata, që nesër do jenë anëtarët e kësaj bashkësie shtetërore.

Ndaj dhe kjo është vetëm një prej formave më të mira të rregullimit shtetëror.

A duhet t’i kemi ato më shumë në kujdes?

Continue Reading

Aktualitet

A solli Heidi një shembull të mirë këtë “BB”?/ Ja ç’thotë Ori Nebijaj

Në takimin e fundit të të gjithë banorëve të edicionit të tretë të “BBV”, pati debate të ashpra mes tyre. Shumica e banorëve komentuan dhe sjelljen e Heidit, pëe të cilën u shprehën se ka qenë e ftohtë dhe skuthe.

Sakaq, ndryshe nga mendimi i ish-banorëve ka qenë opinionistja Ori Nebijaj, e cila ka dedikuar disa rreshta për Heidin. Ajo u shpreh se Heidi ka dhënë një shembull të mirë në këtë edicion, nuk bëhej pjesë e fjalëve që mund të kritikohej por qëndori aty dhe nëse donte të argumentonte me inteligjencë një argument

“Unë absolutisht mendoj që Heidi ka dhënë një shembull të mirë në këtë BBV por mendoj që nuk e pati të vështirë. Mendoj se kjo ka qenë pjesë e nuhatjes dhe inteligjencës së saj që të luante pikërisht në rolin e mbrojtjes së polit pozitiv, që nuk sulmonte e para, që nuk denigronte, që nuk bëhej pjesë e fjalëve që mund të kritikohej por qëndori aty dhe nëse donte të argumentonte me inteligjencë një argument, e bënte përndryshe thjesht me një përtoj.

Nga ana tjetër, patjetër që e kishte luksin ta bënte këtë gjë pasi kishte edhe romancën që donte, s’donte e ndihmonte të ishte pjesë e situatave në shtëpi. Të qënurit finaliste në polin pozitiv, në nëj Big Brother që të gjithë luftuan fortë që të kapnin finalen, mendoj që ishte aq sa zgjuari, nuhatje edhe rrethanë”.- është shprehur Ori.

Continue Reading

Aktualitet

Matura 2024/ Nesër provimi i gjuhës së huaj, ministrja lë porositë: S’ka tolerancë nëse shkelet rregullorja

Një ditë përpara fillimit të provimeve të maturës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka vënë theksin tek zbatimi me përpikmëri i rregullores së Maturës Shtetërore.

Këtë ministrja e bëri me dije, gjatë një takimi që zhvilloi sot me monitoruesit që do të ndjekin nga afër provimet e maturës që do të nisin më 3 qershor me provimin e gjuhës së huaj. Më 10 qershor do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 18 qershor provimi i matematikës.

“Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh,” theksoi Ministrja Manastirliu.

Manastirliu deklaroi se do të ketë një angazhim maksimal nga ana e punonjësve të arsimit, ndërsa kërkoi që procesi të jetë sa më transparentë.

Për mbarëvajtjen e procesit të provimeve do të jenë rreth 1900 administratorë, të cilët do të monitorojnë grupet e maturantëve.

“Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug. Në provimet e maturës shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta”, tha Manastirliu.

Continue Reading

Aktualitet

Media italiane: Vizitoni plazhet më të bukura në Shqipëri, nga Veriu në Jug

Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri? Në fakt, vitet e fundit Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike evropiane falë peizazheve, plazheve të mrekullueshme dhe çmimeve të lira, shkruan Valentina Todaro në një artikull të botuar në të përditshmen italiane tag.24.

Vendi ka pamje nga Mesdheu dhe kufizohet si nga Joni ashtu edhe nga Adriatiku dhe mbi të gjitha është shumë afër Italisë, gjë që e bën këtë shtet një zgjedhje të vlefshme për pushimet e ardhshme të turistëve italianë.

Më poshtë kemi renditur disa nga plazhet më të bukura në të gjithë Shqipërinë nga Veriu në Jug

Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri: mrekullitë e veriut

Plazhet në pjesën veriore të Shqipërisë, të cilat kryesisht kanë pamje nga deti Adriatik, priren të jenë me rërë dhe me ujëra të cekët. Prandaj, zona është e përkryer për pushime me familjen dhe fëmijët.

Përveç detit, ka edhe laguna dhe ekosisteme natyrore dhe për këtë zona është shumë e dashur edhe nga alpinistët dhe adhururesit e gjelbërimit.

Një nga plazhet më të njohura në veri të Shqipërisë është padyshim Plazhi i Velipojës i vendosur në pikën më veriore të vendit jo shumë larg qytetit të Shkodrës.

Ky, është në fakt një nga destinacionet e preferuara për adhuruesit e detit.

Plazhi shtrihet në një sipërfaqe rreth 14 kilometra në bregun e Adriatikut dhe i gjithi karakterizohet nga rëra shumë e imët dhe e pasur me jod.

Ky është gjithashtu vendi i përsosur për ata që duan të praktikojnë sporte ujore si kanoe apo kajak.

Gjithashtu, në zonën veriore të vendit ndidhet Plazhi i Shëngjinit, i cili është gjithashtu me rërë dhe i përshtatshëm për pushime me familjen.

Këtu do të gjeni diell të paktën 300 ditë në vit dhe një kuzhinë tipike vendase të shkëlqyer.

Në veri të Shëngjinit, përballë kodrave të Rencit, ndodhet plazhi i mrekullueshëm i quajtur “Rana e Hedhun”.

Këtu mund të gjeni hapësira rëre të mbrojtura mirë nga erërat tipike të zonës.

Nëse e doni detin e pastër dhe rërën e imët, plazhi ideal për ju me siguri do të jetë ai i Gjirit të Lalzit në veri të Durrësit.

Ky në fakt konsiderohet si një nga plazhet më tërheqës në bregdetin shqiptar të Adriatikut, i rrethuar nga një pyll i dendur me pisha, dhe është vendi i duhur për ata që duan të pushojnë buzë detit.

Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti, Tirana dhe është lehtësisht i aksesueshëm me transport publik.

Së fundi, një nga plazhet e fundit në Shqipërinë e Veriut për t’u vizituar është Vlora. Është porti i dytë më i madh në vend dhe një nga qendrat e turizmit shqiptar.

Plazhi është i pajisur dhe ofron shumë lehtësira turistike, sidomos për shkak të vendndodhjes së tij, pasi ndodhet mes plazheve të gjirit të Vlorës dhe portit të Orikumit.

Plazhet e Shqipërisë së Jugut

Bregdeti Jon i Shqipërisë është gjithashtu plot me peizazhe magjepsëse dhe plazhe që të lënë pa frymë.

Në këtë pjesë të vendit mund të gjeni male me pamje nga deti, natyrë të pacënuar dhe ujë të pastër kristal.

Kjo është arsyeja pse prej disa vitesh kjo zonë është bërë më turistike në vend.

Plazhi i parë në pjesën jugore të Shqipërisë që duhet vizituar është Ksamili, i riemërtuar si Perla e Jonit.

Ky plazh i mrekullueshëm qëndron përballë ishullit të Korfuzit, disa kilometra larg kufirit me Greqinë.

Nga kjo pikë është vërtet e lehtë për të arritur në Sarandë, e konsideruar si shumë e ngjashme me Rimini, në Itali për të kaluar mbrëmjet me argëtim dhe muzikë.

Aty ndodhet edhe peizazhi i mrekullueshëm i Karaburunit, një plazh mahnitës që ofron gjithmonë kënde të reja të fshehura falë limaneve të tij të shumtë.

Ai ndodhet pranë bregut që rrethon Vlorën dhe është i njohur për rërën e bardhë me guralecë dhe ujin e pastër kristal të detit.

Nëse jeni në pjesën e detit Jon, mos humbisni Porto Palermon, një gadishull i vogël në krye të një fortese, të ndërtuar nga Ali Pasha i Tepelenës gjatë shekullit të XIX.

Ky plazh është vendi i përsosur për ata që e duan natyrën e egër dhe të pacënuar.

Megjithatë, nëse jeni në kërkim të jetës së natës dhe plazheve të mbushura me njerëz, vizitoni Plazhin e Dhërmiut, një nga më të famshmit në vend.

Këtu do të gjeni shumë vendas dhe shumë turistë të tërhequr nga ujërat e tij të mrekullueshëm dhe të pastra blu.

Së fundi, është Plazhi i Borshit, më i gjati në bregdetin shqiptar të Jonit.

Në fakt, ky plazh shtrihet në 3 kilometra vijë bregdetare dhe është vendi ideal për ata që duan të relaksohen.

Plazhi është i rrethuar nga një natyrë e përbërë kryesisht nga pemë ulliri dhe agrume.

Turistët që duan të bëjnë ecje mund të ndjekin rrugën përgjatë bregdetit, ndërsa ata që duan të zhyten në kulturën dhe historinë vendase mund të vizitojnë fshatin që ndodhet jo shumë larg detit.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING