Aktualitet

Një ftesë e hapur për këdo që ka ambicien e kurajon për ta provuar veten në të përpjetën e politikës, me mua dhe PS.

Faleminderit shumë për praninë tuaj! Siç lajmëruam pak ditë më parë, në të njëjtën tryezë, sot jemi gati për të lançuar pjesën e tretë të mozaikut që lidhet me përfaqësuesit e popullit. Kemi nisur me pjesën e parë, vlerësimin e të gjithë deputetëve qark më qark nga anëtarësia e partisë. Është një proces që, siç e thashë herën e shkuar, do të mbyllet për ciklin e parë të vlerësimin në nëntor. Do të kemi edhe dy cikle të tjera vlerësimesh, një në fund të dhjetorit-fillim të janarit dhe një në fund janarit-fillim shkurtit, për të parë dhe dinamikën e vlerësimit të anëtarësisë në prag të uljes në tryezë për të bërë përzgjedhjen e skuadrës që do të zbresë në fushën e ndeshjes së bukur të 25 prillit.

Pjesa ë dytë, edhe kjo tanimë në proces, vlerësimi i qeverisë nga gjithë anëtarësia, që nga unë e deri tek të gjithë ministrat. Edhe ky vlerësim do të bëhet në 3 cikle.

Sot është pjesa e tretë, që është ftesa e hapur për të gjithë ata që kanë dëshirë, ambicie, kurajo të angazhohen me ne, me mua, me Partinë Socialiste, për të hyrë në fushën e ndeshjes se 25 prillit si pjesëtarë të skuadrës sonë. Ne i kemi miratuar kriteret e kësaj ftese në Asamblenë Kombëtare. Do të kenë në dispozicion të gjithë një adresë online ku do të duhet të çojnë një video në të cilën do të shprehin interesin dhe do të japin arsyet, pse besojnë që janë zgjedhja e duhur, sipas tyre, për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë dhe pak dokumente të tjera, një CV të jetës profesionale dhe në mos gaboj, edhe një letër angazhuese. Gjëra minimale për këtë sfidë.

Ne do të mbledhim të gjitha shprehjet e interesit që mund të vinë nga të gjitha rrugët e jetës, do të mirëpresim të rinj dhe të reja, jo vetëm në moshë, por dhe në mendje, në ide, energji dhe dëshirë. Jemi shumë të lumtur që të ndajmë këtë eksperiencë tonën me njerëz që ndajnë me ne të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin angazhim për të çuar përpara punët e vendit, për të qenë pranë njerëzve, për të bërë sa më shumë dhe sa më mirë shërbimin ndaj vendit dhe qytetarëve.

Dua t’ju them të gjithëve, që nga të reja dhe të rinj me moshë, që mund të jenë sapo kanë mbaruar shkollën me rezultate të mira, që mund të jenë të reja dhe të rinj që punojnë në një sipërmarrje të vogël private, që punojnë në shtet, që punojnë në fermë me prindërit e tyre, që punojnë në emigracion, që janë të mirëseardhur të shprehin interesin e tyre. Po ashtu gra dhe burra në moshë të re, apo me ide të reja, në moshë të re, apo me energji të reja, që vijnë nga eksperienca si mësues apo mësuese, si shërbëtorë publikë, ekspertë në çfarëdolloj fushë, që punojnë në hapësirën e sipërmarrjes, që punojnë në media, apo që punojnë në fermë, kudoqoftë, nuk ka asnjë kufizim, që janë aktivë dhe kanë talent për ta përkthyer aktivizimin e tyre në audienca të respektueshme dhe të konsiderueshme në rrjetet sociale.

Kushdo shqiptar dhe shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që mendon se ka një zë që shqiptarët meritojnë ta dëgjojnë, që ka një ide që shqiptarët meritojnë ta vlerësojnë dhe që ka vullnetin, që ka pasionin tim, pasionin tonë për të kaluar nga fjalët në vepra, është absolutisht i mirëpritur. Kjo është arsyeja, pse jeni të ftuar këtu sot dhe ky është mesazhi që dua t’i përcjell sot, përmes këtij komunikimi, të gjithëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version