Shkrime
Një rrëfim i pendimit: Nga kundërshtimi i pavarësisë te përulja

Nga Baton Haxhiu
Rrëfimi i parë: Flijimi i të rinjve në emër të një ideali
Në prag të 17 shkurtit 2008, ndërsa bora mbulonte rrugët e Prishtinës dhe era e akullt përshkonte qytetin, një djalosh 17-vjeçar, i nxitur nga pasioni dhe idealizmi, përgatitej për një akt që besonte se do të ndryshonte rrjedhën e historisë. I bindur se shpallja e pavarësisë ishte një farsë nën hijen e Rezolutës 1244, ai planifikonte të ndërpriste ceremoninë zyrtare, duke sulmuar foltoren ku Hashim Thaçi do të shpallte aktin historik.
Sot, ai është drejtues i një emisioni televiziv dhe mbështetës i zjarrtë i pavarësisë së Kosovës. Ai reflekton me keqardhje për ditën kur, i manipuluar nga ideologji të ngushta, tentoi të minonte aspiratat shekullore të popullit të tij për liri dhe vetëvendosje. Ky i ri, i rritur me tregime të heronjve dhe flijimeve, kishte ushtruar në malet e Suharekës, duke përgatitur veten për një revolucion të armatosur. Ai ishte mësuar të shihte botën në nuanca të zeza dhe të bardha, ku çdo kompromis ishte tradhti dhe çdo akt radikal ishte heroizëm. Në sytë e tij, pavarësia e shpallur ishte një iluzion, një mashtrim që duhej demaskuar me çdo kusht.
Por, në atë ditë të ftohtë dimri, realiteti e goditi ndryshe. Qindra mijëra qytetarë nga çdo cep i shqiptarisë sfiduan temperaturat nën zero për të festuar lindjen e shtetit të tyre. Entuziazmi dhe shpresa që rrezatonin fytyrat e tyre krijuan një mur të pakalueshëm për çdo akt dhune. Plani i djaloshit u shkatërrua përballë forcës së unitetit dhe gëzimit popullor. Ai kuptoi se, ndonjëherë, revolucioni ndodh në zemrat e njerëzve dhe jo në fushëbetejë.
Rrëfimi i dytë: Prapaskenat diplomatike dhe roli i Shqipërisë në festimet e pavarësisë
Ndërkohë, në korridoret e politikës ndërkombëtare, diplomatja amerikane Tina Kaidanow luante një rol kyç në orkestrimin e shpalljes së pavarësisë. Së bashku me ekipin e saj dhe përfaqësuesit kosovarë, Vlora Çitaku dhe Bekim Çollaku, ata punuan për të siguruar që çdo detaj të ishte në përputhje me kërkesat ndërkombëtare. Qëllimi ishte që shpallja të ishte solemne, por e përmbajtur, për të mos provokuar minoritetet dhe për të respektuar kornizën ligjore të Rezolutës 1244.
Një debat i veçantë u zhvillua rreth formulimit të deklaratës së pavarësisë. Pas diskutimeve intensive, u vendos që fjalia “Ne, populli i Kosovës” të ishte në krye të deklaratës, duke theksuar vullnetin e popullit dhe duke shmangur çdo shkelje të mundshme të rezolutës. Ky formulim u bë më vonë një pikë kyçe në mbrojtjen ligjore të pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Roli i Shqipërisë në këtë proces ishte thelbësor. Në Tiranë, një grup gazetarësh dhe intelektualësh shqiptarë, përfshirë Aleksandër Frangajn, Blendi Fevziun, Armand Shkullakun dhe mua, Baton Haxhiun, u mblodhëm për të planifikuar festimet mediatike të pavarësisë. Në shtëpinë e Blendi Fevziut, ne organizuam një seri emisionesh speciale në TV Klan, duke përfshirë himnin kombëtar, këngë polifonike dhe transmetime direkte nga qytete të ndryshme shqiptare, duke krijuar një atmosferë festive që do të mbetej në kujtesën kolektive.
Gazetarët e TV Klan treguan heroizëm të vërtetë në mbulimin e këtyre ngjarjeve. Desada Metaj raportoi nga Beogradi, duke sjellë informacione të drejtpërdrejta nga një mjedis armiqësor. Ndërkohë, festimet nuk u kufizuan vetëm në Kosovë dhe Shqipëri. Në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, qytetarët dolën në rrugë për të festuar, duke valëvitur flamujt kombëtarë dhe të Kosovës. Diaspora shqiptare në Zvicër, Gjermani, Amerikë, Maqedoni dhe vende të tjera organizoi tubime dhe manifestime, duke treguar unitetin dhe gëzimin e përbashkët për këtë arritje historike.
Rrëfimi i tretë: Transformimi i Albin Kurtit dhe reflektime mbi pavarësinë
Sot, 17 vjet pas atyre ngjarjeve, Albin Kurtit i mbeten përjetësisht dy deklarata kundër bashke me shumë tjera që rrinë si damkë e kohës dhe janë në arkiv ai deklarata antihistorike. Dikur një nga kundërshtarët më të zëshëm të mënyrës së shpalljes së pavarësisë, është kryeministër i Kosovës. Në vitin 2008, ai dhe Lëvizja Vetëvendosje e konsideronin pavarësinë si të kufizuar dhe të imponuar nga jashtë. Në një intervistë të asaj kohe, Kurti shprehej se “premtimeve për pavarësi iu ka dalë boja” , duke vënë në dyshim legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë e saj.
Megjithatë, sot, Kurti feston Ditën e Pavarësisë me entuziazëm, duke bërë homazhe te varret e figurave historike si Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. Në fjalimet e tij, ai thekson rëndësinë e pavarësisë dhe përkushtimin për të përmbushur idealet e dëshmorëve. Ky ndryshim qëndrimi ngre pyetje mbi natyrën e popullizmit dhe fleksibilitetin e bindjeve politike.
Pavarësia është një koncept i thellë dhe kompleks, që përfshin më shumë sesa thjesht një akt juridik apo politik. Gjithashtu, ka edhe një tjetër deklaratë në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje shprehën skepticizëm dhe kundërshtim ndaj këtij akti historik. Më 14 shkurt 2008, Kurti deklaroi: “Populli i Kosovës është duke e pritur pavarësinë, mirëpo unë mendoj që edhe pak ditë do ta kuptojmë që pavarësi është quajtur diçka që esencialisht është varësi” .
Ky qëndrim reflektonte një mosbesim ndaj procesit dhe frikën se pavarësia mund të ishte e kufizuar dhe e kontrolluar nga faktorë të jashtëm. Prandaj, ndryshimi i qëndrimit ngre pyetje mbi natyrën e popullizmit dhe fleksibilitetin e bindjeve politike. Ngre pyetje për Albin Kurtin dhe shijen e pashije të festës. Thjesht, festa iu takon të gjithëve, edhe atyre që s’e meritojnë.
Në fund, duket se as sot dhe ndoshta as kurrë, Kurti nuk ka arritur të kuptojë plotësisht rëndësinë e unitetit dhe kohës që çuan në shpalljen e pavarësisë. Ose edhe më keq, ka qenë revolucionar pa ide. Pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar dhe një konsensusi të brendshëm, që kërkonte fleksibilitet dhe mirëkuptim. Qëndrimi i tij fillestar tregoi një mungesë vlerësimi, ishte antihistorik, për këto përpjekje dhe për rëndësinë e momentit historik.
Derisa qëndrimet e Kurtit me kalimin e kohës, janë krejt tjera, është e rëndësishme të kuptojë ai dhe ata që dikur dëshironin ta rrëzonin foltoren e shpalljes së pavarësisë, se pavarësia është një arritje e njerëzve vizionar të Kosovës që kundërshtari më i madh i saj të jetë ai që udhëheq dhe feston këtë ditë. Dhe jo vetëm që feston, por në ceremoni flet dhe mbi nevojën për të vlerësuar sakrificat dhe përpjekjet që e bënë të mundur pavarësimin e vendit. Është një çudi dhe një kundërkah historik vështirë i shpjegueshëm kudo tjetër, por i zakontë dhe pothuaj fare i natyrshëm në Ballkanin sa heroik aq tragjikomik.
P.S.
Që Albin Kurti është gjykuar përherë me dy kute, kjo nuk është një diçka e panjohur. Por, kjo gjë u bë veçanërisht e padurueshme së fundmi. Në fjalimin e tij pas fitores në zgjedhje, Albin Kurti i quajti politikanët opozitarë “hajvanë”, duke përdorur një gjuhë që minon respektin në diskursin politik. Ky precedent ndikoi në normalizimin e fjalorit fyes në sferën publike. Rasti i komentatorit sportiv Andin Lokaj, i cili gjatë një transmetimi e quajti Kurtin “kryeministri më hajvan në histori” dhe më pas u përjashtua nga puna, tregon se përdorimi i gjuhës së tillë ka pasoja serioze. Dhe këto pasoja janë vërtet serioze për çdonjërin, përveç për njërin. Mirëpo, sado të jetë e vonuar, përballja me to është përfundimisht e pashmangshme.

