Connect with us

Aktualitet

Një “transferim parash pa lëvizje parash”- Çfarë është “Hawala”? Sistemi me të cilin trafikantët pastrojnë lekët e drogës

Prokuroria e Posaçme goditi një tjetër grup kriminal të pastrimit të parave dhe transferimit të miliona Eurove nga Zvicra drejt Shqipërisë, të cilët vepronin me sistemin “Hawala”. Një sistem tradicional i fuqishëm që funksionon përtej bankave dhe pa nevojën e ndonjë dokumentacioni zyrtar.

Por çfarë është sitemi i ‘padukshëm” Hawala”! Përshkruhet si një “transferim parash pa lëvizje parash”. Një përkufizim tjetër është thjesht “besim”.

Ky sistem është i vështirë të gjurmohet, për shkak se është një aktivitet i kalimit të parave pa transferta fizike të tyre, dhe që kryhet kryesisht përmes një marrëveshje besimi dhe balancimin e librave të ndërmjetësve të Hawala.

Hawala e ka origjinën në Azinë Jugore gjatë shekullit të 8-të dhe përdoret në të gjithë botën sot, veçanërisht në bashkësinë islame, si një mjet alternativ për kryerjen e transfertave të fondeve. Ndryshe nga metoda konvencionale e transferimit të parave përtej kufijve përmes transfertave bankare, transferimi i parave në Hawala organizohet përmes një rrjeti “hawaladarësh” ose tregtarësh Hawala.

Tregtarët Hawala mbajnë një ditar jozyrtar për të regjistruar të gjitha transaksionet e kreditit dhe debitit në llogaritë e tyre. Borxhi midis tregtarëve Hawala mund të zgjidhet me para në dorë, pronë ose shërbime. Një hawaladar që nuk e mban pjesën e tij të marrëveshjes në sistemin e nënkuptuar kontraktual të hawala-s do të etiketohet si dikush që ka humbur nderin e tij dhe do të përjashtohet nga rrjeti ose rajoni.

Përveç komoditetit dhe shpejtësisë së kryerjes së hawala-s, tarifat janë zakonisht të ulëta krahasuar me normat e larta që aplikojnë bankat. Sistemi është gjithashtu i lehtë për t’u përdorur, pasi vetëm duhet të gjesh një hawaladar të besueshëm për të transferuar para. Rrjetet hawala përdoren shpesh në vendet ku ka kontrolle të rrepta të kapitalit ose sanksione mbi rrjedhën e parave. Tregtarët dhe emigrantët nga vendet e sanksionuara, si Irani, mund të përdorin rrjetet hawala për të bërë pagesa ndaj palëve të tyre në vendet fqinje.

Vetë karakteristikat që e bëjnë hawalën një rrugë tërheqëse për klientët legjitimë e bëjnë atë tërheqëse edhe për përdorime të paligjshme. Kështu, hawala shpesh quhet bankë nëntokësore. Kjo për shkak se pastruesit e parave përfitojnë nga ky sistem për të transferuar fonde nga një vendndodhje në tjetrën.

Përveç kësaj, politikanët e korruptuar dhe të pasurit që preferojnë të shmangin taksat përdorin hawala-n për të anonimizuar pasurinë dhe aktivitetet e tyre. Paratë e gjeneruara nga transaksionet e biznesit që nuk regjistrohen nuk mund të tatohen. Hawala përdoret gjithashtu për të financuar terrorizmin, gjë që e bën më të vështirë ndalimin e terrorizmit. Një pjesë e madhe e zbulimit të celulave terroriste përfshin gjurmimin e lëvizjes së parave, pasi organizatat terroriste financohen dhe kanë nevojë për para për të blerë armë dhe për të ushqyer njerëzit e tyre. Transaksionet Hawala e bëjnë këtë lëvizje parash të lehtë pasi nuk ka gjurmë letre nga burimi i fondeve deri te organizata terroriste.

Sistemi nuk është i panjohur në Shqipëri, pasi në vitin 2023, SPAK duke vijuar hetimet në lidhje me grupin e Ervin Matës dhe Eralb Breçanit, që dyshohet se kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine në Europë, dyshoi se grupi funksiononte po përmes Hawala.

Sa i përket operacionit të fundit Prokuroria e Posaçme ka arrestuar tre persona: E.F, B.F dhe P.K, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me disa persona me bazë në Luzern të Zvicrës pastronin paratë e drogës me anë të sistemit “Hawala”. Të tre akuzohen për 5 vepra penale (Prodhim dhe shitje narkotikësh, trafik droge, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal). SPAK thotë se përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre trafikun e drogës, por nuk kanë bërë me dije një shifër konkrete për sa para bëhet fjalë.

Advertisement