Connect with us

Politike

Non-grata/ Berisha: Britania më transparente se SHBA

Kreu i PD, Sali Berisha është shprehur është ndër personat që ka dënuar dhe akuzuar organizatat kriminale.

Gjithashtu theksoi se ka besim të plotë tek drejtësia e Mbretërisë së Bashkuar.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Po, por problemi i tyre është 9 shtatori, pra vendimi për largimin tuaj nga grupi parlamentar për shkak të shpalljes non grata.

 

 

Sali Berisha: Atëherë ndahemi në një themel. Ata të cilët besojnë gënjeshtrën për të vërtetë, ata të cilët delegojnë ndërgjegjen e tyre, ata përbëjnë një fatkeqësi njerëzore. Ata që ndjekin Sali Berishën nuk pranojnë gënjeshtrën për të vërtetë dhe nuk pranojnë delegimin e ndërgjegjes së tyre. Ata që bëjnë një akt të tillë vënë në diskutim e meritojnë apo jo lirinë.

Elona Meço: Po ndoshta ata e besojnë këtë?

Sali Berisha: Po nëse duan të besojnë falsitetin, janë fatkeq.  Ka një vit e gjysmë që në mënyrë absolute, Departamenti i Shtetit, Antoni Blinken nuk ka nxjerrë dot një fakt të vetëm. Ka një vit e gjysmë që ambasadorja ka ndërmarrë me dhjetëra sulme publike në shkelje flagrante të Konventës  së Vienës ndaj meje apo ndaj mbështetësve të mi, por nuk ka qenë e aftë të sjellë asnjë fakt të vetëm. Të paktën britanikët pranuan për hir të këtij kodi të nxjerrin absurditetet e tyre. Më akuzojnë për lidhje me organizata kriminale për një njeri që unë nuk e kam takuar kurrë, nuk e kam njohur kurrë. Ambasadori britanik këtu, Allistar Kingsmith në mënyrën më korruptive, ia paraqet këtë qeverisë së tij si argument të lidhjes sime me të.

Elona Meço: Pse thoni korruptive? E ka korruptuar qeveria?

Sali Berisha: Një njeri normal këtë nuk mund ta bëjë kurrë. Fatjon Dautin e dëgjova për herë të parë në jetë atë ditë kur shkelmoi derën në PD. Sigurisht në mënyrë korruptive, sepse  është një burokrat i korruptuar, politikisht apo në mënyra të tjera nuk e di, por duhet të dijë ai që po të studiojë në arkivën e tij, Sali Berisha, në raport me krimin e organizuar, ka patur një luftë të suksesshme të qeverisë ndaj krimit të organizuar në Britaninë e Madhe, falë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare. Për këto, Sali Berisha është falenderuar, këtu ka ardhur ish drejtori i Përgjithshëm i SOCA. Nëse nuk të verbon sytë korrupsioni politik apo tjetri dhe merr vetë të dhënat statistikore të denoncimit të krimit të organizuar, Sali Berisha gjatë viteve në opozitë, është njeriu që ka denoncuar organizatat kriminale në 4 anët e vendit dhe jashtë më shumë se të gjithë politikanët shqiptarë të marrë së bashku. Të pretendosh se paskam bashkëpunim me organizatat kriminale pse në një gjullurdi një njeri vjen dhe thyen derën, duhet të jesh asgjë më shumë, asgjë më pak sesa një burokrat i korruptuar fund e krye. Kam besim të plotë tek drejtësia e Mbretërisë së Bashkuara. Pra ka një vit e gjysmë që zonja Yuri Kim thotë “fakte kemi, por nuk mund t’i themi” se nuk i thotë pasi nuk ka. Po të thonë, do të turpërohen se të gjitha janë gatuar në kuzhinën  e George Soros, kësaj monstre të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, këtij armiku të kombit shqiptar dhe ndaj nuk dalin. Kurse Britania e Madhe është një vend me procedurë shumë më transparente, pasi ka të përcaktuar edhe rrugën që duhet të ndiqet kundër vendimit.

Elona Meço: Po e ndiqni këtë rrugë?

Sali Berisha: Po sigurisht, po e ndjek, pa diskutim.

Elona Meço: Deri në ç’pikë jeni?

Sali Berisha: Në proces është ajo.

Elona Meço: Keni depozituar diçka?

Sali Berisha:  Më ka shërbyer shumë kjo, sepse doli që organizata kriminale me të cilin unë jam i lidhur, është Fatjon Dauti.

Elona Meço: Keni pajtuar një avokat në Britani?

Sali Berisha: Është histori tjetër. Por të qëndrojmë këtu. A mundet një ambasador të marrë këtë njeri dhe ta paraqesë siç e bëri?! Do të thotë se ky ambasador është verbërisht i korruptuar dhe asgjë tjetër.

Advertisement