Connect with us

Kosova

Nuk ka tym pa zjarr/ Vuçiç përkëdhel BE-në dhe SHBA-të

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa ka komentuar takimin në Bruksel ku u diskutua rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, ka pretenduar se situata në terren për serbët është shumë e vështirë, megjithatë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vlerësimin e tij, duan një lloj zgjidhjeje që serbët të vazhdojnë të jetojnë një jetë normale në Kosovë.

“Ne e dimë se situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe po bëjmë gjithçka që mundemi. Duket se evropianët dhe amerikanët duan një zgjidhje, ndoshta jo atë që na përshtatet, por që njerëzit të mund të vazhdojnë të jetojmë normalisht” – theksoi presidenti serb

Vuçiç, u shpreh gjithashtu se shpreson që, në ditët në vazhdim, të gjendet një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë dhe ka pretenduar se Kosova nuk dëshiron marrëveshje me asnjë çmim dhe në asnjë mënyrë për këtë çështje.

Vuçiç, pas përfundimit të Samitit Ukrainë – Evropa Juglindore, në një postim në platformën sociale, Facebook, ka shpërndarë edhe një fotografi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe ka thënë se Beogradi zyrtar do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie miqësore me Kievin zyrtar, duke nënvizuar faktin se ky i fundit s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ukraina është një nga vendet e pakta që mund të flasë për integritetin territorial, sepse nuk e ka shkelur integritetin territorial të njerëzve të tjerë. Besoj se do të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie miqësore me ketë vend, i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Vuçiç.

Ai gjithashtu ndër të tjera ka potencuar se Serbia do të këmbëngul në zhvillimin e politikave miqësore me vendet e tjera të Evropës Lindore përfshirë edhe Rusinë.

Advertisement