Shkrime
Nuk ka vend për shaka, vizioni barbar dhe miqësia me SHBA e kthyer në telash
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/vizioni-barbar-dhe-miqesia-me-SHBA-e-kthyer-ne-telash.jpg)
Andrea Malaguti
Ndoshta është një detaj. Megjithatë, më ka mbetur në mendje.
Dëgjoni këto fjalë: “Ka një sherif të ri në qytet, emri i tij është Donald Trump”.
Duket si fillimi i papërfillshëm i një parodie të Sergio Leone-s (regjizor, skenograf dhe produktor kinematografik italian të cilit janë dhënë shumë çmime për filmat western, ed.).
Në realitet nuk është memeja Clint Eastwood që shqipton këtë frazë, por zëvendëspresidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, James Donald Vance, nga podiumi i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, sërish një qytet në udhëkryqin e zgjedhjeve tona, tashmë shpesh të evokueshme.
Askush nuk do të donte të bënte një paralele të tepërt midis vitit 1938, Hitlerit, Sudetenlandit, frikacakëve evropianë dhe Ukrainës.
E megjithatë. Vance është një 40 vjeçar që del nga një fëmijëri e trazuar, një ish-marins dhe autor i një libri shumë të suksesshëm (Elegjia Amerikane), i cili fillimisht e urrente The Donald dhe më pas, sapo u bë senator republikan, u magjeps prej tij deri në atë pikë sa u bë hija, krahu i djathtë dhe barku i tij.
Me të mbërritur në Gjermani, me një ndjenjë të dyshimtë diplomacie, ai i shpjegoi një auditori të habitur Frymën e Kohëve – “ne e bëjmë sipas mënyrës sonë” – dhe ftoi votuesit gjermanë të qëndrojnë në anën e së djathtës ekstreme me argumente primitive, të rreme dhe manipuluese, por ndoshta pikërisht për këtë arsye të destinuara për të goditur objektivin.
“Liria e fjalës është në rrezik në Evropë. Emigrantët kërcënojnë vlerat tuaja. Ndaloni politikat progresive”.
Dhe në imagjinatë vjen jehona e mundësisë dhe bukurisë së një kontinenti të vjetër të udhëhequr nga forcat pro-naziste dhe të ruajtur nga zinxhirët pro-Putin të policëve hungarezë. Problemi është që ka pak për të bërë shaka.
I miri JD zhurmon indinjatën e tij, me një shikim të ngurtë, të errët dhe të paepur, me të cilin ai përpiqet t’i kujtojë audiencës se kush është në krye.
Ai. Ata. Armëtarët e rinj të jetës sonë. Një vizion i së ardhmes më shumë i ngjashëm me atë të Anders Breivik se sa me atë të një njeriu të vetë-bërë nga Ohajo, plot plagë, një nëne me varësi nga droga, me origjinë irlandeze-skoceze dhe një bashkëshorte e suksesshme me prindër indianë, dhe që për këtë arsye, pikërisht për këtë arsye – për rrugën që ka marrë, suksesin dhe rolin që ka arritur – duhet të dijë se çfarë është dhembshuria dhe cila është forca e integrimit.
Por janë gjithmonë jetët e të tjerëve që janë të gabuara, madje edhe të rrezikshme. Spektri helmues i “zëvendësimit etnik” i imagjinuar nga një entitet i errët dhe shumë i fuqishëm, por jo aq i mjaftueshëm sa për të penguar hyrjen në pallatet e pushtetit Maga, Mega të ndjekësve pak a shumë ekstremistë.
Eshtë e panevojshme të thuhet se as gruaja e Trump nuk është amerikane. Për të mos përmendur Elon Musk, i cili mbërriti në Shtetet e Bashkuara nga Afrika e Jugut.
Në këtë pikë, për fat të keq, problemi nuk janë më biografitë individuale, por ndryshimet epokale që Uashingtoni po i dikton planetit, duke e gjetur Evropën të papërgatitur dhe Putin, Modi dhe Xi Jinping të lumtur që kanë një bashkëbisedues që flet gjuhën e tyre frikësuese.
Kemi humbur Shtetet e Bashkuara. Por problemi është më i madh, mbi të gjitha sepse Shtetet e Bashkuara kanë humbur veten.
Përmbysja e politikës së krahut tjetër të Atlantikut është e një dhune të paprecedentë.
Të duket sikur keni përfunduar në një makth, një nga ato në të cilat shihni veten duke rënë në boshllëk pa një rrjetë sigurie. Ai zakonisht është momenti kur zgjoheni një çast para përplasjes.
Por këtu? Nuk ka asgjë të zakonshme për atë që po ndodh në javët e para të epokës së dytë të Trump.
Një revolucion është duke u bazuar në një vizion barbar dhe arrogant të marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili ka pak të bëjë me një fisnikëri të caktuar të mendimit të lashtë të së djathtës dhe të majtës klasike.
Një mutacion dramatik që prezanton një eugjenikë të paparë dhe të përhapur të pushtetit – dhe marrëdhënieve ndërpersonale – me rezultate të paparashikueshme.
Vullneti për pushtet që legjitimohet duke mbiinterpretuar votën popullore. Ideja, jo krejtësisht e huaj për disa nga klasat tona në pushtet, se gjithçka u lejohet atyre që zgjidhen nga populli. Duke u nisur nga mohimi i kontrolleve dhe balancave me kujtesën Montesquieuian-e, përfshirë rolin e gjyqësorit dhe informacionit.
Po për gjysmaën e njerëzve që humbën zgjedhjet? Më keq për ta, shumë keq për të gjithë.
Bye bye West. Ne fillojmë përsëri nga e para. Kushdo që e nënvlerësoi Trumpin, i cili ishte gjithnjë e më i dehur nga roli i tij i vogël solo, e kishte gabim.
Teoria e Harmagedonit, e sajuar nga Steve Bannon në rënie, është ringjallur, përforcuar dhe nisur drejt Marsit nga ushtria e kryqtarëve të zotit të vogël të Shtëpisë së Bardhë, të aftë për të mbledhur rreth vetes në lutje një skenë të lindjes së profetëve të supremacizmit, të cilët jo vetëm që nuk duan t’ia dinë për zbulimin e tyre, por përkundrazi, edhe mburren.
Dhe Evropa, e shpëtuar në Normandi nga zbarkimi aleat dhe e aftë për të rindërtuar tek vetja mekanizmin më të sofistikuar të mirëqenies në historinë e njerëzimit, po paguan çmimin më të lartë.
Shtetet e Bashkuara nuk janë më të interesuara për ne. SHBA-Rusi-Kinë. Çdo gjë që është jashtë këtij trekëndëshi bëhet pengesë.
Ne kemi shumë rregulla, shumë parime, shumë vlera, shumë kreativitet. Ne ishim miq dhe model. Tani jemi telash.
Përjashtimi nga tryeza e negociatave me Ukrainën është vetëm poshtërimi i fundit dhe më i dhimbshëm. Sikur këto tre vite luftë të mos i kishte përballur Brukseli duke valëvitur flamurin e NATO-s me në krye amerikanët.
Perandoria me yje, të cilës i jemi bindur shumë shpesh me një përulësi që dukej si marramendje, na ka braktisur, gramatika relacionale me të cilën ishim mësuar është reduktuar në avull.
Pak rëndësi ka të kesh marrëdhënie të mrekullueshme personale me Shtëpinë e Bardhë. Donald Trump mund të jetë i gatshëm të hapë krahët për të mirëpritur Giorgia Melonin në Mar-a-Lago, madje edhe për të shmangur disa tarifa ndaj nesh (Italisë, ed.), por kur të vendosë tarifat e tij të reja mbytëse ndaj gjermanëve, cili do të jetë ndikimi në ekonominë italiane? Për eksportet tona? Për prodhimin tonë?
“Është e rëndësishme të kemi marrëdhënie të mira me anën tjetër të Atlantikut dhe kryeministrja italiane sigurisht që i ka. Por është po aq e rëndësishme të mos harrojmë se për Shtetet e Bashkuara do të jemi gjithmonë jo-amerikanë”, më thotë përmes telefonit Maurizio Serra, diplomat, shkrimtar dhe italiani i parë që u bë “I pavdekshëm”, një titull që u jepet atyre që mbajnë një nga 40 vendet e Akademisë Françeze.
E mora atë në telefon për të folur e për të më ndihmuar të vendos mendimet e mia në renditjen e duhur, duke u nisur nga supozimi se rezultati i negociatave për Ukrainën – të cilat për momentin kanë mbetur në nivelin e bisedave – do të përçojnë qartë temperaturën e re të botës.
E bëj këtë në një kohë kur Brukseli po vendos të ndajë shpenzimet ushtarake nga pakti i stabilitetit, i vetëdijshëm se e tashmja kërkon krijimin e shpejtë të një sistemi mbrojtës të denjë për emrin, i aftë të na japë siguri edhe në mungesë të ushtrive të Trump-it.
“Ukraina do të paguajë çmimin më të lartë për një zgjidhje hipokrite që ne të gjithë duam të arrijmë. Aspekti pozitiv do të jetë fundi i shkatërrimit dhe mizorisë së përhapur që vjen me luftërat civile si kjo. Ai negativ? Rikthimi i spekulimeve komerciale në lëkurën e qindra mijëra viktimave”, thotë Serra.
Disa do të thonë se Putini ka triumfuar. Të tjerët do t’i japin meritën Trump. Kam frikë se do ta quajmë “paqe” diçka që jo vetëm do të përcaktojë një fitore, ndoshta të pashmangshme, për Rusinë, por do të vërtetojë përfundimisht se bota (ish) perëndimore është e gatshme të pranojë se një vend mund të pushtojë një shtet tjetër sovran.
Një vëzhgim i rrezikshëm nëse quheni Evropë dhe keni 1 mijë kilometra kufij të përbashkët me Moskën. Unë mbetem gjithmonë me Bertrand Russell. “Lufta nuk përcakton se kush ka të drejtë, por vetëm kë mbijeton”.
A do të mbijetojmë ne? “Evropa ka bërë një demonstrim shumë modest të vetvetes, vitet e fundit, me ndonjë dalje përpara drejt Ukrainës nga Macron dhe Scholz. Është koha për të gjetur një frymë të unifikuar. Të rreshtohet rreth vlerave të përbashkëta dhe një kulture të përbashkët”, përfundon Serra.
Duhet të nxitojmë. Imagjinoni një Plan Marshall kontinental që ndan nga pakti i stabilitetit jo vetëm shpenzimet ushtarake, por edhe shpenzimet për inteligjencën artificiale, tranzicionin ekologjik dhe shkurtimin e burokracisë.
Krijimi i shtyllave të reja nga të cilat do të fillojë përsëri. Të liderëve të rinj. E ideve të reja, ndërkohë që, të pushtuar nga cunami Maga-Mega, dhe në prag të zgjedhjeve gjermane, progresistët e Kontinentit të Vjetër duket se synojnë “të përçojnë mjegullën”. Koha ka mbaruar.
Pak ditë më parë, në Istituto Sociale në Torino, në fund të një takimi me nxënësit e klasës së tretë, një vajzë 16 vjeçare m’u afrua dhe më tha: «Të them të drejtën rrëfej se jam e ndarë mes dy emocioneve: frikës dhe dëshirës për të bërë. Ku ta gjejmë zotësinë për të ndryshuar trendin?”.
Më erdhi në mendje dhe thashë përgjigjen e mësuesit tim të filozofisë së shkollës së mesme. “Ndryshimi fshihet në të paparashikueshmen”.
Mendova se ia kisha hedhur. Ajo më shikoi me sfidë e tha: “Çfarë është e paparashikueshme?”.
Një shoqe e saj e klasës më shpëtoi nga sikleti. Ajo e kapi për krahu dhe i tha: “Ne”.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)