Politike
Nuk mori pjesë në mbledhjen e dy Kuvendeve, Berisha tregon arsyen pse nuk shkoi në Prishtinë
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk mori pjesë në mbledhjen e dy Kuvendeve që u mbajt në Prishtinë, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Berisha tha se nuk do të shkonte në këtë takim pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Kryedemokrati akuzoi kryeministrin Edi Rama si një pengesë pasi po bashkëpunon me Serbinë.
Berisha akuzoi gjithashtu se me urdhër të kryeministrit Edi Rama është ndaluar kënga “Mora Fjalë” e Shkurte Fejzës në stadiumin kombëtar.
“Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për bashkërendimin me Vuçicin që veriu i Kosovës të merrej në dorëzim nga NATO. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e vet, gjer te ndalimi i këngës, himnit të Adem Jasharit, akti më simbolik, më domethënës.
E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka. Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej. Kemi pasur një rast, Oso Kukën me nipin, kurse Adem Jashari kreu këtë akt më madhështorin në hierarkinë e heroizmave dhe Edi Rama i ndalon këngën pasi u lejua, pasi Shkurte Fejza këndoi në stadiumin e Tiranës. Pra janë këto akte. Të shkoja unë në Prishtinë me Pashiqin? Si mund ta bëja unë këtë? Kurrë. Unë nuk shkoja kurrë me Pashiqin në Kosovë. Çdo ndërhyrje të Shqipërisë në problemin e dialogut Prishtinë-Beograd e konsideroj antikombëtare. E konsideroj absolutisht bllokuese dhe jo nxitëse për zgjidhjet.
Të gjitha propozimet e Edi Ramës, qëndrimet e bashkërenduara me Aleksandër Vuçiçin si argat i tij, kanë sjellë vendnumëro në procesin e negociatave, madje edhe acarime serioze midis këtyre dy vendeve. Shqipëria nuk mund të jetë as ndërmjetës, as pjesëmarrës. Shqipëria qëndron në anën e Kosovës. Shprehet për dialogun, por çdo hap tjetër i Shqipërisë e dëmton dialogun. Nuk ka asnjë tagër qeveria e Tiranës të japë formula apo skema, aq më tepër një qeveri që shpallte Dnjepër veriun e Kosovës. Aq më tepër një qeveri, e cila i thoshte Kosovës nënshtrohu ose do shkosh në kohën e bronzit. Aq më tepër një njeri, që i vendosi i pari në Europë sanksione Kosovës. Aq më tepër një njeri, i cili u përzie në plane për ndarjen, copëtimin e Kosovës me Beogradin.
Një njeri që përkrahu Ballkanin e Hapur, një projekt të qartë ruso-serb. Por ka një zhvillim pozitiv këtu. Qeveria aktuale e Kosovës ka dëshmuar meritën për t’i shumëzuar me zero, për t’ia kthyer reston Pashiqit të Tiranës, njëlloj si Pashiqit të Beogradit”, tha Berisha.