Shkrime
Nuk na e ka borxh ‘Amelika’ dhe as ‘Europa k*rva e motit’
Nga Endri Tafani
55 miliardë dollarë kanë harxhuar USA dhe aleatët në 1999 për të çliruar Kosovën. Në vitet në vazhdim janë harxhuar rreth 2 miliardë dollarë në vit për misione ushtarake, policore, ndihme etj. 100 miliardë dollarë në total e shifra sa vjen e rritet. 100 miliardë dollarë që ne të bëjmë simbolin e shqipes dhe të bëjë trimin në rrjetet sociale nderkohe që nuk kemi as takat e as dëshirë të ngremë një ushtri për të mbrojtur veten. Kosovën e mbron NATO, kurse Shqipërisë ajrin ia mbron greku dhe detin italiani. 100 miliardë dollarë nga 1999 e kendej. Nuk na e kanë borxh. Se janë shumë që thonë që Europa na e ka borxh se na coptoi në 1913. Nuk na e ka borxh. Në 1912 morëm pjesë në luftë në krah të ushtrisë otomane dhe e humbëm luftën dhe si rrjedhojë do paguanim me copa territori ashtu siç e kanë paguar para nesh çdo shtet Europian kur humbte luftën. Nuk e kishin inatin me ne. Ashtu ishin rregullat e lojës. Luftuam dhe humbëm. Kur Ismail Qemali ngriti flamurin vetëm Vlora me rrethinat nuk ishin kapur nga fqinjët. Kështu që me tepër se të na ketë borxh Europa ne, i kemi në borxh Europes që na dha territor me të madh se qarku i Vlorës. Meqë sot është dita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është mirë të kujtojmë dhe diçka tjetër. Lidhja u mbështet nga otomanet si mekanizëm për të mbrojtur tokat e Perandorisë Otomane. Shumica e pjesëmarrësve të saj ishin bejlerët besnike të Sulltanit. Ishin vetëm disa shqiptarë patriote qe kërkonin Shqipëri të pavarur, por shumica nuk donte. Në fund kur Lidhja u bë bezdi per Sulltanin një pjesë e mirë bejlerëve e braktisën dhe sulltani nisi trupat ndaj shqiptarëve që mbronin Ulqinin. Është mirë të njohim veten dhe të jemi të ndërgjegjshëm për mangësitë tona për të krijuar një copë shteti funksional që të mbrojë veten minimumi nga fqinjët, para se të fryhemi e të bëjmë trimin në rrjetet sociale. Nuk na e ka borxh “Amelika, Amelika” dhe as “Europa hej k…. e motit”. Përkundrazi. Jemi në që ua kemi borxh që na ka dhënë një copë territori ku të jetojmë, se vetë kemi qenë të paaftë ta bëjmë. Të jemi të ndërgjegjshëm për këtë.