Bota
Nxiti protestat, Irani ekzekuton gazetarin
Irani ka ekzekutuar gazetarin Ruhollah Zam, i dënuar për shpëndarjen e orareve të protestave dhe të dhënave të turpshme për zyrtarët iranianë në faqen e tij të internetit, në kohën kur vendin e kishte përfshirë një valë e gjatë protestash antiqeveritare
Televizioni shtetëror iranian dhe agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, thanë se gazetari 47 vjeç, Ruhollah Zam, është ekzekutuar me varje të shtunën në mëngjes, pa dhënë hollësi të tjera.
Protestat që kishin nisur në fund të vitit 2017 ishin sfida më e madhe për pushtetin në Iran që nga protestat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009 dhe e përgatitën terrenin për kryengritje të ngjashme masive në nëntor të vitit të kaluar.
Në videot e shpërndara nga gazetari i dënuar dëgjoheshin thirrje kundër presidentit Hassan Rouhani dhe madje edhe kundër liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Zam, i cili kishte thënë se ka ikur nga Irani pasi është akuzuar në mënyrë të rreme për bashkëpunim me shërbimet e huaja të inteligjencës, kishte mohuar se ka nxitur dhunë. Zam kishte jetuar në Francë për një kohë të gjatë. Franca e ka kritikuar dënimin me vdekje për gazetarin dhe e ka quajtur goditje serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në Iran