Kosova
Osmani e bindur: Njoha e Ukrainës do të vijë së bashku me fitoren kundër Rusisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e bindur se do të vijë edhe koha kur Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës bashkë me fitoren e saj kundër Rusisë.
Këto deklarata ajo i bëri në një prononcim të shkurtër për media pas arritjes në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore që po organizohet në Tiranë.
“Këto janë çështje bilaterale, ne gjithnjë e bëjmë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë, pasi Ukraina është në një gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj”, ka deklaruar Osmani pas pyetjes se a do të kërkoj nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Osmani ndër të tjera ka potencuar se Kosova është pjesë e këtij Samiti për të dhënë mbështetjen e saj Ukrainës, siç ka bërë që nga dita e parë e invazionit rus.
“Do të kemi mundësi që të japim gjithë mbështetjen tone për Ukrainën, ashtu siç e kemi bërë që nga dita e parë e invazionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, duke vendosur sanksione duke mbështetur Ushtrinë e Ukrainës, këtë do të bëjmë edhe tash e tutje”,
Ajo gjithashtu ka potencuar se në Samit ndër të tjera do të flasë për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim së bashku me aleat dhe partnerë të tjerë.
“Natyrisht do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”.