Kosova
Pa presion të madh, dialogu me Serbinë rrezikon të dështojë
Pa presion të vazhdueshëm ndërkombëtar nuk pritet të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi. Keshtu thonë njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Dushan Janjiç. Sipas tyre, procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve rrezikon të dështojë.
Komentet pasojnë një rund të ri bisedimesh që u zhvillua të hënën në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.
Në agjendë të diskutimeve ishin çështje që dalin nga Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, por të dyja palët thanë se nuk ka pasur ndonjë përparim. Për këtë marrëveshje janë dakorduar gojarisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndër pikat më të diskutueshme të saj është ajo që kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur më herët, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se takimi i 15 majit synoi t’i “qartësonte çështjet e hapura” dhe se “diskutimet do të vazhdojnë”. Megjithatë, ai nuk specifikoi se kur do të mund të mbahet takimi i radhës.
Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se mënyra se si po zhvillohet dialogu aktualisht, i zbeh gjasat që zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të ketë sukses
Sipas tij, takimet e kryenegociatorëve “janë shterpë” dhe dëshmojnë se “vetëm prezenca e nivelit të lartë politik në dialog dhe presioni i drejtpërdrejtë ndërkombëtar mbi ta, mund të prodhojë rezultate konkrete për çështje të rëndësishme”.
Ideja është që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq po dëshmojnë vazhdimisht që vetëm ata janë ‘alfa dhe omega’ e gjithë dialogut dhe çdo takim ku ata nuk janë prezentë, është i destinuar që të dështojë. Por, në Ballkan, vetëm presionet e mëdha janë efikase dhe vetëm me presione të mëdha diplomatike mund të shkohet përpara në mënyrë kualitative”, thotë Muhaxhiri