Connect with us

Shkrime

Pas SHBA, edhe Gjermania kritika për Albin Kurtin

Shtetet perëndimore pothuajse çdo ditë po dalin me qëndrime publike për të shprehur hapur mospajtimet që kanë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me qasjen e tij në raport me dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, veçanërisht pas çështjes së fundit, pra vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar Kurtin se nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit, madje kanë thënë se ky vendim ka cenuar raportet mes dy shteteve respektive.

Por, përveç amerikanëve, kundër Kurtit, dhe mënyrës se si ai po operon në dialogun me Serbinë, ka dalë edhe një nga vendet më të fuqishme të kontinentit të vjetër, aleate e kahershme e Kosovës, Gjermania.

Berlini zyrtar, përmes të Dërguarit të saj Special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se rruga në dialog nëpër të cilën po ecën qeveria e Albin Kurtit në planin afatgjatë, “kam frikë se mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian”.

“Kam frikë se kjo sjellje mund të çojë në një drejtim të mbështetjes tek vetja dhe humbjes së mundësive për të shkuar drejt BE-së” – deklaroi Sarrazin.

Kujtojmë që para se të dilte Sarrazin, kritika – më të ashpra se kurrë më parë – ndaj Kosovës u artikuluan edhe nga ShBA-të.

Tre zyrtarë amerikanë – top diplomatë – dolën hapur që të demantonin kryeministrin Kurti, dhe t’i tregonin qytetarëve kosovarë se relacioni i marrëdhënieve në mes të dy shteteve respektive nuk është ashtu siç paraqitej nga udhëheqësi i tyre, pas vendimit përsa i përket ndalimit të dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

Kurti, para se flisnin amerikanët, por edhe pas, insistonte se me ShBA-të “raportet janë shumë të mira” dhe se ai “i qëndron kësaj fjale”.

I pari që doli për të artikuluar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës ishte Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien – një njohës i hershëm i zhvillimeve në Ballkan – I cili i bëri thirrje ekzekutivit që të tërhiqet nga vendimi për dinarin, teksa bëri me dije se ky vendim “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.

Sikur të mos mjaftonte O’Brien, vetëm dy ditë më pas, më 15 shkurt, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë të pazakontë për media, para objektit të ambasadës, u detyrua që të përgënjeshtroi Kurtin, i cili kishte thënë se çështja e dinarit nuk e afekton raportin në mes Kosovës dhe Amerikës.

Pas kësaj, nuk do të vononte as akuzatori i tretë amerikan. Këtë radhë ishte i Dërguari Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, I cili më 23 shkurt, konsideroi se Kosova nuk është duke i trajtuar SHBA-të “si partner”, dhe nuk ka hezituar të flasë për pasojat eventuale. Sipas tij, është vetë Kosova ajo që po vështirëson rrugën e saj me partnerët e tjerë – duke përfshirë edhe ato vende që se njohin.

 

 

Advertisement