Kronike
Përdorte lokalin për lojëra fati, arrestohet 20-vjeçari
Policia e Kurbinit ka arrestuar mesditën e sotme një 20-vjeçar pasi kishte përshtatur ambientet e lokalit të marrë me qira për të organizuar veprimtari të lojërave të fatit.
Njoftimi i plotë i policisë
Kurbin/Vijojnë kontrollet në ambiente të ndryshme, për të evidentuar dhe goditur veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Basti i fundit”.
Përdorte lokalin e marrë me qira, për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit me kompjutera dhe tavolina pokeri vihet në pranga 20-vjeçari.
Procedohen në gjendje të lirë edhe 4 shtetas të tjerë të cilët u gjetën në lokal në momentin e ndërhyrjes nga Policia.
Sekuestrohen 6 kompjutera për lojëra fati, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me fisha bixhozi, një shumë parash dhe aksesorë të tjerë që përdoren për këtë veprimtari.
Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë sekuestruar 7 kompjutera për lojëra fati, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kryerjen e kësaj veprimtarie.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe në ambiente të tjera, në kuadër të operacionit “Basti i fundit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar fazën e dytë të këtij operacioni. Si rezultat i kësaj faze u evidentua dhe u godit një tjetër rast i përshtatjes së lokalit për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
Konkretisht, në lagjen nr. 6, Laç, në lokalin e marrë me qira nga shtetasi E. J., 20 vjeç, banues në Fushë Milot, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 kompjutera për lojëra fati, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me fisha bixhozi, një shumë parash dhe aksesorë të tjerë që përdoren për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. S., 32 vjeç, banues në fshatin Droje dhe për shtetasit G. K., 30 vjeç, M. J., 26 vjeç dhe Sh. J., 30 vjeç, banuesë në Thumanë, të cilët u gjetën në këtë lokal në momentin e ndërhyrjes nga policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.