Politike
Përkujtimorja për Nishanin, Berisha: E donte kombin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka nderuar në ceremoninë përkujtimore ish-Presidentin e ndjerë Bujar Nishani, duke e vendosur theksin te trashëgimia që ai la pas si në pozicionin e një shtetari të devotshëm në mbrojtje dhe respektim të ligjit dhe flamurit shqiptar, ashtu edhe në familje dhe forcën politike ku ateronte.
FJALA E BERISHËS:
Ne sot festojmë, kremtojmë, krenohemi me të gjithë këtë spektër të gjerë., të titujve të këtij burri, të këtij miku, të këtij qytetari, shtetari, politikani, i cili nuk është më në një karrige këtu midis nesh, por mbetet i pavdekshëm në memorien dhe zemrat tona. Në këtë aspekt unë mendoj se Odeta ishte një zonjë e bekuar nga zoti, që pati fatin të ketë një bashkëshort shembullor, të virtytshëm si Bujar Nishani. Baba Faiku, ndihet sot këtu së bashku me ne një baba i bekuar sepse pati fatin të ketë një djalë të virtytshëm, një pasardhës që nderoi të gjithë traditën e shkëlqyer të familjes Nishani. Ersi, Fiona gjithashtu janë të bekuar sepse patën një baba të mrekullueshëm, që i dha virtytet më të arrira të njeriut. Një baba që i mëkoi ata me dashurinë për familjen, për vendin, me atdhetari.
Të bekuar ishim ne të gjithë që patëm një mik si ai. Për mikun më e çmuara në miqësi është besnikëria. Bujar Nishani ishte një mik besnik, me të cilin komunikojë njëlloj si me veten tënde. Me të diskutoje dhe vendosje, pasi ishte i bindur në luajalitetin dhe besnikërinë e tij.
Unë kam patur fatin të bashkëpunoj, ta njoh në të gjitha nivelet e shtetit. Zyrtar i përgjegjshëm, efecient, dinjitoz dhe më pas Shtetar, që i bënte nder vendit dhe detyrës me përkushtimin e tij. Një nga ministrat më efecientë. President! përfaqësues ndër më dinjitozët në historinë e kombit.
Bujar Nishani e donte kombin, e donte dheun dhe flamurin e kombit dhe i nderoi ato si pakkush tjetër, ndaj sot ka një vend, nuk është aty në karrige por është dhe do mbetet gjithnjë në zemrat tona. Ndaj dhe duke u përulur me nderimin më të madh shpreh mirënjohjen, e konsideroj veten të bekuar që pata një bashkëpunëtor si Bujar Nishani.
Por edhe në PD ai ishte një nga personalitetet më të qëndrueshme, më të çmuar, një konservator i vërtetë për të cilin, liria, familja, vendi ishin shtyllat më të çmuara.
Pasi përmbysi me seriozitetin detyrat në kushte jashtëzakonisht të vështira, pasi kishte të bënte me një person tjetër që s’njeh ligj as moral, ai i qëndroi stohik flamurit dhe ligjeve të vendit.
Bujar Nishani në një moment kritik iu përkushtua asaj force politike në radhët e të cilës kishte arritur çdo gjë në politikë. Në këtë kontekst dua të them se ai mua dhe të gjithëve ju, na mungon shumë, shumë dhe shumë. Duke u përulur para veprës së tij, le të gëzojmë ne, le të kremtojmë ne me trashëgiminë e mikut, birit, qytetarit, shtetarit dhe Presidentit Bujar Nishani.