Connect with us

Aktualitet

“Plazhi i lirë”/ Kishin zënë hapësirat publike të plazhit të Vlorës e Sarandës, procedohen dy persona

Dy persona janë proceduar penalisht pasi kishin “zbatuar” në mënyrë të paligjshme hapësirat publike në plazhin e Sarandës dhe Vlorës.

Në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, policia bllokoi aktivitetin e një subjekti (beach bar) në plazhin e Jonufrit dhe sekuestrohen dhjetëra komplete me çadra dhe shezlongë.

“Në plazhin e Jonufrit, Vlorë, u lirua një hapësirë publike që ishte zënë në mënyrë të paligjshme nga shtetasi R. S., i cili kishte vënë disa komplete me çadra dhe shezlongë dhe ushtronte aktivitetin në një beach bar, pa e regjistruar në organet kompetente;

-në bregdetin e Sarandës, në vendin e quajtur “Çentral”, u lirua një hapësirë publike që ishte zënë në mënyrë të paligjshme nga shtetasi J. Ç., duke vënë disa komplete me çadra dhe shezlongë.

Për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në prokuroritë respektive ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. S., 43 vjeç, banues në Vlorë dhe J. Ç., 30 vjeç, banues në Sarandë”, njofton policia.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Advertisement