Bota
Politika shton presionin mbi mediat publike në Evropë

Transmetuesit publikë në Evropë po përballen me presione politike në rritje nga populistët e krahut të djathtë, paralajmëroi të hënën grupi mediatik Reporterë pa Kufij (RSF).
Kjo, ndërsa propozoi taksimin e kompanive dhe platformave të internetit për të ndihmuar në financimin e tyre, raporton AFP-ja.
“Vendimi i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të çmontuar shërbimin ndërkombëtar të transmetimit të vendit të tij pasqyron ofensivën që po zhvillohet nga forca të caktuara politike kundër transmetuesve publikë të radios dhe televizionit në të gjithë Evropën”, shkroi drejtori i përgjithshëm i RSF, Thibaut Bruttin, në hyrje të një raporti mbi transmetuesit publikë.
“Marrja nën kontroll, ndërprerja e fondeve dhe mbyllja e këtyre mediave janë komponentë gjithnjë e më të zakonshëm të programeve politike të atyre që kërkojnë të imitojnë politikat e Trump”, paralajmëroi ai.
Në Hungari, kryeministri Viktor Orban i ka transformuar mediat publike në “mjete propagande për Kremlin-in”, tha RSF, ndërsa ristrukturimi i vitit 2024 i transmetuesit publik të Sllovakisë nga qeveria nacionaliste dhe miqësore me Kremlin-in e Robert Fico-s ishte gjithashtu një shkak për shqetësim.
RSF-ja, një organizatë bamirëse me seli në Paris, përshëndeti hyrjen në fuqi më 8 gusht të një neni kyç të Aktit të Lirisë së Medias të BE-së, i cili do t’u kërkojë shteteve anëtare të mbrojnë pavarësinë editoriale dhe financimin e mediave të shërbimit publik.
Grupi lëshoi një duzinë rekomandimesh për forcimin e transmetuesve publikë dhe përmbysjen e trendit të rënies së besimit tek ata.
Këto përfshijnë garanci të forta të pavarësisë në emërimin e drejtuesve të medias dhe krijimin e një sistemi financimi në nivel evropian të mbështetur nga një taksë e vendosur nga shtetet anëtare në platformat digjitale si rrjetet e mediave sociale dhe motorët e kërkimit.
Kjo taksë mund të kombinohet me një “tarifë universale dhe progresive të licencës”, sugjeroi raporti.
Ndërsa dënoi “vendimin katastrofik” të Trump për të shkurtuar fondet për transmetuesit publikë ndërkombëtarë amerikanë, siç janë Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty dhe Radio Azia e Lirë, RSF sugjeroi që Evropa duhet të mbushë boshllëkun.
Ajo rekomandoi krijimin e një shërbimi transmetimi ndërkombëtar evropian që mund të ndihmojë në ruajtjen e redaksive të Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty të mbështetur nga SHBA-të, në bashkëpunim me transmetuesit publikë ndërkombëtarë francezë, gjermanë dhe të tjerë.

