Ekonomi
Presidentja e BE-së: Ka më shumë gjasa të ketë Brexit pa marrëveshje
Britania u largua nga BE në janar, por mbetet një anëtare joformale deri më 31 dhjetor – fundi i një periudhe tranzicioni, gjatë së cilës ajo ka qëndruar në tregun e vetëm të BE dhe në bashkimin doganor.
Të dy palët thonë se duan të bien dakord për marrëveshjen, që mbulon një volum tregtie vjetore prej gati 1 trilion dollarësh, por bisedimet janë në një ngërç dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, tha të enjten se kishte “një mundësi të fortë” që të mos arrihej një marrëveshje, shkruan Reuters.
Në rast se nuk do të ketë “një marrëveshje” mbi tregtinë, Britania do të humbte brenda natës tarifën zero dhe qasjen me kuotë zero në tregun e vetëm evropian prej 450 milionë konsumatorësh.
“Probabiliteti i një marrëveshjeje pa marrëveshje është më i lartë se i një marrëveshjeje,” ka thënë Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, sipas një zyrtari të BE-së, i cili nuk pranoi të identifikohet. Sipas tij, presidentja e BE-së e ka bërë këtë deklarim gjatë një samiti të BE në Bruksel.
Johnson dhe von der Leyen u kanë lënë afat negociatorëve deri të dielën në mbrëmje për të thyer ngërçin në bisedimet që kanë ngecur tek të drejtat e peshkimit dhe kërkesat e BE për Britaninë që të dënohet nëse në të ardhmen ajo shmanget nga rregullat e bllokut.
Von der Leyen tha se deri të dielën do të ishte e qartë nëse ishin arritur kushtet për një marrëveshje. “Është e drejtë që konkurrentët e ndërmarrjeve tona të përballen me të njëjtat kushte në tregun tonë”, tha ajo në një konferencë shtypi në Bruksel.
Sekretari i Kulturës, Oliver Dowden, i tha ‘Sky News’ se një marrëveshje ishte ende e mundur, por që Britania, e cila u bashkua me BE-në në 1973, do të lulëzonte me ose pa një marrëveshje. “Nuk është e thënë që duhet të ketë marrëveshje me çdo çmim,” tha ai.
Një Brexit pa marrëveshje tregtare do të dëmtonte ekonomitë e Europës së Veriut, do të dërgonte valë tronditëse në tregjet financiare, do të krijonte probleme në kufi dhe do të shkaktonte kaos në zinxhirët delikatë të furnizimit, që shtrihen në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Presidenti francez, Macron, është nën presion nga peshkatarët francezë për të mos dhënë asnjë pëllëmbë mbi të drejtat e tyre të peshkimit. Ai u pyet nga një reporter nëse një propozim i BE për një plan rezervë njëvjeçar, sipas të cilit peshkatarët e BE do të mbanin hyrjen në ujërat e peshkimit të Britanisë, ishte i ngjashëm me “të kesh tortën tënde dhe ta hash atë “.
“Unë nuk po kërkoj ta kem tortën time dhe ta ha, jo. Ajo që dua është që të jetë një tortë që të ketë vlerë për aq sa peshon. Sepse as unë nuk do të heq dorë nga pjesa ime” – tha ai në Bruksel.
Monitor/