Connect with us

Politike

Procesi me probleme/ Pajisjet s’funksionojnë, s’ka energji…

Prej orës 07:00 ka nisur zyrtarisht votimi, por qytetarët janë hasur me problematika të shumta. Në mbarë vendin janë hasur probleme me sistemin, votimin elektronik që ka nisur me vonesë në disa qëndra apo dhe me mungesën e energjisë elektrike. Në disa qendra votimi ka pasur vonesë për shkak të problemeve me pajisjen e identifikimit. Probleme në disa qendra votimi në lidhje me këtë pajisje janë raportuar në Shkodër, Elbasan, Vorë, Dibër, Elbasan, Lezhë, Vlorë.

“Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë”

Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë. Pritet që në këto qendra, votimi të kryhet në mënyrë tradicionale. Mëngjesin e sotëm janë shfaqur probleme edhe me pajisjen e identifikimit biometrik në disa qendra në Tiranë. Lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me një njoftim zyrtar. Mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote ftohen këtë të dielë të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive të vendit mes 144 kandidatëve.

Probleme me sistemin në 80 qendra votimi në Bashkinë Shkodër

Në qytetin e Shkodrës ka probleme me sistemin në 80 qendra votimi, dhe akoma nuk ka nisur procesi zgjedhor. Përpos këtyre qëndrave, në qendrat e tjera të votimit procesi zgjedhor ka nisur normalisht dhe janë shfaqur votuesit e parë. Më konkretisht, procesi i votimi në Shkodër në 80 qendra nga 247 qendra në total që ka Bashkia Shkodër ka probleme me sistemin. Në 80 qendra akoma nuk ka nisur procesi i votimit, ashtu siç parashikohej që në 07:00.

Në Vaun e Dejës problem mbetet vetëm në një qendër, për shkak të një problemi të pajisjes së identifikimit të votuesve.

Nis me probleme teknike votimi elektronik në një qendër në Elbasan

Në një qendër votimi në Elbasan ka nisur me probleme teknike ky proces. Bëhet fjalë për qendrën e votimit 23/69, ku pajisja e identifikimit nuk rakordon me pajisjen që do të kryhet votimi elektronik, pasi i përket një qendre tjetër votimi.

Për këtë problem teknik është njoftuar KQZ, dhe po pritet që të zgjidhet kjo problematikë. Ndërkohë në qendrat e tjera të votimit nuk raportohet për probleme dhe situata është e qetë. Në Elbasan votojnë 171,250 qyterarë dhe për herë të parë në këtë qytet aplikohet votimi dhe numërimi elektronik.

Votimi elektronik në Vorë nis me vonesë në disa qendra, problemi teknik krijon radhë qytetarësh

Vora, Elbasani dhe Kamza votojnë sot elektronikisht. Në Vorë ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi, dhe për pasojë janë krijuar radhë qytetarësh në disa qendra për të votuar.

Jo në të gjitha qendrat e votimit ka nisur procesi që në orën 07:00. Ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi me pajisjet elektronike. Procesi ka nisur 30-40 minuta me vonesë.

Nis me problematika votimi në disa qendra në Qarkun e Dibrës

Ka nisur me problematika procesi i votimit në disa qendra votimit në Qarkun e Dibrës. Në qendrën e votimit 1101 në Maqellarë mungon proces-verbali i hapjes së kësaj qendre votimit. Në Kastriot, në një qendër votimit nuk ka energji elektrike. Në Klos nuk ka nisur ende votimi në 10 qendra votimi nga 27 gjithsej, për shkak se nuk punon lexuesi elektronik. Pritet një përgjigje nga KQZ për të filluar manualisht.

Vlorë: Disa qendra votimi në Vlorë kanë probleme me pajisjet elektronike! Deri tani ende nuk ka nisur procesi i votimit ne disa qendra votimi.

Lezhë: Ka nisur procesi i votimit në të gjitha qendrat e 4 KZAZ te qarkut Lezhe. Në disa prej tyre procesi ka nisur me disa minuta vonese, për shkak të disa problemeve të vogla por që janë zgjidhur.

Shijak: Edhe në Shijak ka pasur probleme me votimin, nga 54 qendra votimi në 40% të tyre ende nuk ka nisur procesi i votimit. Ka pasur edhe një problem, marrja pjesë e komisionerëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” me vonesë.

Fier: Ka pasur problematika me pajisjet e identifikimit elektronik, por në pjesën më të madhe ka nisur votimi edhe pse jo në orarin e parashikuar nga KQZ. Janë paraqitur votuesit e parë.

Pogradec: Dy qendrat e votomit 3903/01 3903/00 ne KZAZ 69 kanë nisur votimin pas 1 orë e 30 minuta vonesë. Shkak është bërë problemi me energjinë elektrike, qytetarët shprehen se kanë me tepër se një orë që presin.

Advertisement